Në historinë e njerëzimit, momentet më dramatike kanë qenë ato kur individët dhe shoqëritë janë vendosur përballë pyetjes themelore: Çfarë është e drejtë?! Pyetje që shpesh nuk gjen përgjigje në shpjegimet e ftohta të së drejtës pozitive, por në një ndjenjë më të thellë, që qëndron brenda ndërgjegjes njerëzore. Secili prej nesh ka një kod unik moral, që brezat ia trashëgojnë njëri-tjetrit prej shekujsh.
Në gjyqet e Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore, hierarkët nazistë u përpoqën të mbroheshin me arsyetimin e thjeshtë se “ne po zbatonim ligjin”. Kjo mbrojtje bazohej mbi konceptin formalist të së drejtës pozitive, se detyrimi për bindje ndaj urdhrit është më i fortë se çdo konsideratë tjetër morale. Prokurorët, nga ana tjetër, i dhanë botës një leksion të paharrueshëm: ligji nuk mund të ndahet nga morali. Ata argumentuan mbi parimet universale të së drejtës natyrore, duke pyetur: A kishin këta individë mundësi zgjedhjeje? A mund të justifikohet urdhri kur ai urdhër përmbys vetë thelbin e humanizmit?
Ky ishte një moment kyç për të drejtën ndërkombëtare. Aty u hodhën themelet e konceptit të përgjegjësisë së “zinxhirit të komandës”, sipas të cilit jo vetëm ai që jep urdhrin, por edhe ai që e zbaton me veprime ose mosveprime, mban përgjegjësi për aktet kriminale. Ky parim, që mbron civilët në luftë, dhe që i dha kuptim nocionit të drejtësisë ndërkombëtare, u risoll dekada më vonë në gjykimin e Sllobodan Milosheviç për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Nuk ka ligj të vlefshëm që të shkelë dinjitetin njerëzor. Çdo individ ka përgjegjësinë që të mos i bindet një urdhri kriminal. Me fjalë të thjeshta, zinxhiri i komandës mbron disiplinën, por nuk mund të përdoret për të fshirë ndërgjegjen individuale.
Por historia nuk është thjesht kujtesë. Ajo është paralajmërim. Sot, ndërsa bota shikon Gazën dhe Ukrainën, ne po përballemi sërish me brutalitetin e një shkeljeje sistematike të lirive dhe dinjitetit njerëzor. Vrasja e civilëve, shkatërrimi i spitaleve dhe mohimi i të drejtës për jetë nuk janë vetëm përçmim i normave ndërkombëtare, por një kambanë alarmi për ndërgjegjen e njerëzimit mbarë. Nëse Nurembergu na mësoi se bindja e verbër nuk është justifikim, ngjarjet e sotme na kujtojnë se indiferenca e verbër është bashkëfajësi.
Në fund të fundit, ligji ndërkombëtar, traktatet dhe konventat kanë vlerë vetëm nëse reflektojnë dhe ushqejnë atë sens të së drejtës që secili prej nesh e ndien përbrenda. Është ajo ndjesi që na thotë se nuk mund të ketë asnjë ligj të vlefshëm që lejon genocidin, urinë, që justifikon torturën, që mbron dhunën mbi të pambrojturit. Përballë këtij thelbi, mbrojtja me frazën “unë vetëm po zbatoja urdhrin” kthehet në zbrazëti. Nuk mund të shfaroset një popullsi e tërë për shkak të kulturës, besimit fetar apo të racës.
Nëse duam që shekulli XXI të mos jetë një përsëritje edhe më tragjike e tragjedive të shekullit XX, duhet që të kemi guximin të kërkojmë përgjegjësinë, jo vetëm në sallat e gjyqeve ndërkombëtare, por edhe në hapësirën publike të ndërgjegjes njerëzore. Drejtësia nuk është thjesht një çështje tribunalesh. Sensi i së drejtës është një ideal që gjendet brenda secilit prej nesh. Ai nuk mund të heshtet, përveçse nëse ne heqim dorë nga vetë njerëzimi.
Komente
