FAKTET PËR SPAK/ Zbulohen 3 lejet e ndërtimit që Sali Berisha firmosi për fshatin turistik ku ka vilën! Ja si Argita transformoi një shtëpi 50m2 në vilën perandorake D5

23 Korrik, 10:51| Përditesimi: 23 Korrik, 15:10

  • Share

Hetimet pasurore të SPAK-ut ndaj çiftit Meta-Kryemadhi kanë vënë gishtin në plagën e shumë pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve. Ashtu siç tregoi ish-Presidenti Ilir Meta pasi doli nga disa orë pyetje, SPAK ka nisur të verifikojë origjinën e pasurisë të politikanëve nën hetim, duke kërkuar për shembull, se në çmënyrë Ilir Meta u bë pronar i vilës luksoze në Gjirin e Lalzit deri edhe duke hetuar se kush ja ka pajisur me mobilje dhe se me ç’para është paguar lulishtja luksoze përreth saj.

Në këtë mënyrë u mësua se vila e Ilir Metës është ndërtuar me një leje ndërtimi dhënë “Lura shpk” nga Këshilli Kombetar i Rregullimit të Territorit (KKRT) te drejtuar nga Ilir Meta në datën 16.09.2000 kur ishte kryeministër i një qeverie me shumicë socialiste. Por tani, siç e ka konfirmuar prokurori Altin Dumani gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, hetimet pasurore kane filluar edhe për familjen Berisha.

Kur Ilir Meta në maj të 2010 merr vilën e Gjirit të Lalzit falë nje kontrate misterioze ''shkëmbimi'' (siç ka deklaruar Monika Kryemadhi pa shtuar detaje), ai ishte sërish në qeveri në pozicionin si zv.kryeministër, këtë herë në koalicion me Sali Berishën. Edhe Sali Berisha (përmes vajzes së tij Argita dhe dhëndrit Jamarbër) është bërë pronar i një vile luksoze me kod ''D5'' pak metra distancë nga ajo e Ilir Metës në të njëjtin fshat turistik.

Siç ka zbuluar redaksia investigative e Shqiptarja.com edhe Sali Berisha, ashtu siç kishte bërë Ilir Meta kur ishte kryeministër, i ka dhënë të njëjtës firmë ndërtuese ''Lura shpk'' disa leje për të zgjeruar fshatin turistik të Gjirit të Lalzit që në këtë mënyrë shndërrohet në një lloj blloku veror pushimesh të qeveritarëve të Partisë Demokratike dhe të LSI-së.

Me 18 janar 2008 Sali Berisha në cilësinë e kreut të ri të KKRT miraton një studim urbanistik për një sipërfaqe 59.090 metra katrorë (parcela 4) dhe më pas me 13 janar 2009 aprovon një ndryshim urbanistik dhe një leje të re sheshi ndërtimi për fshatin turistik (parcela 5).

Me 1 qershor 2012, gjithnjë në krye të KKRT, Berisha miraton studimin urbanistik pjesor, zonë hotelerie dhe rezidenciale, pjesë e parcelës 9A pronë e familjes Cenaj, prapë kompania zhvilluese ''Lura shpk'' për një sipërfaqe 6 hektarë.

Me 10 maj 2013 (pak javë nga zgjedhjet dhe kur tashmë i ndërgjegjshëm se është afër mundësisë së humbjes së pushtetit) Sali Berisha firmos një tjetër leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e rezortit turistik “Lura”, gjithnjë për shoqërinë ''Lura shpk''.

Ai fshat i vogël turistik i inauguruar nga Ilir Meta që për të shkuar aty (siç ai vetë kujton) duhej helikopter, sapo u transformua në një vend pushimesh për familjen Berisha dhe të shumë ministrave të tij, u bë një nga fshatrat turistikë më luksozë të qarkut të Durrësit, i pajisur edhe me një rrugë të re të shpejtë të financuar gjithnjë nga qeveria e Partisë Demokratike.

