Ka një fjalë të urtë popullore që thotë: “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet”. Këtë aksiomë Lulzim Basha e ka përvetësuar, ka vite në fakt, por pas zgjedhjeve të 25 prillit e ka kthyer në qëllim në vetvete. Po i mëshon fort teorisë së “vjedhjes së zgjedhjeve”, flet për “masakër elektorale” dhe nuk lë rast, ai dhe gjithë pjesa besnike e tij, që nuk e thotë kudo e kurdo, që të ngjisë sa më shumë tek psikologjia e popullit.
Përpara zgjedhjeve të vetmet raste që u kapën me blerje votash, bile ishin edhe kandidatë për deputet, ishin nga partia aleate e tij, LSI-ja. Nuk dëgjuam për asnjë moment që Lulzim Basha t’i dënonte qoftë edhe formalisht, sa për të larë gojën, këto raste. Është e papranueshme që heshti për fakte të tilla të vërtetuara me zë dhe figurë, vetëm e vetëm se këto i kishin ndodhur një partie aleate me të. Këtu mbyllet çdo diskutim, sepse kur ti shkel parimet vetëm se s’të intereson ta sulmosh një parti aleate, atëherë s’ke më asnjë lloj të drejte ta kthesh shit- blerjen e votës në një kauz për të justifikuar humbjen.
Megjithatë, pavarësisht këtyre, gjërat duhen parë më me gjakftohtësi dhe duhen analizuar në bazë të fakteve kokëforta. Le të vëmë pak në punë logjikën.
Dy javë përpara zgjedhjeve kryeministri Rama mblodhi në Kuç të Vlorës “Kuvendin Zakonor” dhe aty përpiloi, sipas objektivave të tij, “memorandumin” për 74 deri 78 mandateve që synonte Partia Socialiste në zgjedhje, duke bërë njëkohësisht edhe ndarjen sipas qarqeve.
Edhe kryetarja e LSI-së, zonja Kryemadhi, deklaronte objektivat e partisë së saj në zgjedhje, të cilat shkonin mbi 40 mandate. Do thoni ju që asaj i fliste goja përpara mendjes? Dakord, po pavarësisht kësaj të paktën përpiqej t’i ngrinte moralin elektoratit të vetë, ndonëse në ekzagjerim.
Po Lulzim Basha, çfarë objektivash kishte?! Zero! Asnjë deklarim publik të tij se do të fitojë kaq e aq mandate, qoftë edhe me përafërsi, nuk më rezulton që të jetë thënë. Frika se mos pas zgjedhjeve nuk i dilnin llogaritë e dilte blof siç doli zonja Kryemadhi, mbase bën që ai t’i bishtnoj kësaj çështje dhe ne sot nuk kemi si ta ballafaqojmë dëshirën e tij me realitetin që prodhoi verdikti i popullit.
Po le të kthehemi te “Kuvendi” i Kuçit, ku Rama bëri një ndarje më vete të 4 qarqeve të Veriut (Shkodër, Lezhë, Dibër e Kukës), tek të cilat kishte dyshime se edhe mund të “hante gol”.
Po të nisemi me logjikën e Lulzim Bashës, Rama e dinte që përpara zgjedhjeve që tek këto qarqe do të haste vështirësi për të arritur objektivat dhe rrjedhimisht do i duhej që të bënte një blerje masive votash dhe manipulim të atillë të vullnetit të popullit që ta kthente rezultatin në favor të tij.
Një prej akuzave që bën Lulzim Basha është se kryeministri Rama bëri investime dhe dha fonde publike për të ndikuar tek vota e popullit. Shumë bukur dhe jemi pikërisht në argumentin e duhur për të faktuar se çfarëdolloj investimesh të bësh si qeveri, kur mileti (populli) e ka ndarë mendjen të të votojë kundër, nuk ka as 50 e as 100 eurosh që ta tjetërson vullnetin. Paranë ta merr e votën s’ta jep, siç i ndodhi edhe LSI-së së fundmi.
Në qarkun Dibër, qeveria “Rama “ po bën një nga investimet më të mëdha në këto 30 vjet, Rrugën e Arbrit, një fond buxhetor prej mbi 200 milionë euro që e afron Dibrën me kryeqytetin për 40 minuta dhe që praktikisht i jep atij qarku një mundësi të re zhvillimi ekonomik.
Në qarkun Kukës, specifikisht bashkinë Kukës, qeveria “Rama” u investua fuqishëm që të çojë atje një aeroport ndërkombëtar, i dyti në Shqipëri, i cili do ndikojë ndjeshëm në rritjen e mirëqenies dhe zhvillimit të asaj zone. Vetëm nga punimet në aeroport u hapën disa qindra vende pune të cilat do vijojnë të shtohen në sistem zinxhir pas nisjes zyrtare të fluturimeve.
Në qarkun Lezhë, specifikisht në bashkinë Kurbin, qyteti Laç, qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë turke, po investon dhjetëra milionë euro për ndërtimin e shtëpive individuale dhe banesave kolektive si dhe po transformon si asnjëherë tjetër infrastrukturën e atij qyteti të vogël ish-industrial.
E pra, në të tria këto zona me intensitet të lartë investimi, Partia Socialiste korri më 25 prill humbje përballë Partisë Demokratike. Po më mirë le të flasim me shifra që ta bëjmë argumentin konkret e të besueshëm.
