Politikë

LIVE- Evropa ‘zbret’ në Tiranë! Mbahet sot Samiti i Komunitetit Politik, Rama pret liderët! Kallas: Shqipëria, progres të shkëlqyer me reformat

16 Maj, 07:08| Përditesimi: 16 Maj, 10:29

  • Share

Kryeministri Edi Rama po pret liderët që marrin pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Samiti mbahet në Sheshin Skënderbej, dhe ku marrin pjesë 47 liderë së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta ndërkombëtare.

I pari që mbërriti ishte kryeministri i Holandës Dick Schoof, më pas presidentja moldave Maya Sandu. Priti edhe kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, shefen e diplomacisë të BE, Kaja Kallas dhe kreun e NATO-s Mark Rutte. 

Rama priti më herët në kryeministri dhe mbajti takim me  kreun e NATO-s Mark Rutte, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez.

Parashikohet që kryeministri të mbajë takime edhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos Albertin II; Kancelarin e Austrisë Christian Stocker; Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Hollandës Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare.

Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.

Punimet e samitit do të përmbyllen me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Diskutimet e samitit do të strukturohen në tryeza të larta tematike:

Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane. 

Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.

Sesioni i tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.

Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar për herë të parë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian më 9 maj 2022, me qëllim nxitjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit për çështje të interesit të përbashkët, si dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies në kontinentin evropian.

Mbajtja e Samitit përfaqëson një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi. Samiti i Tiranës zhvillohet gjithashtu në një moment vendimtar për Evropën, teksa kontinenti përballet me tensione në rritje në nivel global. Kërcënimet hibride, vështirësitë ekonomike dhe fragmentimi teknologjik po vënë në provë qëndrueshmërinë demokratike dhe nënvizojnë nevojën urgjente për një përgjigje më të koordinuar dhe të bashkuar evropiane.

AXHENDA E PLOTË E SAMITIT
10:00 – Mbërritje 
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministren e Danimarkës (pritesi i radhës)

Ora 10:24
VIDEOLAJM/ Samiti në Tiranë, Rama: Shiun në kryeqytet e sollën anglezët

 

Kryeministri Edi Rama teksa po priste liderët që marrin pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, nuk la mënjanë as batutat e tij me gazetarët.

“Shiun e sollën anglezët”, dëgjohet të thotë njëri prej gazetarëve, ndërsa Rama e pohon fjalën e tij duke thënë ‘Po po me shi me vete'.

Edhe dje, kryeministri Rama në konferencën e përbashkët me Keir Starmer nuk i kurseu batutat me gazetarët britanikë.

“Gazetarë të nderuar të huaj, shijojeni Tiranën, po luftojmë që nesër të ketë mot shqiptar e jo mot Londre. Nëse do ketë shi, fajin e keni ju”, tha Rama.

Ora 10:22
Kallas në Tiranë: Shqipëria ka bërë progres të shkëlqyer me reformat, të gjithë anëtarët e BE duan që Unioni të zgjerohet tani

 

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, tha nga Sheshi Skënderbej në Tiranë se Shqipëria ka bërë progres të shkëlqyer me reformat dhe Unioni është serioz në qëllimin për t’u zgjeruar në kontinent e kryesisht në Ballkan.

“Po mendoj që Shqipëria po bën një progres të shkëlqyer për reformat, ne duam reformat sundimin e ligjit, ato që janë të nevojshme dhe kështu dhe për ne edhe nga ajo anë, nga ana e Europës duhen bërë hapat e duhur, ka një moment politik që të gjithë duan që procesi i zgjerimit të ndodhë, kjo nuk ka ndodhur më pare”,- tha Kallas për gazetarët në Tiranë.

E pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, shefja e diplomacisë së Unionit tha se pret normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Pak më parë kemi emëruar përfaqësuesin e ri të posaçëm për dialogun dhe presimnormalizimin e marrëdhënieve”,- tha Kallas.

