Dosje

“Fadil Paçrami ka futur përçarje midis aktorëve...”, publikohet relacioni sekret për Ramiz Alinë

6 Shtator 2021, 07:54| Përditesimi: 6 Shtator 2021, 07:59

  • Share

Janë publikuar disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin muajt mars të vitit 1973, ku ndodhen disa raport-informacione të Sektorit të Edukimit, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që i dërgohen Ramiz Alisë, lidhur me mbledhjet e organizatës profesionale, që janë zhvilluar në Teatrin Popullor dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, mbledhje të cilat janë mbajtur në “frymën e fjalimit të Enver Hoxhës, të mbajtur në datat 15 e 16 mars të atij viti” në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Raport informacioni i plotë i hartuar nga instruktori i Komitetit Qendror të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, Dhimitër Xhoxhi, dërguar në adresë të Pirro Kondit, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, si dhe ministrisë së Arsimit e Kulturës, ku zv / ministri, Mantho Bala, i’a ka dërguar Ramiz Alisë, pasi ka vënë shënimet përkatëse, mbi dokumentin në fjalë, ku nga fillimi e deri në fund, është kritikuar sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Fadil Paçrami, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën, duke u akuzuar si përgjegjësi kryesor për gjendjen në Teatrin Popullor dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.

Dokumenti që po publikojmë i përket muajit mars të vitit 1973 dhe ai është një raport-informacion, me siglën “sekret” i përpiluar nga Sektori Edukimit i Komitetit Qendror të PPSH-së, që mban firmën e Dhimitër Xhoxhi (instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë), i cili i dërgohet Pirro Kondit, që asokohe mbulonte këtë sektor, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe bën fjalë për mbledhjet e zhvilluara në organizatën profesionale të Teatrit Popullor dhe Institutit të Lartë të Arteve.

Të gjitha këto raport-informacione, janë parë nga Enver Hoxha, Ramiz Alia etj., nga udhëheqja e lartë, gjë e cila duket edhe nga shënimet që ata kanë lënë mbi këto dokumente. Të gjitha këto mbledhje zhvilloheshin në kuadrin e fjalës që kishte mbajtur Enver Hoxha në datën 15 mars të atij viti, në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku si çështje kryesore ishte: “Shfaqjet e huaja e liberale dhe ndikimet e tyre në art, kulturë, letërsi…”, fjalë e cila vinte vetëm pak kohë pas fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur më datën 9 janar të atij viti, në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku ai për herë të parë kishte kritikuar dhe anatemuar Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizion.

Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve asokohe, ashtu si në të gjitha institucionet artistike dhe kulturore të Tiranës e mbarë vendit, janë zhvilluar edhe këto mbledhje në Teatrin Popullor dhe Institutin e Lartë të Arteve, gjë e cila bëhet e ditur në këtë dokumenti, ku shkruhet: “Informacion nr. 10 mbi punimin e fjalimit të shokut Enver të 15 marsit 1973, në organizatën profesionale të ndërmarrjeve dhe institucioneve”,

Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, mbledhjet kanë qenë mjaft të acaruara, me debate, akuza dhe denoncime nga ana e pjesëmarrësve, jo vetëm ndaj njëri tjetrit, por edhe ndaj eprorëve të tyre, ku në fokus ishte Fadil Paçrami, sekretari i Komitetit të Partisë për Tiranën, që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën e partisë.

Ato mbledhje që vazhduan gjatë, pasi në dosjen voluminoze përkatëse ka mbi 10 informacione, ishin iniciuar nga lart (Enver Hoxha), vetëm për të goditur Paçramin, i cili kritikohej dhe akuzohej kryesisht për: “prirje liberale” dhe “devijim të vijës së partisë në Art e Kulturë”, gjë e cila duket qartë dhe nga ky dokument, ku në Teatrin Popullor kritikohen, sulmohen e goditen, dy drejtuesit kryesorë të atij institucioni, Riza Hajro dhe Bardhyl Kosova, duke u akuzuar si njerëz dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Paçramit, ndërsa në Institutin e Lartë të Arteve, fokusi i sulmeve ishte drejtuar ndaj regjisorit dhe pedagogut të njohur, Kujtim Spahivogli, i cili gjithashtu akuzohej si bashkëpunëtor i ngushtë i Paçramit.

