Politikë

Faik Basha rrëfen për Report TV pse iku nga Meta te Rama: U largova për shkak të mungesës së meritokracisë! Në lista tifozë dhe jo lojtarë! Dua Shqipërinë në BE më 2030

14 Prill, 16:35| Përditesimi: 14 Prill, 16:56

  • Share

Mungesa e meritokracisë pas një kontributi të dhënë ndër vite te Partia e Lirisë, por edhe mosdalja hapur e kësaj force në mbështetjen e integrimit të vendit drejt BE-së, ishin dy nga arsyet themelore të largimit nga ajo parti.

Kështu u shpreh sot, në ‘Studio Live’ të Report Tv, Faik Basha. Ish-anëtari i Kryesisë së PL, iu përgjigj pyetjeve të moderatorit Arbër Hitaj për shkaqet që e shtynë drejt largimit dhe bashkimin me PS-në në këtë fushatë.

Ai bëri edhe një analizë të faktorëve që nxitën largimin, që shpjegon se erdhi e menduar dhe konsultuar me mbështetësit e tij, brenda dhe jashtë partisë.

“Siç e kam bërë të qartë edhe me status për arsyet pse jam larguar nga një forcë politike, për hir të së vërtetës sa i përket edhe angazhimit tim, ka qenë ajo forcë politike dikur LSI dhe sot PL, që bën përpjekje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ku të gjithë kemi detyrim për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetja për vend më të mirë, të sigurt dhe të përparuar. Por që qytetarët duan politikë që të kthehen sytë për të dhe jo nga ata. Kam pasur beteja dhe rritje të mëdha tek ajo forcë që përfaqësova, kandidova edhe në një zonë për deputet ku dolëm forcë e parë me LSI. Kam mbajtur edhe qëndrimet e mia për të gjitha direktivat e pikat, edhe më 2023, në Kamëz kryesisht.  Nuk erdhi gjithçka ditën për diell, apo brenda ditës, por pas një analize të thellë dhe këshillimit me njerëzit dhe mendimi ka qenë që të largohemi nga ajo parti dhe për të mbrojtur kauzat, përfaqësimin dhe zërin e tyre, për hallet dhe shqetësimet”, shprehet Basha.

Dhe këtu vjen shkaku kryesor, mungesa e meritokracisë në zgjedhjen e listës së kandidatëve për deputet, duke futur në lista emra që nuk përfaqësonin as eksperiencë, por as mbulonin fusha të caktuara, si ajo e sigurisë.

“Më 11 mars kam bërë edhe komunikim për mediat, për ekipin që përgatitej për 11 majin. Kam thënë që sot përcaktohet fitorja, kur ekipi hedh lojtarët në fushë, nuk përcaktohet pasi ditën që nis ndeshja nuk fut lojtarët në fushë, por tifozët, kështu s’mund të fitosh Champions në futboll. Unë kam pasur një kërkesë për një zonë të papërfaqësuar që nga 1912 dhe sot, ka pasur shqetësim. Në listë nuk ka ekspertë të mirëfilltë të fushave të sigurisë, s’i është dhënë hapësira. Kur dyert të mbyllen, duhet të gjesh alternativa të reja për të përfaqësuar ata njerëz që të mbështesin. Vihet re një mungesë meritokracie”, vijon ish-anëtari i PL-së.

Dhe i gjendur përballë dy zgjidhjeve, ai mori atë të vijimit të betejës jashtë PL-së dhe bashkimit me një tjetër forcë, pra rikthimit atje ku bashkë me familjen kishin aderuar shumë vitë më parë.

“Dy zgjidhje pata, ose të tërhiqesha, ose të vazhdoja të përfaqësoja këta njerëz. Zhgënjimet në politikë janë të mëdhaja, mendova tërheqjen, por pastaj u konsultova me njerëzit. Më thanë se nuk duhet të tërhiqesh nga politika, por nëse dikush të mbyll derën dhe s’të jep mundësi, duhet të gjesh zgjidhje të tjera. Në analizën që kam bërë është se duhet të jem aktiv në këtë fushatë. Unë kam mendimin se rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është prioritet dhe duhet të bëhet. Kur e sheh kështu s’të thotë asgjë, por nga brenda ka rëndësi, Shqipëria 2030 është me rëndësi, edhe për shkak të gjeopolitikës, Europa është bërë e vetëdijshme për këtë”, shpjegon Basha.

