Foto ilustruese

Bota

Evropa Jugore, përvëlohet nga vala e të nxehtit! Alarm për zjarre

30 Qershor, 10:54| Përditesimi: 30 Qershor, 13:33

  • Share

Valët e mëdha të të nxehtit në të gjithë Evropën Jugore kanë çuar temperaturat mbi 40°C në vende të ndryshme duke përfshirë Italinë, Spanjën dhe Greqinë, ku autoritetet lokale lëshuan paralajmërime të reja kundër rrezikut të zjarreve. Ekspertët e lidhin frekuencën dhe intensitetin në rritje të këtyre valëve të të nxehtit me ndryshimet klimatike, duke paralajmëruar se ngjarje të tilla ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në rajonin jugor të Evropës. Temperatura ekstreme u regjistruan në Itali, Greqi, Spanjë dhe Portugali para fundjavës, me vendasit dhe turistët që kërkuan strehim nga i nxehti.

Italia dhe Portugalia përvëlohen nga vapa mbi 40°C

Dy të tretat e Portugalisë ishin në gatishmëri të lartë të dielën për vapë ekstreme dhe zjarre, me temperatura që pritej të arrinin 42°C në Lisbonë. Në Itali, disa rajone, Lacio, Toskana, Kalabria, Puglia dhe Umbria, po planifikonin të ndalonin disa aktivitete pune në natyrë gjatë orëve më të nxehta të ditës në përgjigje të temperaturave rekord të larta. Sindikatat italiane e shtynë qeverinë të zgjeronte masa të tilla në nivel kombëtar. Të dielën, Ministria Italiane e Shëndetësisë vendosi 21 nga 27 qytete të monitoruara nën alarmin e saj më të lartë për shkak të vapës, duke përfshirë destinacionet kryesore turistike si Roma, Milano dhe Napoli. Në Romë, turistët u përpoqën të kërkonin hije pranë vendeve të njohura si Koloseu dhe Shatërvani i Trevit, duke përdorur çadra dhe duke pirë ujë nga burimet publike për të qëndruar të freskët. Skena të ngjashme u raportuan në Milano dhe Napoli, ku shitësit ambulantë u shisnin limonata turistëve dhe banorëve për të ofruar pak freski nga vapa.

Spanja rekord në qershor

Në Spanjë, vendasit dhe turistët u përpopqën në dëshpërim të qëndronin freskët këtë fundjavë, ndërsa vendi përvëlonte nga temperatura deri në 42°C në qytetin jugor të Seviljes, së bashku me vende të tjera në pjesët jugore dhe qendrore të vendit. Rajonet jugore të Spanjës regjistruan temperatura mbi mesataret sezonale, duke nxitur alarme shëndetësore dhe rekomandime sigurie nga autoritetet. Shërbimi kombëtar meteorologjik i vendit Aemet ka thënë se qershori pritet të thyejë një tjetër rekord, duke u bërë muaji më i nxehtë i tillë që nga fillimi i regjistrimeve.

Greqia është në gatishmëri të lartë për zjarre

Greqia ishte përsëri në gatishmëri të lartë për zjarre për shkak të motit ekstrem, me valën e parë të nxehtësisë së verës që vazhdoi gjatë të gjithë fundjavës. Një zjarr i madh shpërtheu në jug të Athinës të enjten, duke detyruar evakuime dhe mbyllje rrugësh pranë Tempullit të lashtë të Poseidonit. Erërat e forta përhapën flakët, duke dëmtuar shtëpitë dhe duke dërguar tym në të gjithë qiellin. Autoritetet greke vendosën 130 zjarrfikës, 12 aeroplanë dhe 12 helikopterë për të luftuar flakët, ndërsa policia evakuoi 40 persona, me pesë zona nën urdhër evakuimi. 

Rreziqet shëndetësore nga nxehtësia rekord

Ekspertët paralajmëruan se nxehtësia intensive mund të ndikojë në jetën e përditshme, veçanërisht për popullatat vulnerabël si të moshuarit dhe fëmijët. Autoritetet lokale këshilluan kundër aktivitetit fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe rekomanduan pirjen e shumë lëngjeve. Një studim i Lancet Public Health i botuar vitin e kaluar theksoi rrezikun në rritje të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë për shkak të ndryshimeve klimatike. Studimi parashikoi se vdekjet e lidhura me nxehtësinë mund të katërfishohen deri në mesin e shekullit sipas politikave aktuale klimatike. Ndërsa më shumë njerëz vdesin nga të ftohtit sesa nga nxehtësia, studimi theksoi se rritja e temperaturave do të kompensojë përfitimet e dimrave më të butë, duke çuar në një rritje të konsiderueshme neto të vdekshmërisë së lidhur me nxehtësinë.//AP/ Euronews

A.I/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • beni: 30/06/2025 14:50

    PERDORIMI I PERDITSHEM I MAKINAVE..KA SJELLE NGROHJEN FLOBALE..LINI MAKINAT PA PERDORUR TRE DITE NE JAVE....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?