Relacioni dërguar Pirro Kondit në Komitetin Qendror të PPSH-së

Shokut Pirro Kondi

                           Komitetit Qendror PPSH-së

                                              Tiranë

Me porosi të shokut President, ju dërgoj informacionin mbi punimin e fjalimit të shokut Enver në organizatën profesionale të Teatrit Popullor dhe Institutit të Lartë të Arteve

7/4/1973                 Me respekt

                       Dhimitër Xhoxhi

Shënimi i zv/ministrit të Arsim-Kulturës, Mantho Bala, për Ramiz Alinë

Shoku Ramiz

Nuk e di në jeni informuar dhe në rrugë tjetër, për këtë mbledhje. Mua m’u dukën interesante, prandaj po ua dërgoj. S’di çka parasysh, K. Trako? Në kuadrin e gjithë të tjerave, sh. Hamid mendoj. Po të duhet të ndjekë me dikasteret marrjen e masave për forcimin e gjendjes në Theatër dhe Institutin e lartë të Arteve.

                                             Mantho Bala

                                                   7/ 4/ ’73

Raport-informacioni i zv/ministrit të Arsim Kulturës, Mantho Bala, dërguar Ramiz Alisë, mbi mbledhjet e zhvilluara në Teatrin Popullor dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë

                                    INFORMACION Nr. 10

MBI PUNIMIN E FJALIMIT TË SHOKUT ENVER TË 15 MARSIT 1973 NE

ORGANIZATËN PROFESIONALE TE NDERMARRJEVE DHE INSTITUCIONEVE

Në Teatrin Popullor

Shqetësimet e komunistëve dhe punonjësve në vija të përgjithshme, u dukën në këto drejtime:

  • Fadil Paçrami prej disa kohësh dhe në forma të ndryshme ka futur në Teatër përçarje midis aktorëve të vjetër e të rinj. Kjo ka dëmtuar mjaft punën. Ka treguar përbuzje të madhe për aktorët e vjetër dhe ka vepruar për largimin e tyre nga Teatri pavarësisht nëse kanë talent apo jo. Ka përgatiture një listë me 16 emra dhe në fillim të vitit 1967 ja ka dorëzuar Riza Hajros për zbatim.

Aty përmenden disa emra si Llazar Filipi, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Violeta Manushi, Behie Çela, etj. U tha se lista ishte përgatitur pas shpine të sh. Manush, i cili e kishte dënuar këtë veprim në një mbledhje me komunistët. Mbas kësaj, Fadili i thotë Riza Hajros, ish-drejtor, që pse nuk e mohove listën, këtë fjalë e përsëriti dhe Bardhyl Kosova, ish-instruktor në Komitetin e Partisë. Çështja e listës paraqiste një shqetësim të veçantë nga diskutantët. Për të pakësuar rezistencën e aktorëve të vjetër, Fadili kishte dhënë porosi: “Jepuni rrogën dhe le të rrinë në shtëpi, vetëm në teatër të mos vijnë”.

  • Ka synuar hapur të largojë Teatrin nga tradita kombëtare duke diktuar një politikë tepër sektare në çështjen e repertorit. Bënte shpesh rekomandime për vepra të huaja. Shfaqte një prirje të veçantë për shkollën e Teatrit  të Brehtit dhe teorizonte shpesh për Stanislavskin, si të vjetruar. Kur ju rekomandua një pjesë për    Skënderbeun, u shpreh hapur: “Të kem mundësi, edhe monumentin nga sheshi do ta heq”.
  • Bënte një politikë sektare duke diktuar repertorin e tij ose të Ibrahim Uruçit. U tha se kur i paraqitej ndonjë dramë e ndonjë autori që se kishte në simpati, pa e lexuar e flakte me nervozizëm. Bardhyl Kosova u shpreh se në teatër vendin kryesor e zinte drama e Fadilit. Ai bënte presion të madh dhe unë rashë në këto pozita. Fadili më ka thënë se janë vetëm dy dramaturgë: Fadil Paçrami e Ibrahim Uruçi.