Gjithashtu, ajo njoftoi se BE ka përgatitur paketën e 17 të sanksioneve për Rusinë, të cilët do ta shpallë dhe zbatojë së shpejti.

“E kemi paketën, gjithashtu po mendojmë për paketën tjetër, kemi sanksionet për Rusinë. Në këtë drejtim duhet të jemi të gjithë të bashkuar, sepse shohim se Rusia nuk do paqe”,-tha Kallas.

Ora 10:19
Rutte: Putin gaboi duke dërguar delegacion të nivelit të ulët në Turqi, s’do të marrë më asnjë kilometër të Ukrainës

 

Kreu i NATO-s Mark Rutte, para hyrjes së samitit në sheshin “Skënderbej’, foli për situatën Rusi-Ukrainë.

“Ukraina të ketë çfarë i duhet për të qëndruar dhe për t’i dhënë fund me anë një paqeje afatgjatë. Putin duhet të kuptojë se pas një marrëveshje paqeje s’do të ketë mundësi të sulmojë dhe aneksojë territore të tjera të Ukrainës. Mendoj se Putin ka bërë gabim duke dërguar delegacion të nivelit të ulët në këtë takim. Tani topi është në fushën e tij, duhet të tregojë serioz për paqen që kërkojmë.

Ai e kupton situatën, ne kemi negociuar shumë kur isha kryeministër i Holandës, e di se është në telashe se ka gabuar duke dërguar delegacion të nivelit të ulët. Ukrainasit u ulën në tavolinë, dërguan një delegacion që është i gatshëm dhe tani është momenti për t’i dhënë fund këtij ngërçi dhe për të arritur një marrëveshje të rëndësishme. Putin nuk do të përpiqet më të aneksojë edhe një milje apo km tjetër nga Ukraina.”, u shpreh Rutte.

Ora 09:31
Samiti në Tiranë/ Rama pret Sanchez: Diskutuam për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mbështetjen ndaj rrugës tonë evropiane  

 

Pas kreut të NATO-s, kryeministri Edi Rama ka pritur në kryeministri edhe homologun spanjoll Pedro Sanchez. Rama thotë se diskutuan për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për integrimin evropian të vendit tonë.

“Kryeministria - Me kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez, një takim miqësor e i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Spanjës, bashkëpunimin ekonomik, dhe mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për integrimin europian të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Ora 09:15
Nga Meloni, Macron, Merz, Starmer, Zelensky te kreu i NATO-s/ Kush janë liderët që marrin pjesë në samitin që mbahet në Tiranë

47 liderët e vendeve evropiane si dhe 5 drejtues të institucioneve të larta do të marrin pjesë sot në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që pritet të nisë në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”.

Kryeministri britanik Keir Starmer mbërriti në Tiranë një ditë më parë, ku edhe zhvilloi një vizitë zyrtare, e para e një lideri britanik në vendin tonë. Disa liderë mbërritën gjithashtu dje. Ndërkohë, sot mbërrijnë edhe të tjerët. Pak më parë kryeministri Rama priti edhe shefin e NATO-s, Mark Rutte.

