Kronikë

Evazioni fiskal i 'Bankers'/ Apeli i Tiranës lë në burg CEO-n kinez dhe Çobon! Zbutet masa për Doina Gogën, tashmë 4 me 'detyrim paraqitje' dhe 4 në 'arrest shtëpie'! 4 të tjerë ende në kërkim

6 Gusht, 07:41| Përditesimi: 6 Gusht, 16:27

  • Share

Mbi 5 orë seancë në Apelin e Tiranës nuk ndryshoi pothuajse asgjë nga masat e sigurisë për 10 nga 14 të akuzuarit e Bankers për evazion fiskal dhe mashtrim me TVSH-në.

Gjykata konfirmoi arrestin me burg për  CEO-n e  Bankers Petroleum’, kinezin  Hongping Xiao dhe ish drejtorin Leonidha Cobo, të dy të akuzuar për skemë mashtruese me TVSH-në dhe evazion fiskal, ndërsa për Çobon dyshohet edhe pastrimi i parave.

Apeli ndryshoi vetëm një nga 5 masat “arrest në shtëpi”. Doina Goga do të jetë vetëm në “detyrim paraqitje” për shkak se është nënë e një fëmijë 2-vjeçar.

Kinezi Lianyi Wang dhe shqiptarët Ardit Kero, Flavia Capo e Kledi Xhani do të vazhdojnë në arrest shtëpiak.

Për tre të akuzuarit e tjerë Majlinda Thana, Matilda Ibraliu dhe Erton Ademaj Apeli konfirmoi “detyrimin e paraqitjes”, ndërsa revokoi masën e ndalimit të udhëtimit jashtë vendit.

Aksioni në “Bankers Petrolium Albania” u krye nga Prokuroria e Fierit më 2 korrik, e cila ekzekutoi 10 masa sigurie ndërsa në kërkim mbeten ende 4 persona të huaj.

Hetimet u zhvilluan për 6 muaj nga organi i akuzës, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë të mëdha.  

Sipas prokurorisë, për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum” ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Gjatë periudhës 2004–2024 kompania kineze akuzohet se ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekë, por pavarësisht kësaj shume, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë.

Sipas organit të akuzës, përmes kësaj skeme, kompania ka shmangur pagimin e tatim-fitimit për 20 vite me radhë dhe për më tepër ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së, duke shkaktuar dëm financiar në miliona euro në buxhetin e shtetit.

Vetë kompania mohoi akuzat përmes një deklarate, dhe u angazhua të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare për çështjen.

Masa “arrest me burg” për:
Leonidha Çobo
Hongping Xiao
Masa “arrest në shtëpi” për:
Lianyi Wang
Ardit Kero
Flavia Capo
Kledi Xhani
I hiqet masa e arrestit në shtëpi, caktohet “detyrim paraqitje”
Doina Goga
Lihet në fuqi masa “detyrim paraqitje”, i hiqet “ndalimi i largimit jashtë vendit” për:
Majlinda Thana
Matilda Ibraliu
Erton Ademaj

 

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Goni: 06/08/2025 13:36

    Hetoni mire nese keni kellqe. Te shohim kush kompani ka marre pagesa te fryra kot nga kjo kompani. Te hetohet sakte jo sa per te lare gojen

    Përgjigju
  • Si mundet: 06/08/2025 09:35

    Si mundet qe kjo kompani prej kaq vitesh nuk ka shpallur falimentin? Si ka mundesi qe eshte rimbursuar prej kaq vitesh? Kush realisht qendron mbrapa kesaj kompanie, qe ka patur suport prej thuajse 25 vitesh? Keto duhet hetuar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?