Regjisor njihte vetëm Kujtim Spahivoglin. Shoku Manush i ka thënë se Fadili synonte që edhe emri i teatrit të hiqet, e të mos quhet Teatër Popullor. Teorizonte se jashtë teatrot mbajnë emrat e dramaturgëve të mëdhenj. Violeta Manushi tregoi se si në 25 vjetorin e Teatrit, Thoma Deliana ngriti dolli për ata që prenë shiritin e Teatrit Popullor (veteranët), ndërsa Fadili i’u përgjigj: “Jo, unë do ta pi për ata që do të vijnë në këtë Teatër”.

  • Në mbledhje u tha se Fadili vepronte prapa shpinës së shokut Manush. Para tij nuk dilte hapur, por më vonë ai vepronte kundër porosive të shokut Manush, dhe më vonë të Riza Hajros dhe se më vonë të Bardhyl Kosovës. P.sh. pas kritikës që u bë në “Zërin e Popullit” (Korrik 1971) në Teatër erdhën për analizë sh. Manush, Thoma Deliana, Mantho Bala, Pjetër Kosta, Jordan Pano, ishte edhe Fadili.

Këtu shoku Manush dha porosi të fillohet nga puna, u vendos të vihet drama “Marga”, por të nesërmen në oborr u duk Fadili i cili i vuri krahun Rizait dhe “Marga”, megjithëse për të u punua rreth 2 muaj, ajo nuk doli në skenë. Fadili mbante lidhje direkte me drejtorin Rizanë dhe më vonë Bardhylin, për organizatën e Partisë as që pyeste ndonjëherë.

Këshillin artistik e caktonte vetë pa marrë pëlqimin e Byrosë. Përsëriste hiqni vjetërsirat. Në mbledhjen e kolektivit kur u shkarkua Riza Hajro, ai u shpreh, Ja Rizanë po heq, madje po e gradoj, tani mjaft keni dërdëllitur. Ju solla krahun e djathtë (Bardhylin).

  • Karakteristika e mbledhjes ishte se çdo diskutues i lidhte problemet me Fadil Paçramin, Riza Hajron dhe Bardhyl Kosovën dhe shpesh dilte Ibrahim Uruçi e Kujtim Spahivogli. Për Bardhyl Kosovën u bënë këto kritika, ka prishur frymën krijuese në Teatër, ka futur frymën demobilizuese, ka spostuar sekretarin e organizatën bazë të Partisë. Ka sjellë në teatër shije të keqe e sidomos të huaj. Organizator i keq. I ka bërë bisht përgjegjësisë.

Është hequr nga Fadili si i verbër. Tërë kohën rrinte jashtë. Violeta Manushi u shpreh tekstualisht, Në qoftë se me Rizanë, grindeshim për punët që s’shkonin mirë, Bardhylin s’e gjenim as ta shanim, nga vinte dhe nga shkonte se marrim vesh. Kur ishte në Kosovë ka shpërdoruar arkën e shtetit, ka bërë allishverishe me disa persona kosovarë, ka pranuar prej tyre peshqesh për gruan dhe për fëmijët nga një person tjetër ka pranuar edhe para. Ka bërë deklarata në shtyp pa dijeninë e organizatës së Partisë.

Në Shqipëri i dha Azem Shkrelit, një dorëshkrim të tijin (monografi e Brehtit). Këto gjëra i pranoj edhe vetë në autokritikën e tij. Për Riza Hajron u tha se në fillim nuk kishte aftësi dhe qe bërë vegël e plotë e Fadilit. Por edhe më vonë ai prapë nuk mund të shkëputej. Mban përgjegjësi të plotë për mosmarrëveshjet midis të vjetërve e të rinjve. Mban përgjegjësi për papunësi në Teatër. Shumë aktorë mbetën muaj të tërë pa u aktivizuar.

Ashtu si Bardhyli edhe Rizai nuk dëgjonin zërin e masës. Organizata e Partisë vendosi për Bardhyl Kosovën vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit dhe propozoi të shkarkohet si drejtor. Në mbledhje asistonte ekipi i Komitetit Qendror të Partisë dhe një shok nga Ministria e Arsim-Kulturës. U bënë vërejtje për organizatën profesionale, se nuk ka funksionuar. Mbledhja vazhdoi nga data 3-6 Prill gjithë paraditen. Unë asistova me datën 3 dhe 4. /Memorie.al

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?