Ky është lumi Osum që ka marrë ngjyrën e bardhë dhe aromën e rëndë të ndotjes që shkaktohen fabrika e lëkurës në fshatin Vodicë të Poliçanit. Mbetjet shkarkohen gjatë natës në lumë, ndërsa banorët ankohen se përpos aromës së keqe, uji është i dëmshëm për bujqësinë e blegtorinë.
"Vjen erë e keqe. Lumi bëhet shkumë, punon më shumë natën, vjen era e lëkurave. Gjithmonë i çojmë fëmijët në spital për probleme me frymëmarrjen", thanë banorët .
Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Dritan Metaj tha gjatë kontrollit të ushtruar në mënyrë të befasishme subjekti "Kici Qytyku Sh.p.k" nuk ishte në punë e për pasojë nuk kanë marrë asnjë masë administrative.
"Subjekti e ka impiantin e filtrimit, por do parë (konstatuar) nëse e vë në punë apo jo këtë impiant. Grupi i inspektimit kontrolloi gropat septike, por fabrika po punonte kur shkuan inspektorët. Ju la detyrë të dorëzojë pranë ARM raportin 6 mujor të vetë- monitorimit", tha Dritan Metaj kryeinspektor i ARM
Sipas tij, Agjencia e Mjedisit nuk ka aparatura dhe as staf të kualifikuar për matjen dhe evidentimin e saktë të faktorëve ndotës që shkaktojnë shkumën dhe aromën në lumin Osum.
"Duke qenë se lumi Osum është pika fundore e shkarkimit të ujërave të bardha e të zeza të Bashkisë dhe subjekteve private, kërkojmë nga ATM inspektim për matjen e instrumenteve të faktorëve ndotës, duke qenë se ARM Berat nuk ka pajisje dhe as staf të kualifikuar për matjen e nivelit ndotës", u shpreh Metaj.
Kjo fabrikë e ndërtuar 20 vite më parë funksionon me leje mjedisore që është rinovuar një vit më parë nga Ministria e Mjedisit. Fabrika duhet të ketë impiante nëntokësore për shkarkimin e mbetjeve të përpunimit të lëkurave por kreu i Agjencisë së Mjedisit tha se nuk ka dijeni për funksionimin e tyre.