Europa është në flakë. Dhe nuk është surprizë: temperatura që në shumë zona të Kontinentit po i kalojnë 40 gradët, mungesë reshjesh prej javësh, erëra të nxehta që ushqejnë dhe “shëtisin” zjarrin. Edhe vera e vitit 2025, si dhe më shumë se ato që e kanë paraprirë, ka bashkuar të gjithë përbërësit e nevojshëm për përhapjen e zjarreve pyjore. Bilanci i orëve të fundit është dramatik dhe, duke pasur parasysh parashikimet e motit, rrezikon të përkeqësohet në ditët në vijim.
Dje fronti i flakëve shtrihej nga Portugalia deri në Turqi, duke kaluar nga Spanja, Franca dhe Greqia. Mijëra zjarrfikës dhe ushtarë janë angazhuar për të kufizuar dëmet. Megjithatë, numërohen disa viktima. Në periferi të Madridit, një punonjës i një stalle kuajsh humbi jetën bashkë me disa nga kuajt që po përpiqej t’i shpëtonte. Një tjetër viktimë u regjistrua në Shqipëri, ndërsa në Mal të Zi një ushtar humbi jetën dhe një tjetër mbeti rëndë i plagosur nga përmbysja e autobotit që përdorej për shuarjen e flakëve.
Në disa rajone të gadishullit Iberik temperaturat arritën deri në 44 gradë; në Tarifa mbi 2000 persona u evakuuan dhe qeveria spanjolle mobilizoi 1000 ushtarë për t’u ardhur në ndihmë zjarrfikësve, të cilët vetëm dje, në Kastile, u përballën me 32 vatra të reja zjarri. Kryebashkiaku i Vila Real në Portugali, Alexandre Favaios, i tha Reuters: “Po digjemi të gjallë, nuk mund të vazhdohet kështu”. Përreth qytetit të tij, një zjarr ka përpirë vegjetacionin prej dhjetë ditësh, ndërsa dy zjarre të tjera të mëdha mbajnë të angazhuar 1300 zjarrfikës portugezë. Ndërkohë, në Greqi vazhdon beteja e 4.850 zjarrfikësve, të mbështetur nga 62 mjete ajrore, për të vënë nën kontroll flakët në Peloponez, në jug të Patrasit, në ishullin Hio, në Egjeun verior dhe në veri të Prevezës, në Epir.
Përballë një bilanci të tillë, lind pyetja nëse emergjenca e zjarreve po përkeqësohet vit pas viti si pasojë e krizës klimatike. “Të dhënat e përditësuara më 22 korrik 2025 tregojnë se në BE janë djegur 237.153 hektarë, me një rritje prej gati 78% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thekson studiuesja greke Ioanna Stamataki, inxhiniere hidraulike në Universitetin e Greenwich. “Numri i zjarreve është rritur me rreth 45% krahasuar me vitin 2024 dhe emetimet e CO₂ janë rritur me 23%”.
Në nivel global, sipas të dhënave të mbledhura dhe analizuar nga NASA, frekuenca e zjarreve më ekstreme është më shumë se dyfishuar në dy dekadat e fundit. Një studim ndërkombëtar i publikuar në revistën Nature Climate Change parashikon se deri në fund të shekullit, sipërfaqja totale e djegur mund të rritet me 40% edhe në një skenar optimist të uljes së ndotjes nga karboni, ndërsa në rast të mungesës së shkurtimit të emetimeve, ajo do të dyfishohet.
Për lidhjen mes ngrohjes globale dhe rritjes së rrezikut nga zjarret, shkencëtarët kanë pak dyshime: emetimet e gazrave serrë nga djegia e lëndëve fosile e kanë ngrohur planetin me rreth 1,3 °C. Një “temperaturë” që krijon kushte të gjata të të nxehtit dhe që i kthen pyjet e kullotat në 'fuçi me barut'. Në Mesdhe, ku temperatura është rritur më shumë se gjetkë, ngrohja po nxit gjithashtu periudha të gjata thatësire. E gjitha “karburant” për flakët.
Përtej pasojave të menjëhershme dramatike (viktima njerëzore, humbje të bimësisë dhe biodiversiteti, shkatërrim banesash dhe infrastrukturash…) përhapja e zjarreve pyjore (krahasuar me frekuencën e tyre “natyrale”) ka pasoja serioze në afat mesatar dhe të gjatë. “Zjarret e bëjnë për shembull territorin më të prekshëm ndaj përmbytjeve”, shpjegon Stamataki. “Zonat e djegura reagojnë shumë më shpejt ndaj reshjeve, pasi ka më pak vegjetacion që ngadalëson rrjedhën e ujit. Zjarret pyjore ndryshojnë edhe strukturën e tokës, duke e bërë shpesh hidrofobike. Kjo do të thotë se një sasi më e madhe uji rrjedh në sipërfaqe, rritet erozioni dhe duhet më pak shi për të shkaktuar një përmbytje”.
Ka edhe alarmin për tymrat. Këtë e dinë mirë banorët e qyteteve të mëdha në veri të Shteteve të Bashkuara, ajri i të cilëve këto ditë është bërë i papërballueshëm për shkak të pyjeve kanadeze në flakë. Ka ndërhyrë edhe Organizata Botërore Meteorologjike, duke paralajmëruar se zjarret pyjore dhe cilësia e dobët e ajrit po përkeqësonin efektet negative të të nxehtit ekstrem mbi shëndetin./La Repubblica
Komente
