TIRANË- Turku Ozkan Sulun, i vënë në pranga, ishte truri që organizonte në Shqipëri, aktivitetin e paligjshëm të mallrave kontrabandë dhe tregimin e veshjeve me logo të markave luksoze ndërkombëtare, por që në të vërtetë ishin imitime.
Ai siguronte kryesisht në Turqi lëndën e parë, veshje apo edhe copa të sjella kontrabandë në Shqipëri. Të gjitha magazinoheshin në 2 fabrika në fshatin Brar të në periferi të Tiranës.
Punonjëse të padeklaruara te organet tatimore, kishin në dispozicion të gjitha makineritë për të nisur nga puna. Jo vetëm qepnin veshjes. Në këto fabrika edhe printoheshin logot e bandeve të huaja që më tej të stampoheshin në veshje si të ishin origjinale.
Këto produkte, imitim i mirëfilltë, shiteshin me shumicë në tregun vendas, në Tiranë e qytete të ndryshme të Shqipërisë , e madje ka dyshime se kanë kaluar edhe në vende të Rajonit.
Bashkëadministratorë në njërën nga fabrikat ishte edhe Luan Haka ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e kaluara parlamentare nën logon e PD, dhe djali i tij Lindon Haka, i cili u arrestua së fundi. Në operacionin e koduar “Fake Star 5”, policia arrestoi edhe administratorët e fabrikës tjetër, Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, si dhe qiradhënësin e godinave.
Ky është rasti i parë që veshje të falsifikuara, prodhohen nga e para në fabrika të ngritura enkas me makineri qepëse dhe pajisje printimi të stampave të markave.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
