Kronikë

Evazioni fiskal i 'Bankers'/ Prokuroria e Fierit shpall moskompetencë, dosja i kalon SPAK-ut për korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal

4 Tetor, 12:33| Përditesimi: 4 Tetor, 17:12

  • Share

 

Afera e shmangies së detyrimeve tatimore për gati 20 vite, e cila përfshiu drejtues e ish-drejtues të lartë të kompanisë Bankers Petroleum, ndaj të cilëve Prokuroria e Fierit urdhëroi masa sigurie, tani do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Dosja i ka kaluar asaj për kompetencë, duke qenë se hetimet e mëtejshme zbuluan elementë korrupsioni që përfshijnë zyrtarë të lartë, por dhe të një grupi të strukturuar kriminal.

***

Në 2 korrik, hetues të Prokurorisë së Fierit, njësi të policisë dhe tatimeve u shfaqën në dyert e kompanisë Bankers Petroleum, e cila shfrytëzon një nga vendburimet më të mëdha të naftës në vend.

Në duar ata kishin urdhrat për 14 masa sigurie. Në arrest përfundoi ndër të tjerët CEO aktual, Hongping Xiao, dhe ish-drejtuesi Leonidha Çobo. Katër të huaj vijojnë të jenë në kërkim. Gjykata e Apelit konfirmoi më vonë burgun për CEO-n Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobo, ndërsa ndryshoi vetëm një nga 5 masat nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje”.

Hetimet e mëpasshme duket se kanë nxjerrë në dritë elementë të rinj. Dyshimet për korrupsion kanë rënë dhe mbi zyrtarë të lartë, ndërsa skema sipas së cilës, funksiononin drejtuesit e kompanisë, është ajo e një grupi të mirëorganizuar kriminal. Për këtë arsye, Prokuroria e Fierit, ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar hetimet Prokurorisë së Posaçme.

Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2004–2024, për 20 vite me radhë, kompania ka eksportuar dhe shitur naftë me një vlerë totale prej 532 miliardë lekësh, rreth 5 miliardë euro, por ka deklaruar humbje prej 11.7 miliardë lekësh dhe nuk ka paguar asnjë tatim-fitimi.

Prokuroria pretendon se kjo është realizuar përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, për të rezultuar me humbje në bilancet financiare dhe për të shmangur detyrimet fiskale.

Përmes kësaj skeme, kompania jo vetëm që nuk ka paguar taksat, por ka përfituar edhe rimbursime të padrejta të TVSH-së, duke shkaktuar dëm financiar në miliona euro në buxhetin e shtetit.

Hetimet nisën pas një kallëzimi nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila evidentoi skemën e dyshuar të mashtrimit fiskal.

Ndërkohë, “Bankers Petroleum” ka mohuar akuzat, duke deklaruar përmes një reagimi zyrtar se është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet shqiptare për zbardhjen e çështjes.

Dosja tashmë është në duart e SPAK, i cili do të vijojë hetimet për një nga rastet më të mëdha të dyshuara për shmangie tatimore dhe mashtrim financiar në vend gjatë dy dekadave të fundit.

 

“Arrest me burg”:
Leonidha Çobo Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në, pastrim parash
Hongping Xiao  Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
“Arrest në shtëpi":
Lianyi Wang Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Ardit Kero Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Flavia Capo Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Kledi Xhani  Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
“Detyrim paraqitje”
Doina Goga  Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Majlinda Thana Fshehja e të ardhurave
Matilda Ibraliu Fshehja e të ardhurave
Erton Ademaj Fshehja e të ardhurave

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • five company: 04/10/2025 15:19

    Post Scriptum: Ju nuk mund ta imagjinoni, revolten e atyre qytetareve qe paguan apartamentet dhe shtepite 169 $, ( 70 % e ndertimeve ne Tirane dhe Bregdet), me nje vlere qindra mijera €,$,£..Para te kursimeve, punes dhe familjareve te tyre. Ju nuk mund ta imagjinoni " eksplozivin e fshehur" te mashtrimeve, te mafias dhe krimit ( Capture) qe vepron ne Shqiperi dhe Albanian Development..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?