Liderët dhe zyrtarët që do të marrin pjesë:
    1.   San Marino – Luca Beccari (Ministër i Jashtëm)
    2.    Moldavia –Maia Sandu (Presidente)
    3.    Holanda – Dick Schoof (Kryeministër)
    4.    Islanda – Kristrún Mjöll Frostadóttir (Kryeministër) 
    5.    Spanja – Pedro Sánchez (Kryeministër)
    6.    Andorra – Xavier Espot Zamora (Kryeministër) 
    7.    Armeni – Nikol Pashinyan (Kryeministër) 
    8.    Austria – Christian Stocker (Kancelar)
    9.    BE  Kaja Kallas (Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme)
    10.    Belgjika – Bart De Wever (Kryeministër)
    11.    Bullgaria – Rosen Zhelyazkov (Kryeministër)
    12.    Bjellorusia – nuk përfaqësohet zakonisht në EPC, ndoshta përmes opozitës
    13.    Këshilli i Evropës – Alain Berset (Sekretari i Përgjithshëm)
    14.    OSBE – Feridun Sinirlioğlu (Sekretare e Përgjithshme)
    15.    Estonia – Kristen Michal (Kryeministër)
    16.    Finlanda – Petteri Orpo (Kryeministër)
    17.    Gjeorgjia – Irakli Kobakhidze (Kryeministër) 
    18.    Letonia – Evika Siliņa (Kryeministre)
    19.    Lihtenshtajni – Brigitte Haas (Kryeministër)
    20.    Luksemburgu – Luc Frieden (Kryeministër) 
    21.    Malta – Robert Abela (Kryeministër)
    22.    Hungaria – Viktor Orbán (Kryeministër)
    23.    Polonia – Donald Tusk (Kryeministër)
    24.    Danimarka – Mette Frederiksen (Kryeministre) 
    25.    NATO – Mark Rutte (Sekretar i Përgjithshëm)
    26.    Sllovakia – Robert Fico (Kryeministër)
    27.    UK – Keir Starmer (Kryeministër)
    28.    Azerbajxhani – Ilham Aliyev (President)
    29.    Greqia – Konstantinos Tassoulas (Presidenti)
    30.    Bosnja & Hercegovina – Zeljka Cvijanoviç (Presidente)
    31.    Qipro – Nikos Christodoulides (President) 
    32.    Lituania – Gintautas Paluckas (Kryeministre)
    33.    Norvegjia – Jonas Gahr Store (Kryeministër)
    34.    Suedia – Ulf Kristersson (Kryeministër)
    35.    Kosova – Vjosa Osmani (Presidente)
    36.    Maqedonia e Veriut –Hristijan Mickoski (Kryeministër)
    37.    Mali i Zi – Jakov Milatović (Kryeministër) 
    38.    Rumania –Ilie Bolojan (Presidenti)
    39.    Serbia – Aleksandar Vuçiç (President)
    40.    Zvicra – Keller-Sutter Karin (Presidenti e Konfederatës) 
    41.    Gjermania –Friedrich Merz (Kancelar)
    42.    Presidentja e Parlamentit BE – Roberta Metsola
    43.    Princi i Monakos – Albert II
    44.    Çekia – Petr Fiala (Kryeministër)
    45.    Sllovenia – Robert Golob (Kryeministër) 
    46.    Kroacia – Andrej Plenković (Kryeministër)
    47.    Ukraina – Volodymyr Zelenskyy (President)
    48.    Presidentja e Komisionit BE – Ursula von der Leyen
    49.    Presidenti i Këshillit Evropian – António Costa
    50.    Turqia – Recep Tayyip Erdoğan (President)
    51     Italia Giorgia Meloni (Kryeministre)
    52.    France, Emmanuel Macron (President) 
Ora 09:04
Samiti në Tiranë, Rama pret në kryeministri kreun e NATO-s: Diskutuam për forcimin e rolit të Shqipërisë në aleancë

 

Kryeministri Edi Rama ka pritur kreun e NATO-s, Mark Rutte, i cili ka mbërritur në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Teksa ka ndarë momentin kur shefi i NATO-s mbërrin në kryeministri, Rama shprehet se ishte kënaqësi të priste Rutten, me të cilin kanë biseduar për forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në aleancë, kontributin e vendit si edhe sigurinë në rajon.

“Kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin tonë aktiv në NATO”, shkruan Rama.

 

 

Ora 08:21
Samiti në Tiranë, Rama ndan pamjet nga 'Shtëpia e Evropës': Do të mbajë sytë e gjithë bota

1747375977_sheshiskenderbej.JPG

Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga "Shtëpia e Evropës" në sheshin Skënderbej, ku do të presë 47 liderët evropianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

"Mirëmëngjes dhe me Shtëpinë e Europës, krijuar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, ku sot ka zbritur e gjithë Europa e ku do të mbajë sytë e gjithë bota, ju uroj një ditë të mbarë", shkruan Rama.


 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se qeveria Rama 4 do të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?