Por a ishte PL e gatshme për ta bërë këtë punë, drejt këtij misioni?

“Misioni i Shqipërisë në BE nuk është i PS, por i të gjithë vendit, i të gjitha forcave duhet të jetë, me një ekip dhe skuadër të fortë. Një skuadër e fortë nuk është me njerëz të paprovuar, njerëz pa eksperiencë. E kam për partinë ku isha pjesë, për Partinë e Lirisë, njerëz pa përvojë, që nuk kanë dhënë kontribut”, thekson ai.

Ndaj edhe pohon se në PS u bashkua pikërisht për prioritetin kryesor, që është Shqipëria në BE në 2030-ën, pasi është interes më madhor, sesa ai partiak.

Ora 16:50
Basha në ‘Studio Live’: I jam bashkuar PS edhe sepse i hap dyert të rinjve, nuk mund të isha më pjesë e një farse! Pritja që më bënë, përtej pritshmërive që kisha

 

Ish-anëtari i Kryesisë së PL-së, Faik Basha la të kuptohej qartë se pas kaq shumë vitesh kontributi dhe duke parë listat e Partisë së Lirisë, nuk mund të ishte më pjesë e kësaj farse plitike, duke zgjedhur të afrohet me PS-në.

“Nuk kanë asnjë nga elementët apo kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve. Unë nuk mund të bëhem pjesë në këtë farsë. Dhe për elementë që e pengojnë vendin në këtë rrugë, nuk ia vlen të vazhdosh e të jesh pjesë e saj më”, tha ai.

Por përse zgjodhi afrimin me PS-në?

“Familja ime vjen nga e majta, ndaj edhe kalimi te LSI dikur ishte se i përkiste së majtës. Por derisa kontributi im nuk u mor për bazë, atëherë unë do vazhdoj ta japë kontributin pse jo edhe te PS-ja. Jam i gatshëm ta jap këtëkontribut, qoftë edhe te PS apo çdo forcë tjetër. Por në pjesën historike ne kemi dhënë kontribut edhe për PS-në. Kontribut që kërkon hapje, bashkëpunim, e vazhdimësi. Unë i jam bashkëngjitur ideve të tyre, për ta thënë hapur, dhe kam filluar takimet, konsultimet dhe angazhimin, duke dhënë kontributin tim dhe të njerëzve qtë mi që Shqipëria të eci, të mos ngeci dhe të anëtarësohet në BE. Kontributi im është për Shqipërinë në BE.

Njerëzit duan angazhime serioze, vazhdimësi dhe drejtim në udhëheqjen e institucioneve. Për këtë arsye është pritur mirë. Situata është entuziaste. Njerëzit që më mbështesin më drejtuan tek PS-ja”, shpjegon ai për Report Tv.

Një tjetër arsye ka qenë edhe modeli i PS-së, qarkullimi i elitave dhe krijimi i hapësirave për të rinjtë. Ai shton se koha kalon dhe kjo do tregojë nëse do mbetet këtu apo do eci para, por unë mendoj se Shqipëria nuk duhet të ndalet.

“PS duket se i rinovon elitat e partisë, psh., në Tirana ka shumë të rinj në lista si kandidatë. Kujtoj kandidaten më të re, si Kristi Elezi, studente vetëm 22 vjeçe. Pra kur kjo parti rinovohet në këtë formë, janë ndryshe nga ato që mbyllin dyert për ata që japin kontribute. Kjo është alternativë që u tregon qytetarëve se si ecën para vendi dhe se si rinovohet partia. Kur ekipi freskohet, shpresa është më e madhe për përfshirje të tyre dhe ecje para”, vijon Basha.

Por si u prit afrimi i tij në partinë ku familja e tij dhe ai ka aderuar para se t’i bashkohej ish-LSI-së?

“Qindra mesazhe kanë qenë për mirëseardhje, të tjerë treguan mbështetje edhe për kohën kur ika nga PS. Ishte përtej pritshmërive të mia. Patronazhistët janë edhe tek e majta edhe tek e djathta, janë edhe te PS, edhe te PD, kanë të dyja palët. Tani që ika te PS po të shohësh komentet, thonë të blenë socialistët. Këto janë ngado. Por unë nuk do i harroj shqetësimet, pikat kritike, gjërat që duhen ndryshuar dhe unë besoj se do ndryshojnë e do merren parasysh”, përfundon eksperti i sigurisë.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?