Ambasadori i Italisë në vendin, Fabrizio Bucci, ka zhvilluar sot paradite një takim pranë Akademisë së Sigurisë për të përshëndetur 28 pjesëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të angazhuar në veprimtari stërvitore.
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook të ambasadës italiane thuhet se ambasadori uroi nga ana e tij hetuesit për strukturën e re, i shoqëruar nga Drejtuesi i Projektit PAMECA V dhe një përfaqësues i Zyrës për Sigurinë pranë Ambasadës, së bashku me drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja dhe drejtuesen e BKH-së, Aida Veizaj Hajnaj si edhe Drejtorin e Akademisë, Bilbil Mema.
Autoritetet e sipërpërmendura do të marrin pjesë, në Romë, në një javë të ngjeshur formimi, të financuar e të organizuar nga Projekti i BE-së i drejtuar nga Italia, PAMECA V, nën kujdesin e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale dhe Drejtorisë Hetimore të Antimafias pranë Departamentit të Sigurisë Publike të Italisë.
Ambasadori Bucci përmendi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh mes të dy Vendeve në sektorin e policisë kriminale dhe të bashkëpunimit gjyqësor, duke vënë theksin në rezultatet e shkëlqyera të arritura në ndalimin dhe arrestimin e personave në kërkim si dhe në veprimtaritë e përbashkëta përmes mekanizmit të skuadrave të përbashkëta (JIT joint investigation teams).
Prokurori Kraja dhe Drejtuesja Veizaj vunë theksin mbi rëndësinë e kësaj mundësie të dhënë nga Italia për të thelluar më tej njohuritë dhe bagazhin e tyre profesional, veçanërisht në nivel praktik, në fushën e hetimeve të ndërlikuara.