GJERMANI- “Deri në fund të dimrit pothuajse të gjithë gjermanët do të vaksinohen, shërohen ose do të humbin jetën nga COVID-19”, kjo ka qenë deklarata e fortë e ministrit të Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn, teksa një valë e re e virusit ka përfshirë vendin.
Në 24 orët e fundit më shumë se 30 mijë raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në Gjermani, dyfishi i shifrave qe u regjistruan javën e kaluar. Spitalet kanë paralajmëruar se kapacitetet janë pothuajse të shteruara, me disa pacientë që duhet të transferohen në klinika të tjera.
Ministri i Shëndetësisë i bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen, duke i shtyrë të marrin edhe dozën përforcuese për një mbrojtje më të fuqizuar ndaj COVID-19, për të ulur mundësinë e përjetimit të një forme të rëndë të virusit.
“Varianti delta është shumë ngjitës. Kjo është edhe arsyeja përse e rekomandojmë kaq urgjentisht bërjen e dozës përforcuese”, ka thënë ai.
BE do të fillojë dërgimin e vaksinave të përshtatura për fëmijët më të vegjël më 20 dhjetor, me Gjermaninë që fillimisht do të marrë 2.4 milionë doza, tha Spahn.
Evropa është përfshirë nga një valë agresive e COVID=19, duke bërë që shumica e shteteve të ndërmarrin masa të reja shtrënguese për të mbajtur nën kontroll pandeminë. Megjithatë siç kemi parë, qeveritë që kanë vendosur sërish karantinën, protesta kundërshtuese kanë shpërthyer.
Ndërsa jemi në prag të festave vendet pritet të forcojnë sërish masat anti-COVID, para se situata të bëhet edhe më alarmante.