Ashtu siç po e bën me Ilir Metën, SPAK ka nisur hetime pasurore edhe mbi familjen Berisha për të kuptuar (mes te tjerash) se me çfarë fondesh dhe në ç’mënyrë u bënë pronarë të vilës gjigande ''D5'' në Gjirin e Lalzit, aktualisht nën sekuestro për hetimet e skandalit të ish-klubit Partizani. Pasi edhe kjo vilë, ashtu si ajo e Metës, është e veshur me mister. Siç ka zbuluar redaksia investigative e Shqiptarja.com duke verifikuar të gjitha deklaratat e pasurisë të familjes Berisha, herën e parë që flitet për të, është në deklarimin e pasurisë të 2014 referuar viti 2013, kur Argita Berisha deklaron bashkëpronësinë e 50 % të një vila prej 50 metra katrorë në Gjirin e Lalzit e blerë sipas saj në 2004 për 50.000 euro dhe më pas “e rikonstruktuar”.

Por, a është kjo e vërteta? Vila buzëdetit që do të bëhej e Berishës me numrin ''D5'' ndodhet në zonën ''D'', ajo më luksoze të kompleksit. Siç është e dukshme dhe nga planvendosja e hartuar në fazën e projektimit që Shqiptarja.com ka siguruar, ne zonën ''D'' te fshatit turistik nuk ekzistojnë vila me një sipërfaqe 50 metra katrorë siç deklaroi Argita Berisha, por vetëm vila prej dy katesh me një sipërfaqe 300 metra katrorë, pra gjashtë herë më të mëdha se sipërfaqja e deklaruar. Të njëjtën siperfaqe gjigante ka edhe vila ''5D'' qe do te marre familja kryeministrore. Argita Berisha ka deklaruar një sipërfaqe dhe nje shumë më të ulët se ajo reale për të fshehur origjinën e parave të përdorura për blerjen? Apo ka marrë një favor special dhe atë vilë e ka paguar me të vërtetë 1 të 6 e vlerës së saj reale? Po në ç'këmbim e ka përfituar këtë nder?

Gjëja e dytë e dyshimtë është se kontrata e blerjes rezulton e firmosur nga Argita Berisha jo në 2004 si pretendon ajo, por në 29.4.2013 dhe në fakt edhe çertifikata e pronësisë mban datën 23.05.2013. Pikërisht në të njëjtin muaj pra me 10 maj 2013, siç edhe e pamë, Sali Berisha firmos në favor të kompanisë ''Lura shpk'' që po ndërtonte në Gjirin e Lalëzit një leje të re zhvillimore komplekse për ndërtimin e resortit turistik “Lura” pikërisht aty ku kanë vilën Argita dhe bashkëshorti dhe ku babai kryeministër kalon fundjavat dhe pushimet verore.

Duke krahasuar dy fotot ajrore të zonës, duket se mes 2004 dhe 2013 vila ''D5'' e familjes Berisha realisht ndryshon. Madje sipas deshmitarëve ajo u prish totalisht dhe u rindërtua nga e para, si duket edhe nga ndryshimet e arkitekturës në krahasim me vilat e tjera. Me siguri vila e Berishës zmadhohet mëtej si përmasë dhe rritet edhe në lartësi duke u bërë në këtë mënyrë vila më e madhe e të gjithë vilave të tjera në këtë fshat turistik. Argita Berisha ka deklaruar nje kosto vëtëm prej 45.000 euro për punimet e zgjerimit dhe të rikonstruksionit të vilës. Por ama, duke parë përmasat e vilës te rikonstruktuar dhe luksin e saj, shifra reale duket të jetë shume shume më e lartë: Me cilat fonde është mbuluar diferenca mes shpenzimeve minimale të deklaruara për punime rindërtimi dhe kosto reale? Dhe cila firmë ka realizuar punimet? A është përdorur e njëjta metodë me të cilën SPAK dyshon se ka përdorur dhe Ilir Meta, që do të thotë se për shembull lulishtja e tij e mrekullueshme  e vilës është realizuar nga një firmë që ndërkohë fitonte tendera publikë?

