BASILEA – “Paqe dhe Drejtësi për Palestinën”. Televizioni shtetëror spanjoll RTVE ka shprehur hapur qëndrimin e tij kundër përfshirjes së Izraelit në Eurovision Song Contest të këtij viti, duke transmetuar një mesazh pro-Palestinë pak çaste pas nisjes së finales së së shtunës. Ky veprim u bë pavarësisht paralajmërimit të Unionit Europian të Transmetimeve (UER), i cili kishte kërcënuar me “gjoba ndëshkuese” nëse gjatë finales së edicionit të 69-të të festivalit, më 18 maj, komentatorët do të përsërisnin referencat për konfliktin në Gaza, ashtu siç ndodhi gjatë gjysmëfinales së dytë të transmetuar në rrjetin La2.
Në një komunikatë zyrtare që i është dërguar kreut të delegacionit spanjoll, Ana Maria Bordas – dokument që është siguruar paraprakisht nga gazeta El Pais – drejtuesit e UER theksojnë se rregullat e festivalit “ndalojnë deklaratat politike që mund të komprometojnë neutralitetin e konkursit”. Po ashtu, theksohet se “numri i viktimave” nga konflikti në Gaza “nuk ka vend në një program zbavitës dhe apolitik, slogani i të cilit, 'Të Bashkuar përmes Muzikës', mishëron angazhimin tonë për unitet”. Sipas El Pais, komunikata është firmosur nga presidenti i Grupit Referues të Eurovisionit, zvicerani Bakel Walden, dhe nga mbikëqyrësi ekzekutiv i konkursit, suedezi Martin Österdahl.
Gjatë gjysmëfinales së dytë, komentatorët e RTVE kujtuan publikisht kërkesën e transmetuesit shtetëror spanjoll për të rishikuar pjesëmarrjen e Izraelit në festival, duke përmendur shifrën e mbi 50.000 viktimave civile në Gaza – përfshirë mbi 15.000 fëmijë – sipas të dhënave të OKB-së.
RTVE ka konfirmuar për El Pais se mesazhi i dhënë nga prezantuesit ishte i koordinuar me televizionin, ndërsa burime të gazetës kanë bërë të ditur se mund të ketë pasur edhe një tjetër “gest simbolik” gjatë finales së mbrëmshme. Duke shprehur “habinë” për reagimin e UER, televizioni publik spanjoll nënvizon se kërkesa për respektimin e të drejtave të njeriut dhe paqes nuk përbën sulm ndaj asnjë shteti të veçantë. RTVE thekson gjithashtu se nuk është konsideruar si deklaratë politike referenca e delegacionit izraelit për gjendjen e përfaqësueses së tyre, Yuval Raphael, si viktimë e sulmeve të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor 2023./La Repubblica
Komente