Qarku Lezhë: PD 4 mandate, PS 3 mandate.
-Në qarkun Lezhë, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 6727 vota më shumë sesa PS.
-Në bashkinë Kurbin, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 5482 vota më shumë sesa PS.
-Në qytetin Laç, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 1110 vota më shumë sesa PS.
-Në qarkun Lezhë, në zgjedhjet e vitit 2017, PS mori 2856 vota më shumë sesa PD.
-Në bashkinë Kurbin, në zgjedhjet e vitit 2017, PD mori 481 vota me shumë sesa PS.
-Në qytetin Laç, në zgjedhjet e vitit 2017, PS mori 286 vota më shumë sesa PD.
-Në qarkun Lezhë, në zgjedhjet e vitit 2021, PS mori 3137 vota më pak sesa në vitin 2017.
-Në bashkinë Kurbin, në zgjedhjet e vitit 2021, PS mori 1680 vota më pak sesa në vitin 2017.
-Në qytetin Laç, në zgjedhjet e vitit 2021, PS mori 326 vota më pak sesa në vitin 2017.
Qarku Kukës: PD 2 mandate, PS 1 mandat.
-Në qarkun Kukës, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 10215 vota më shumë sesa PS.
-Në bashkinë Kukës, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 4761 vota më shumë sesa PS.
-Në qytetin Kukës, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 2364 vota më shumë sesa PS.
-Në qarkun Kukës, në zgjedhjet e vitit 2017, PD mori 1548 vota më shumë sesa PS.
-Në bashkinë Kukës, në zgjedhjet e vitit 2017, PS mori 2011 vota me shumë sesa PD.
-Në qytetin Kukës, në zgjedhjet e vitit 2017, PS mori 911 vota më shumë sesa PD.
-Në qarkun Kukës, në zgjedhjet e vitit 2021, PS mori 4531 vota më pak sesa në vitin 2017.
-Në bashkinë Kukës, në zgjedhjet e vitit 2021, PS mori 3539 vota më pak sesa në vitin 2017.
-Në qytetin Kukës, në zgjedhjet e vitit 2021, PS mori 1324 vota më pak sesa në vitin 2017.
Qarku Dibër: PD 3 mandate, PS 2 mandate.
-Në qarkun Dibër, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 278 vota më shumë sesa PS.
-Në bashkinë Dibër, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 2288 vota më shumë sesa PS.
-Në qytetin Peshkopi, në zgjedhjet e vitit 2021, PD mori 660 vota më shumë sesa PS.
-Në qarkun Dibër, në zgjedhjet e vitit 2017, PS mori 3464 vota më shumë sesa PD.
-Në bashkinë Dibër, në zgjedhjet e vitit 2017, PS mori 1150 vota më shumë sesa PD.
-Në qytetin Peshkopi, në zgjedhjet e vitit 2017, PS mori 119 vota më shumë sesa PD.
A ju duket nga ballafaqimi i këtyre shifrave që kryeministri Rama të ketë tentuar t’u blejë votën kurbinasve e laçianëve, kuksianëve e dibranëve, ndërkohë që numrat e vitit 2021, në raport me PD-në, flasin në dëm të tij?
Si ka mundësi që Rama paska blerë votat në zonat me të ardhura më të larta siç është Shqipëria e Mesme dhe ajo e Jugut, dhe nuk paska tentuar ta bëjë këtë gjë në zonat me të ardhura të ulëta siç janë këto tri qarqe?!
Duke qenë se në këto qarqe PS-ja ka dalë në vitin 2017 me rezultate më të mira sesa PD-ja, përse pati rënie të votave në vitin 2021?! A nuk do të ishte triumfi i PS-së më 25 prill në po këto qarqe, qoftë edhe duke blerë vota sipas akuzës që i bëhet për pjesën tjetër të vendit, një goditje e fortë psikologjike ndaj PD-së? Përse nuk e bëri atëherë?!
Do mjaftonte argumenti që solla me këto shembuj statistikorë nga këto tri qarqe, bashkitë dhe njësitë administrative të të cilave drejtohen të gjitha nga kryebashkiakë socialistë, ku fondet e investimeve publike kanë qenë më të larta se sa në shumë bashki të tjera që janë bastione të PS-së, për të thënë se Lulzim Basha e ka kotë që i bie fyellit në po të njëjtën vrimë duke nxjerrë po atë vijë melodie që nga humbja e tij e parë zyrtare në zgjedhjet vendore të vitit 2015 e në vazhdim.
Argumentet e Lulzim Bashës janë të pabaza dhe tërësisht në funksion të ambicies për të qëndruar në krye të PD-së, për të cilën i duhet një alibi për të justifikuar humbjen. Avazi i “masakrës elektorale” do të jetë lajtmotivi i tij tani e tutje, bile edhe pas rizgjedhjes në krye të PD-së më 13 qershor. Ai e ka këtë të vetmen “armë” me të cilën do ta shtyjë edhe këtë 4-vjeçar të tretë në opozitë. Nuk duhet të mërzitemi nga ky zë i çjerrë, mjafton që Luli të jetë i lumtur në Botën e tij të Çudirave…
Luli ka pjerdhur.
Përgjigju