Foto ilustruese

Elisa Spiropali: Evropa fati ynë, zgjedhje dhe zgjidhje

9 Maj 2022, 12:00| Përditesimi: 9 Maj 2022, 12:24

  • Share

Evropa është fat. Është zgjedhje dhe zgjidhje. Është më shumë se gjeografi dhe jo më pak se një ëndërr. Evropa është mohimi i një të shkuare të zymtë dhe historia e të ardhmes që pret ende të shkruhet. Për ne shqiptarët, Evropa nuk është qëllim në vetvete, por bindja se evropianizimi i Shqipërisë është fati ynë i shkruar, zgjedhja dhe zgjidhja, adresa ku na bashkon historia dhe përkatësia jonë shpirtërore.

E dalë nga tmerri i një lufte botërore që nisi në Evropë, atdheu i përbashët i Shekspirit dhe Da Vinçit, Gëtes dhe Hygoit, Servantesit dhe Kadaresë, shtetarët e saj të mëdhenj, kuptuan të vërtetën e madhe që bashkëjetesa dhe jo agresioni, heqja e kufijve dhe vendosja përfundimtare e kufirit për luftërat e mundshme, flamuri i përbashkët dhe krijimi i një hapësire unike për qytetarët që i bashkonte liria dhe dinjiteti njerëzor, ishin e vetmja rrugë për të nesërmen. Çelik për të ndërtuar dhe jo për tanke që përdoren kundër njëri-tjetrit, e bënë edhe njërin, edhe tjetrin vend të Evropës së Bashkuar më të mirë, më të fortë dhe më të begatë.

9 Maji, Dita e Evropës është rasti i lumtur për të kuptuar se paqja e fiton gjithmonë luftën! Ky është mesazhi i madh që jepet sot kur në kufijtë më Lindorë të Evropës ka sërish bomba e raketa, tanke dhe tmerr që derdhen mbi një vend sovran, mbi gra e fëmijë dhe mbi luftëtarët e lirisë.

Ata që luftojnë në emër të të drejtës së një kombi për mbijetesë ndaj nazizmit të një udhëheqësi që jeton në të shkuarën, janë rimishërimi i atyre që po në nëntë maj të 77 vjetëve më parë, çliruan njerëzimin nga tragjedia e luftës. Sot në Ukrainë luftohet për të nesërmen e Evropës dhe gjithë botës. Ndaj sot Evropa është më e fortë se dje si ide, si zgjedhje dhe zgjidhje. Ne, kombi i Gjergjit të Madh, jemi sot krenarë për frymëzimin tonë euroatlantik, pjesë e një Evrope që pret të bëhet një e tërë, nga bregu i Atlantikut në Mariupol, nga Artiku në Adriatik.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?