Moment nga ceremonia e diplomimit

Sociale

Fakulteti i Drejtësisë zhvillon ceremoninë e diplomimit, ministri Lamallari: Guxoni, siguria vjen nga përvoja! Kumbaro: Mbani busullën orientuese të shoqërisë

29 Shtator, 20:55| Përditesimi: 29 Shtator, 21:09

  • Share

Mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve u zhvillua ceremonia e diplomimit të studentëve që kanë mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitet 2023, 2024 dhe 2025.

Afro 2 mijë ulëset e Pallatit të Kongreseve u zunë plotësisht nga studentë që kremtonin diplomimin e tyre, prindër që krenoheshin me finalizimin e suksesshëm të rrugëtimit universitar 5-vjeçar të fëmijëve të tyre dhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë.

Ceremonia e diplomimit u hap nga fjalime drejtuesish të botës akademike dhe ministra të qeverisë së vendit.

Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, i tha valës së re të juristëve se janë forca që do të mbajnë mbi supe ndryshimet e kohës, dhe se do të jenë përbërës kyç në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.

“Ditën e diplomimit të studentëve tanë, është kënaqësi e veçantë të jem këtu për të ndarë një moment të jashtëzakonshëm. Nuk është vetëm një festë, një ditë krenarie për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e rrugëtimit të tyre akademik. Ne si akademikë kemi privilegjin të shohim frytin e punës tonë në suksesin e tyre. Studentë të dashur, jeni forca e re që do të mbani mbi supe ndryshimet e kohës”, – tha dekania Hoxha.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dikur vetë student i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ndau me juristët e sapodiplomuar kujtime nga jeta e tij studentore dhe u kërkoi që të këmbëngulin për arritjen e objektivave në karrierë.

“Është një emocion i veçantë sidomos kur flas pas dekanes, që për mua ka një rol të veçantë në rrugëtimin tim. Ka qenë udhëheqëse e tezës së diplomës time. Është shumë e rëndësishme të mos bëjmë atë gabimin që zakonisht bëjnë studentët kur diplomohen. Duket sikur aty merr fund rruga drejt dijes. Të mësoni nga çdo përvojë, çdo ndërveprim, takim dhe vendim që do të merrni. Nga përvoja ime dua t’ju them që ju do të jeni të sigurt vetëm me përvojën që fitoni”, – tha Lamallari.

Më tej ai përmendi edhe punën e madhe që është përpara për Kodin e ri Penal e Kodin Civil. 


"Bashkë me Kodin i ri Penal dhe Kodi Civil që do të miratojmë si dy shtylla të rëndësishme të korpusit ligjor, Shqipëria do të ketë më në fund një legjislacion modern të orientuar fuqimisht nga standardet evropiane", tha Lamallari duke kërkuar nga të rinjtë e sapodiplomuar që t’i shërbeni ligjit, pa frikë dhe pa asnjë kompromis.

Një urim të veçantë për studentët e diplomuar përgjatë 3 viteve të fundit në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës e pati edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

“Keni kaluar në faza të cilat kanë vënë në sprovë durimin dhe përkushtimin tuaj. Shkolla dhe universiteti nuk janë thjesht institucione por busulla orientuese për të gjithë shoqërinë. Si juristë të rinj jeni mbajtës të kësaj busulle”, – tha Kumbaro.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?