Avionë luftarakë, foto arkiv

Bota

Evropa, Rusia dhe shpenzimet ushtarake: Kostoja (e domosdoshme) e mbrojtjes

13 Shtator, 14:36| Përditesimi: 13 Shtator, 14:51

  • Share

A mos vallë Europa shpenzon tashmë mjaftueshëm për mbrojtjen, më shumë se Rusia, dhe prandaj nuk është e nevojshme që të investojë sërish në plane riarmatimi, siç nga shumë anë, nga e djathta dhe e majta, pohohet? Le të përpiqemi për një çast të rilexojmë stërvitjen luftarake që sapo ka ndodhur në qiellin europian si një regjistër kontabël. Nga gjysmë mijëra dronët rusë që sulmuan Ukrainën natën mes të martës dhe të mërkurës, nëntëmbëdhjetë vazhduan rrugën e tyre deri në Poloni. Ishin modele të derivuara nga Shahed iranianë, me variante të zhvilluara falë përvojës së tre vjetëve e gjysmë sulmesh. Kostoja e prodhimit të tyre, me shumë gjasa, varion mes njëzet mijë dhe pesëdhjetë mijë euro secili.

Por për të përmbajtur atë kërcënim prej më pak se një milion eurosh, vendet e NATO-s — vetë Polonia, Holanda dhe Italia — kanë vendosur një forcë ajrore të përbërë nga Awacs prej treqind milionë dollarësh me radarë rrotullues dhe sensorë të avancuar për komandë dhe kontroll, F-35 prej të paktën njëqind milionë dollarësh dhe, sipas dukjes, edhe F-22 prej 350 milionë dollarë secili. Burime ndoshta mbi një miliard përballë një kërcënimi mijëra herë më pak të kushtueshëm. Për më tepër, nga fjalët e Donald Tusk, kryeministri polak, është kuptuar se forcat e NATO-s nuk i kanë rrëzuar të gjithë dronët rusë, por vetëm "ata që përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë" (me gjasë tre ose katër). Moska e bëri edhe për të marrë, me shpenzim të vogël, një ide më të qartë mbi funksionimin e protokolleve të mbrojtjes ajrore të NATO-s.

Por mësimi i nxjerrë qëndron pikërisht në asimetrinë e buxhetit: në luftën moderne, sistemet e sulmit - nga dronët te raketat kruz e deri te raketat balistike - kushtojnë një pjesë shumë më të vogël se sistemet e mbrojtjes. Një bateri antiraketë Patriot amerikanë ose Samp-T italo-francezë mund të kushtojë jo më pak se një miliard euro (në skenarin më të mirë), por mund të ndalojë raketa që kushtojnë edhe disa mijëra ose dhjetëra mijëra euro. 

Krahasimi

Buxhetet e mbrojtjes nuk do të jenë kurrë një shkencë e saktë. Por pikërisht për këtë fakti që Europa sot ka një shpenzim ushtarak (në letër dhe në terma absolutë) më shumë se dyfishin krahasuar me Rusinë, nuk do të thotë aspak se është i tepërt, dhe ndoshta as i mjaftueshëm si pengesë ndaj kërcënimit. Mbi shifrat e shpenzimit europian për mbrojtjen po zhvillohet prej muajsh një betejë e veçantë për të fituar opinionin publik. Nëse mund të provohet që është më i lartë se shpenzimi ushtarak i Rusisë, ka nga ata që nxjerrin përfundimin se kërcënimi i paraqitur nga ekspansionizmi i Moskës do të dilte për ndonjë arsye i zvogëluar, gati sikur Putini të dilte si një David që lufton me fishek kundër Goliath-it europian; megjithëse në njëzetepesëvjeçarin e tij në pushtet Rusia ka qenë për nëntëmbëdhjetë vjet e angazhuar në një ose më shumë konflikte të armatosura njëkohësisht (Çeçeni, Gjeorgji, Siri, Ukrainë).

Le të lëmë mënjanë vlerën morale të këtyre tezave, të mbrojtura ndërkohë që "cari" tallet përditë me çdo propozim për negociata dhe armëpushim, dhe madje përfiton nga pasiguritë e Trump për të lëshuar sulme të paprecedenta kundër civilëve dhe qyteteve ukrainase, duke nisur nga Kievi, kryeqyteti që tre vjet më parë nuk arriti ta pushtonte. Duket se armë ka mjaftueshëm për të mbjellë vdekje dhe shkatërrim.

