Bankers Petroleum, foto arkiv

Kronikë

Evazioni fiskal i 'Bankers'/ Prokuroria e Fierit shpall moskompetencë, dosja i kalon SPAK-ut për korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal

4 Tetor, 12:33| Përditesimi: 4 Tetor, 13:57

  • Share

Pas disa muajsh hetime, Prokuroria e Fierit ia ka kaluar dosjen e kompanisë "Bankers Petroleum" për kompetencë SPAK-ut. Burime për gazetaren e Report TV, Keti Banushi bëjnë me dije se gjatë këqyrjes së celularëve të sekuestruar nga grupi hetimor, janë evidentuar elementë të grupit të strukturuar kriminal, akuzë që hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Po ashtu ka indicie për përfshirje të zyrtarëve të lartë. Dosja ka kaluar dy ditë më parë në SPAK për korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Fierit ndërmori aksionin kundër Bankers më 2 Korrik pas një hetimi 6 mujor në bashkëpunim me Tatimet dhe Policinë, duke ekzekutuar 10 masa sigurie dhe shpallur në kërkim 4 të huaj. Ngriti 5 akuza në total: Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në, fshehje e të ardhurave, pastrim i parave, shpërdorim detyre dhe moskryerje e detyrave nga organet tatimore. 

Bankers akuzohet se krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht (gjatë periudhës 2004-2024) se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Prokuroria pretendon se kjo është realizuar përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, për të rezultuar me humbje në bilancet financiare dhe për të shmangur detyrimet fiskale. Përmes kësaj skeme, kompania jo vetëm që nuk ka paguar taksat, por ka përfituar edhe rimbursime të padrejta të TVSH-së, duke shkaktuar dëm financiar në miliona euro në buxhetin e shtetit.

Gjatë aksionit u vunë në pranga CEO kinez i Bankers Petroleum’, Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, të dy të akuzuar për skemë mashtruese me TVSH-në dhe evazion fiskal. Çobo dyshohet edhe për pastrim parash. Më 6 gusht, Apeli konfirmoi masat e arrestit me burg për Xiao dhe Çobon dhe ato shtëpiak për Lianyi Wang, Ardit Keron, Flavia Çapon, Kledi Xhanin. Masa e arrestit shtëpiak iu hoq Doina Gogës dhe u la në detyrim paraqitje për shkak të fëmijës 2-vjeçar. Në detyrim paraqitje janë edhe tre të tjerë: Majlinda Thana, Matilda Ibraliu dhe Erton Ademaj. 

Vetë kompania mohoi akuzat dhe u angazhua të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare për çështjen. Më 21 Korrik, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi nga Prokuroria që "t'i nxjerrë ujin e zi" ndërsa kujtoi edhe Arbitrazhin që fitoi qeveria me kompaninë duke thënë se i detyrohej 240 milionë euro.

Bankers Petroleum hyri në tregun shqiptar në vitin 2004, pas firmosjes së një marrëveshjeje me autoritetet shqiptare për shfrytëzimin e burimit më të madh naftëmbajtës në vend, atë të Patos Marinzës. 

“Arrest me burg”:
Leonidha Çobo Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në, pastrim parash
Hongping Xiao  Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
“Arrest në shtëpi":
Lianyi Wang Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Ardit Kero Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Flavia Capo Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Kledi Xhani  Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
“Detyrim paraqitje”
Doina Goga  Fshehja e të ardhurave, skema mashtruese me TVSH-në
Majlinda Thana Fshehja e të ardhurave
Matilda Ibraliu Fshehja e të ardhurave
Erton Ademaj Fshehja e të ardhurave

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?