Këtë shkrim ia kam kushtuar një personazhi dhe një ngjarjeje shumë të rëndësishme kombëtare, por të lënë krejtësisht në harresë nga historiografia dhe institucionet shqiptare. Po sjellim sot vetëm dy, nga një sërë artikujsh të shtypit evropian lidhur me ngjarjen që i dha goditjen e parë dhe vendimtare, përpjekjes së parë për pavarësimin e Shqipërisë. Gazeta e Milanos (Mars, 1829) dhe Gazeta e Firences (nr. 29, 7 mars 1829), në shkrimet e tyre që po i publikojmë për herë të parë, pasqyruan vrasjen e pabesë të Ismail Bej Vlorës, në Janinë, më 5 janar 1829. Po në të njëjtën periudhë, po të njëjtin lajm e pasqyruan edhe disa gazeta të tjera europiane, si Gazeta Piemontese, Gazeta e Provincës Breshiane, Courrier D’Orient etj.
Ali Pasha Tepelena u ekzekutua më 24 janar 1822. Pas rënies së tij, në shumicën e trojeve të Toskërisë, pushteti i vërtetë mbeti në duar të asaj që Ëilliam Meyer, konsulli britanik në Prevezë, e quajti "Liga e Toskërisë", një oligarki ushtarake e përbërë nga udhëheqës të pakënaqur, që dikur kishin qenë pjesë e oborrit të Ali Pashës. Siç ishin mbajtësi i shpatës së Ali Pashës, Zylyftar Iljaz Poda, mbajtësi i vulës, Muhurdar Ago Vasjari, thesarmbajtësi Omer Vrioni, kreu i rojeve, Tahir Abazi, komandanti i rendit publik, Elmaz Meçe, si dhe disa krerë ushtarakë si Dervish Hasani dhe Sulço Gorça. Duke qenë fqinjët më të afërt të grekëve të rebeluar, si edhe duke mbajtur ende shumicën e forcave ushtarake operacionale në rajon pas shpërbërjes së qeverisë së Ali Pashës, qëndrimi i tyre kundër Revolucionit Grek ishte i një rëndësie kyçe.
Ismail Bej Vlora (1778-1829), shfaqet në këtë periudhë si udhëheqësi kryesor shqiptarë në Toskëri. Nga ana tjetër, osmanët forcuan aleancën me Omer Pasha Vrionin, si kundërpeshë. Ismail Bej Vlora ishte ngarkuar nga qeveria osmane për të luftuar Revolucionin Grek (1821–1829). Ai nuk pranoi që t’i kundërvihej kryengritjes greke dhe të vendoste në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve. Ai u largua nga fronti osmano-grek, bashkë me afro 4 mijë trupat e tij. Për shkak të rebelimit të tij, që në vitin 1822, Sulltani firmosi dy fermanë të ndryshme që duhet të zbatoheshin sipas situatës, njëri parashikonte internimin, ndërsa tjetri vrasjen e Ismail Bej Vlorës dhe të vëllait Beqir Bej Vlorës.
Udhëheqësit shqiptarë pasi u tërhoqën nga fronti i luftës greko-osmane, ishin të interesuar për faktin se deri ku do të shtrihej revolucioni grek dhe deri sa mund ti kërcënonte tokat shqiptare. Nga burime greke mësojmë se në vitin 1827, vëllai i kryetarit të parë të shtetit grek, Kapodistrias, kishte hyrë në bisedime me Ismail bej Vlorën, për të negociuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj kryengritjes greke. Po këto burime bëjnë me dije se në bisedimet e zhvilluara ishte arritur marrëveshje mes palëve për paprekshmërinë territoriale të njëri-tjetrit.
Në vjeshtën e vitit 1828, kur u bë e qartë se çështja greke po shkonte drejt zgjidhjes përfundimtare, udhëheqësit shqiptarë të Toskërisë, nën kryesimin e Ismail Bej Vlorës, Zylyftar (Iljaz) Podës dhe Shahin Bej Delvinës, mblodhën një kuvend në Berat. Ata diskutuan për kthimin e të drejtave që paria shqiptare kishte gëzuar tradicionalisht nën sundimin osman. Ismail Bej Vlora ishte kryetar i Kuvendit të Madh Ndërkrahinor të Beratit (6–8 nëntor 1828). Ky kuvend krijoi organizatën politike me emrin “Lidhja Shqiptare”, e kryesuar po nga Ismail Bej Vlora. Ajo kundërshtonte pushtetin e centralizuar të sulltanit, si edhe punoi për shtrirjen e rrënjëve të saj në krahinat e tjera të Shqipërisë. Fatkeqësisht, kjo ngjarje vendimtare, për fatet e kombit tonë është anashkaluar gjithmonë. Ajo mbetet edhe sot e gjithë ditën e pavlerësuar nga historiografia dhe autoritetet zyrtare...