Do të jetë SPAK që do ta zbulojë këtë edhe për vilën e familjes së Berishës. Por ajo që dyshohet është se punimet e rikonstruksionit duket të jenë bërë pa leje: Pra vajza e kryeministrit gjatë kohë kur babai ishte në krye të detyrës, ka ndërtuar në Gjirin e Lalzit në mënyrë abuzive, duke realizuar pa leje një vilë gjigande me dhjetëra dhoma, sallone, impjant panelesh diellore dhe një park përreth. Mes vitit 2004 dhe 2013 vila presidenciale e familjes Berisha ishte mesa duket pa asnjë dokument, por duke parë afrimin e zgjedhjeve dhe humbjen e mundshme, familja Berisha u mobilizua për t’u bërë në rregull me letrat.

 Ja pse shfaqet vetëm me datë 29 prill 2013 kontrata e blerjes dhe 5 ditë më pas, pra me 4 maj 2013, Argita e Jamarbër Malltezi legalizojnë vilën me Aluiznin duke paguar 950.000 lekë dhe duke u bërë në këtë mënyrë edhe pronarë të nje pjese tokës. Vetëm 19 ditë me vonë, pra me 23 maj 2013, marrin në kohë rekord çertifikatën e pronësisë. Sic a pame në të njetën kohë, pra me 10 maj 2013, Sali Berisha kishte firmosur një tjetër leje zhvillimore komplekse për ndërtimin e resortit turistik “Lura”, gjithnjë  në favor te shoqërisë ''Lura shpk''.

Mungonte vetëm një muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013: ato zgjedhje do të shënojnë fundin e qeverisë Berisha. Pushtetin në fakt e kanë humbur, por të paktën, vila buzë detit dhe zgjerimin e fshatit turistik e kanë shpëtuar. Deri sa nuk kishte një prokurori të pavarur si SPAK, manipulime të këtij lloji mbeteshin si sekrete në sirtarët e institucioneve. Por SPAK tani duket e vendosur të hetojë mbi origjinën e e pasurive të pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve dhe shumë shpejt edhe misteret e vilave të Gjirit të Lalzit do të fillojnë të qartësohen. Pas hetimeve pasurore mbi Ilir Metën dhe Flamur Nokën (edhe ai i perfolur si pronar i nje tjeter supervile në Lalëz jo larg nga ajo e shefit te tij), i ka ardhur radha më në fund edhe Sali Berishës dhe familjes së tij të japin llogari për pasuritë e tyre.

Dokumentet PDF

Gjri i Lalzit - fragment nga studimi urbanistik i Lejes nr. 16 date 13.01.2009

Vendimi 7 i KKT-se me kryetar Sali Berishen dhënë firmë ndërtuese ''Lura shpk'' për Gjirin e Lalzit datë 01.06.2012

Vendimi 9 i KKT-se me kryetar Sali Berishen dhënë firmë ndërtuese ''Lura shpk'' për Gjirin e Lalzit, datë 18.01.2013

Gjiri i Lalzi Studimi urbanistik pjesor per hoteleri dhe rezidenciale

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Berta: 31/07/2024 17:09

    Zakonisht neper investigime kur paraqiten fakte ose prova te reja qe "zbulohen" ato nuk jane dokumenta shteterore te njohura per publikun dhe botuara. Vendime te organeve te caktuara apo leje te miratuara. Mediokrritet katastrofik.

    Përgjigju
  • populli: 24/07/2024 06:54

    ORE POPULLI I DI TE GJITHA,,PSE NUK IA SEKUESTRONI SHTEPITE,,PALLATET,,VILAT,,,,MAKINAT,,LLLOGARITE BANKARE,,,SALI KERMES DHE ILIR FLORIRIT....

    Përgjigju
  • populli: 23/07/2024 16:35

    ky mostra thote rri ne apartamet yyy re e zez plere

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 24/07/2024 09:19

      Po ky sala denoi Nexhmien vetem per kafe ,po ky ku e ka vendin ? Çfar pret drejtesia ,ketu kuptohet qe drejtesia punon me dy standarte,jane po keta prokurore dhe gjyqtare qe denuan Nexhmien .TURP per drejtesine

    • [email protected]: 23/07/2024 19:25

      HAJDUTET e popullit.gjakpiresit me te POSHTER turpi I MBULOFTE rrofte amerika

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?