Ne duam më shumë të përpiqemi të rrëzojmë supozimet e pavërteta të këtij arsyetimi dhe të bëjmë qartësi mbi të dhënat. Para së gjithash krahasimet në shifra absolute mes një vendi si Rusia, që ka një produkt të brendshëm bruto njëmbëdhjetë herë më të ulët se ai i Bashkimit Europian, dhe një popullatë tri herë më të vogël, mund të dalin mashtruese. Kuota e PBB-së për frymë e destinuar për mbrojtjen është ajo që përcakton vokacionin luftarak të një kombi. Të thuash se Europa shpenzon më shumë se Rusia për armë është si të thuash se SHBA shpenzojnë më shumë për mirëqenie se Suedia: në terma absolutë është natyrisht e vërtetë, por pohimi është i rremë.

Buxheti

Le të shohim numrat e thjeshtë. Nëse me të vërtetë qeveritë e Bashkimit Europian do të shpenzonin këtë vit 2% të produktit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtjen, bilanci i tyre ushtarak do të ishte rreth 381 miliardë euro. Nëse këtë vit do të arrinin të respektonin angazhimin e NATO-s për një shpenzim prej 5%, do të ngjiteshin në nëntëqind miliardë euro (afati është caktuar për pas dhjetë vitesh). Rusia në vend të saj ka një bilanc ushtarak prej rreth 8% të produktit të saj të brendshëm bruto, në ekuivalentin e rreth 150-160 miliardë euro.

Pse kjo duhet të na shtyjë sidoqoftë të investojmë edhe më shumë në siguri? Aspekti i parë për t’u marrë në konsideratë, përveç asimetrisë së kostove mes mbrojtjes dhe sulmit të përshkruar më parë, është në buxhetet e investimeve efektive. Pagesa e pensioneve të rezervistëve (ose, nëse do të kishim arritur, financimi si shpenzim indirekt për NATO i Urës mbi Ngushticën e Messinës) hyn sidoqoftë në bilanc, por nuk rrit kapacitetet e mbrojtjes. Në fakt buxhetet për investime në industrinë e mbrojtjes vetë vitin e kaluar në Bashkimin Europian ishin 106 miliardë euro: më pak se një e treta e totalit.

Forca goditëse

Sa i përket Rusisë, nuk dihet. Por shoqëria e konsulencës Bain & Company vlerëson në një raport se në vitin 2024 fabrikat ruse kanë arritur të prodhojnë 4,5 milionë predha artilerie (zakonisht të kalibrit 152 milimetra) me një kosto mesatare prej rreth një mijë dollarë copa. Ndërkohë, në të njëjtin vit, Europa dhe Shtetet e Bashkuara së bashku do të kishin prodhuar 1,3 milionë predha (zakonisht 155 milimetra) me një kosto prej katër mijë dollarësh copa, me kulme deri në pesë mijë dollarë.

Sasia e forcës goditëse ushtarake të prodhuar me të njëjtin shpenzim, në Rusi dhe në Europë, nuk është pra e njëjtë. Si është e mundur një raport kostoje nga një në katër? Në pjesë cilësia nuk është gjithmonë e krahasueshme. Por mbi të gjitha impiantet historike ruse të Uralvagonzavod (me dhjetëra mijëra predha në muaj), të Tula apo të Kurganmashzavod punojnë në kushte krejtësisht të ndryshme. Kremlini prej vitesh ka kaluar në një ekonomi lufte. Rusia prodhon çelikun, hekurin dhe energjinë që fabrikat e saj të armëve mund t’i marrin me çmime kostoje: një fraksion i atyre perëndimore.

Ka më në fund një provë se përpjekja europiane shërben për diçka. Ndërmarrja perëndimore që po rrit më shumë prodhimin e artilerisë është gjermania Rheinmetall. Këtë vit do të prodhojë 350 mijë copë në impiantet e saj në Unterlüss. Vitin e kaluar shërbimet gjermane kanë bllokuar një plan për të vrarë administratorin e saj të deleguar Armin Papperger. Ishte i rusëve.

Në realitet polemika mbi shifrat e shpenzimeve ushtarake është për përdorim të brendshëm. Shërben vetëm për të mbështetur se rritja e investimeve për mbrojtjen e kërkuar nga NATO dhe e vendosur nga Bashkimi Europian nuk është e justifikuar. Dhe pjesërisht duket se arrin objektivat e saj. Konfuzioni politik është në fakt aq i madh sa disa ditë më parë, në Parlamentin italian, as shumica që mban qeverinë dhe as opozita që e kundërshton, nuk arritën të prodhojnë një mocion të përbashkët mbi riarmatosjen europiane. Një heshtje në gjumë, ndërkohë që flasin armët./Corriere della sera 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, si e vlerësoni?