Në nëntor 1828, 84 vite para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, nga qyteti i Beratit, shqiptarët kërkuan pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ata kërkuan krijimin e një shteti shqiptar, që si bërthamë territoriale do të kishte territoret shqiptare ku kishte sunduar Ali Pasha Tepelena. Në një letër të vitit 1828, Ismail Bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemal Bej Vlorës) i ftoi krerët shqiptarë të mos silleshin si nëpunës të shtetit osman, por si pjesë e udhëheqësisë së Shqipërisë, e cila kishte fuqinë dhe detyrimin të merrte vendime për të ardhmen e saj: “Mos u nxitoni për t’i shkatërruar dhe asgjësuar komitët [grekë], pasi sikurse e dimë të gjithë, ajo që po ndodh me punët e grekëve do të na ndodhë edhe neve. Që punët e popullit shqiptar të rregullohen ashtu siç duhet dhe të merren nën kontroll të plotë, jam marrë vesh me [Iljaz] Podën,… Ngaqë edhe ju jeni pjesë e parisë së Shqipërisë, hapini mirë sytë për të mbrojtur atdheun tonë.”
Ismail Bej Vlora filloi projektin për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Prandaj, Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në “Masakrën e Janinës” (5 janar 1829), së bashku me 18 njerëz të shpurës, në kështjellën e Janinës nga Reshit Mehmet Pasha (1780–1839). Menjëherë pas këtij akti, Reshit Mehmet Pasha (Kütahi), u emërua në postin e Vezirit të Madh nga Sulltani.
Vrasja pabesisht e Ismail Bej Vlorës, u konsiderua si një fyerje kombëtare për shqiptarët. Ajo ngjalli zemërim të thellë në Jugun e Shqipërisë. Megjithatë, krahina e Vlorës do të mbetej një kala e pamposhtur për turqit edhe pas vrasjes së Ismail Bej Vlorës. Vëllai i tij, Beqir Bej Vlora e çliroi krahinën e Labërisë nga turqit. Gjatë kësaj periudhe osmanët u shfaqën të pafuqishëm për ta nënshtruar Vlorën. Në një raport që veziri i madh i drejton Stambollit më 12 shtator 1830, dëshmohet se: “Beqir Vlora (vëllai i të vrarit Ismail Vlora)… nuk do të lëshojë nga dora anët e Vlorës, që i ka në pushtetin e tij…”
Vrasja e Ismail Bej Vlorës (1829), “Masakra e Manastirit” (gusht 1830), ku u masakruan pabesisht mijëra krerë shqiptarë, dhe rënia e Pashallëkut të Shkodrës (1831), treguan qartazi se osmanët do ta shtypnin dhunshëm çdo tentativë për shkëputje të trojeve shqiptare nga perandoria. Gjithsesi, Ismail Bej Vlora ka meritën e madhe që i dha për herë të parë çështjes shqiptare ngjyresën kombëtariste.
Kuvendi i Mesaplikut (1847), i cili krijoi “Lidhjen Kombëtare Shqiptare”, shënon një tjetër ngjarje politike ku manifestohet publikisht nevoja e bashkimit politik të të gjithë shqiptarëve për të realizuar shkëputjen nga shteti osman. Në programin kombëtar u shpreh qartë domosdoshmëria e bashkimit të shqiptarëve të të gjitha besimeve. Në këtë kryengritje, për herë të parë u shfaq kërkesa për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Mahmud Bej Vlora, i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, ishte një nga krerët kryesor të kësaj lëvizje, prandaj, si pasojë e qëndresës së familjes Vlora ndaj reformave të Tanzimatit, Mahmud Bej Vlora, Muhamet (Mehmet) beu dhe kushërinjtë, Selim Pasha Vlora dhe Mustafa Pasha Vlora, u internuan në Konia.
Kryengritja e vitit 1847, me qendër në Labëri, kundër masave që parashikonte Tanzimati dhe për vetëqeverisjen e Shqipërisë, është nga përpjekjet e fundit shqiptare për shkëputje nga Perandoria Osmane. Më pas, duke parë agresivitetin e fqinjëve që kërkonin të zgjeroheshin në toka të banuara historikisht nga shqiptarët, u frenuan përpjekjet për shkëputje nga Perandoria Osmane. Prandaj, Mahmud Bej Vlora, i biri i Ismail Bej Vlorës dhe i ati i Ismail Qemal Bej Vlorës, një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje, në vitin 1853-1854, u rreshtua krah trupave osmane në Thesali, për të frenuar përparimin e ushtrisë greke, e cila kërkoi të përfitonte nga angazhimi i ushtrisë osmane në Luftën e Krimesë.
