Foto: Erion Veliaj, arkive
Gjatë seancës gjyqësore paraprake që zgjati rreth 11 orë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u përball me prokurorin e çështjes, Olsi Dado, rreth mungesës së fakteve për arrestimin e tij.
Gjykata bëri fillimisht rreth gjysmë ore rezistencë, që avokatët të njiheshin me aktet, deri kur prokurori dha miratimin. Më pas, atyre iu la katër orë kohë për të shfletuar 65 fashikujt e dosjes.
Në seancë Veliaj ka thënë se një nga argumentet e SPAK për ta lidhur atë me një pasuri ishte se lodrat e djalit të tij ndodheshin në shtëpinë e gjyshes së fëmijës, duke e cilësuar këtë një absurditet:
“Më keni përmendur pse janë lodrat e djalit tim te shtëpia e gjyshes së vet… për të thënë që meqë janë lodrat e djalit aty, qenka shtëpia ime. Unë besoj se çdo gjyshe mban lodra të nipërve e mbesave në shtëpi.”
Veliaj ka thënë se shifrat që SPAK ka publikuar në media janë të pavërteta dhe se ata kanë gërmuar në gjithë jetën e gruas së tij dhe të vetën, duke prodhuar tabela dhe shifra që nuk i përgjigjen realitetit:
“Familja e Ajolës është një familje e vjetër me emër në shoqëri, që ka pasur bizneset e saj që nga viti 1995 dhe nuk mund të abuzohet me të ardhurat e një familjeje dhe shpenzimet e saj, duke ia faturuar vajzës dhe dhëndrit.”
Duke folur për bashkëpunimin me SPAK, Veliaj tha se ai ka bashkëpunuar me SPAK dhe BKH deri në momentin e fundit: “Kam bashkëpunuar edhe kur erdhën të marrin shkresa në Bashki natën e Vitit të Ri. Por kur më prekni familjen, aty sigurisht që acarohem.”
Ai iu referua edhe disa mesazheve të shkëmbyera me një prej agjentëve të BKH, i cili i kishte kërkuar me SMS që gruaja e tij të paraqitej në SPAK. Në këtë moment, prokurori Olsi Dado, duke ngritur zërin, i është drejtuar Veliajt me fjalët:
“Je patologjik!”
Pas kësaj, Veliaj ka thënë se "ju e keni ndarë mendjen çfarë do bëni dhe e gjithë kjo seancë është formale. Fakti që gjyqtari po ju pyet në sytë tanë se ç’masë duhet të marrë, tregon qartë standartin e këtij gjykimi".
Lajmi kryesor:
Zbardhet çfarë i tha Veliaj prokurorit Ols Dado në sallën e gjyqit: Më burgosët në mes të fushatës, akt i pastër politik! Oficeri gjyqësor sms intimiduese gruas time
S.G/ReportTv.al