Ndjenja e mirëfilltë e përkatësisë kombëtare nis të zhvillohet te shqiptarët përgjatë shekullit të XIX-të, ku ka fillesat edhe Rilindja Kombëtare. Shqiptarët zhvilluan luftëra të pandërprera lokale kundër autoriteteve turke, sidomos gjatë kohës së zbatimit të reformave të Tanzimatit. Karakteristikë për këtë armiqësim është një dokument, i cili gjendet në bibliotekën e parlamentit grek në Athinë. Ai është një vendim i Kuvendit të Labërisë (1847), nën kryesinë e Mahmud Bej Vlorës (i ati i Ismail Qemalit), të Abdyl Bej Delvinës dhe të Myslym Gjonlekës (i biri i Zejnel Gjonlekës), ku i bëhet thirrje mbretit grek të mbështesë kryengritjen shqiptare kundër Turqisë, në këmbim të krijimit të “Mbretërisë greko-shqiptare”, brenda së cilës secili komb do të qeverisej në mënyrë të pavarur dhe vetëm personi i sundimtarit, si edhe ushtria e marina do të ishin të përbashkëta. Kërkesën e kanë nënshkruar 44 figura të shquara shqiptare (ndër ta edhe pesë ortodoksë). Kryeministri i atëhershëm grek, gjenerali Koletis, e përkrahu këtë kërkesë. Por, kolegët e tij dhe parlamenti grek nuk e pranuan statusin e veçantë që kërkonin shqiptarët brenda kësaj mbretërie.
Vizioni është një element thelbësor i lidershipit. Shpesh, idetë që përbëjnë vizionin janë aq të fuqishme sa kapërcejnë shekujt dhe bashkojnë breza të tërë njerëzish drejt realizimit të tyre. Vizioni i lirisë kishte hedhur rrënjë të thella në familjen Vlora, duke përfshirë të paktën tre breza në këtë kauzë madhore. Ismail Bej Vlora u vra, por nuk u mposht. Ideali i tij për një Shqipëri të pavarur u bë realitet 84 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, nga nipi i tij, Ismail Qemal Vlora.
Periudha para Pavarësisë së Shqipërisë është një kapitull kyç në historinë tonë, e mbushur me ngjarje të rëndësishme që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar. Duhet siguruar që të gjithë kontribuuesit në çështjen tonë kombëtare të marrin vlerësimin e merituar. Njohja e thellë e së shkuarës është çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të begatë. Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme.
Në një kohë kur kujtesa kolektive është më e rëndësishme se kurrë, ne shqiptarët kemi nevojë për një histori kombëtare më të plotë dhe më të drejtë. Periudha para Pavarësisë është një pasqyrë e aspiratave, sakrificave dhe dëshirës për liri të të parëve tanë. Me shpresën se viti 2025, do të shënojë një kthesë në këtë drejtim, duke përdorur tashmë si duhet edhe teknologjinë e avancuar, si Inteligjencën Artificiale, ne duhet që t'ju bëjmë drejtësi të gjithë atyre që kanë kontribuuar në formimin e kombit tonë.
Kjo është një detyrë e rëndësishme për të gjithë ne, si individë dhe si shoqëri. Njohja e historisë është vendimtare në forcimin identitetit tonë kombëtar. E vërteta historike dhe drejtësia historike janë të domosdoshme për të pasur një shoqëri të plotë dhe të drejtë.
Qorri ka te drejt :me 28 nentor 1912 sotir panajoti ngriti flamurin e pavarsis ne vlore,kurse me 8 nentor 1941 jorgo panajoti formoj partin komuniste te Shqipris.
PërgjigjuPo ci ke keto trillime fantastikoshkencore more Nastradin? Nuk late turkoshak pa lavderuar dhe pa ngritur nga varri,nderkohe qe turkoshaket e atehershem dhe tirkoshaket e tanishem akoma ka e te njejtin qellim,duan baben! Derra islamike!
PërgjigjuO qorr,fakt esht qe turkoshakt kan kontribur me shum per shqiperin.idris seferi,isa buletini,elez isufi,bajram curri,hasan prishtina,ibrahim rugova,adem jashari,ahmet zogu,mithat frasheri,enver hoxha,mehmet shehu,sali berisha.flamurin e ngriti ismail qemali.