Reportazh

'Faleminderit Shqipëri'/ Durrësi si 'Nurembergu', Report Tv në kampin e muxhahedinëve në Manëz! Puthja e fundit me babanë  para ekzekutimit! Dëshmitari kyç: Shpëtova se u tregova frikacak

15 Nëntor 2021, 10:37| Përditesimi: 16 Nëntor 2021, 08:14

  • Share

Një masakër e 33 viteve më parë, kur janë ekzekutuar 30 mijë persona rreth 3 mijë kilometra larg nga këtu e ka shndërruar një sallë të vogël të Gjykatës së Durrësit për 9 ditë në një 'Nuremberg' të vogël. Hamid  Nouri, një ish zyrtar Iranian po gjykohet nga një gjykatë suedeze për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

  Porta hyrëse e Kampit Ashraf në Kamëz

Dëshmitarët kyç për ta çuar përfundimisht pas hekurave janë pikërisht këtu në Shqipëri, në Manëz të Durrësit në kampin Ashraf 3 ku strehohen 2800 anëtarë të opozitës politike iraniane. 7 banorë të këtij kampi janë dëshmitarë të asaj masakre të vitit 1988 dhe prej datës 10 nëntor deri në 19 nëntor do të japin historitë e tyre. 6 gjyqtarë, 2 prokurorë, avokatë janë shpërngulur nga Stokholmi për në Durrës pikërisht për këtë qëllim. Marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndësishme e drejtësisë ndërkombëtare, në Ashraf kanë kujtuar vuajtjet që sipas tyre mijëra iranianë kanë përjetuar.

Procesi gjyqësor në Durrës për këta banorët të kampit në Manëz është realizimi i një ëndrre. Në fund të fundit dënimi i merituar për ata që u kanë shkaktuar dhimbje sipas tyre do të ishte si një paqe pas betejash të dhimbshme.

'Dhoma e ekzekutimit', në muzeun në Kampin Ashraf në Manzë

Histori të dhimbshme njerëzore që  tronditin, histori të burgosurish politikë që jo pak kujtojnë dhimbjen e mijërave familjeve shqiptare në 50 vitet e diktaturës komuniste. Gjithçka këtu e ka ndërtuar misioni për të kujtuar. Iranianët e MEK nuk duan të harrojnë por duan të kujtojnë gjithçka,

Ditët e fundit ata kanë rindërtuar, sipas të gjitha dëshmive të personave që e kanë jetuar ‘korridorin e vdekjes’, ‘Komitetin e Vdekjes; ‘Dhomën e ekzekutimit’. Duket si skenar i një filmi horror, por sipas dëshmitarëve këto vende në vitin e largët 1988, në burgun e Gohardasht në perëndim të Teheranit ishin stacionet e fundit të jetës së mijëra e mijëra personash.

Ky korridor në burgun e Gorhadash ishte 200 metra, aty qëndronin me dhjetëra të burgosur, të vendosur në këto mënyrë, me sy të mbuluar.

'Korridori i Vdekjes', në muzeun e Kampit Ashraf në Manzë

Në këtë korridor pritej radha për tu paraqitur para këtyre njerëzve, që muxhahedinët i thonë ‘Komiteti i Vdekjes’, që sipas disa dëshmive ka qenë anëtar edhe presidenti aktual i Iranit Ibrahim Raisi. (00110) Sipas tyre këta njerëz i bënin vetëm një pyetje të burgosurve “a je ti një mbështetës i muxhahedinëve” dhe nëse përgjigja ishte ‘Po’ atëherë stacioni i radhës do të ishte kjo dhomë ekzekutimi, si protagonist i cilës akuzohet nga gjykata suedeze HAMID Nouri.

Ndoshta Një prej njerëzve më me fat në botë, i cili ka qenë pikërisht këtu, në dhomën e ekzekutimit, i tregoi Report Tv se vetëm pak minuta para se t’i vinte radha për ta varur i ra të fikët, kjo i acaroi gardianët dhe e rikthyen në qeli për ta torturuar serish dhe ngjarjet në vijim bënë që ai sot të jetë gjallë dhe të gjejë shpëtim në Shqipëri. Këtë ai na e tha pas kamerave pasi ende nuk e ka dhënë dëshminë e para gjykatës suedeze, dhe kjo e detyron të respektojë vendimin e magjistratëve suedeze për diskrecion.

Por Mohammad Zand, dëshmoi të mërkurën i pari. Ai rrëfen për Report Tv gjithçka, se si e kishte identifikuar të akuzuarin Ahmed Nouri të cilin e akuzon se ishte personi që gjuante me shkelm këto stola, pra si një prej xhelatëve të atij regjimi.

“Unë isha i burgosur politik për 12 vite. Kur dola para Komitetit të Vdekjes më njoftuan se sapo më kishin vrarë vëllain 20 vjeçar dhe nëse edhe unë do të thosha që isha mbështetës u muxhahedinëve do të kisha të njëjtin fat. Unë nuk kisha kurajon për të thënë që ‘Po’ jam anëtar i muxhahedinëve dhe kështu shpëtova. Dhe këtë vendim e vuaj por vëllezërit e mi më kanë falur. Unë e pashë Hamid Nouri, teksa urdhëronte ekzekutime”, tha Mohammad.

Por jo vetëm ekzekutimet, edhe torturat nga më çnjerëzoret e bëjnë historinë e 33 viteve më parë shumë të rëndë. Mes shumë e shumë metodave horror, kjo që shihni në këto pamje ishte zgjedhur posaçërisht për gratë.

Pamje nga Muzeu në Kampin Ashraf në Manzë
 

Në këtë ndarje të vogël vetëm pak centimetra, sa për të zënë një trup njerëzor të imët, këto 2 gra kanë qëndruar për 8 muaj. E paimagjinueshme për shumë e shumë prej nesh sot. Ato tregojnë me lot në sy për Report Tv se nga e gjetën forcën për t’i thënë Jo dorëzimit, edhe pse shumë prej shoqeve të tyre nuk ia dolën.

“Na kërkonin vazhdimisht që të bashkëpunonim me regjimin. Ne të dyja kemi ndenjur këtu për 8 muaj, me një copë të zezë që na mbyllte sytë në terr total dhe në qetësi vdekjeje. Askush nuk na linte të nxirrnim një zë. Asnjë muskul nuk lëviznim dot. Nuk mund ta ngrinim kokën, vetëm në këtë pozicion mund të rrinim. Nëse ngrinim kokën na qëllonin. Gjatë këtyre ditëve shumë prej nesh humbën mendjen, nuk ia dolën, u çmenden. Por ne rezistuam. Ne fituam, ata humbën”, thonë ato. 

Teksa ecim në këtë labirint të pafundmë historish njerëzorë mësojmë për Damona Taavoni, një grua rreth të tridhjetave, e cila pasi jetuar për disa vite në Suedi është bashkuar me muxhahedinët në Manëz. Ajo që e bën të veçantë historinë e saj është kjo foto. Është Damona teksa i jep puthjen e fundit babait të saj, para se ai të shkonte në Iran ku më pas u arrestua dhe u ekzekutua.

“Kjo ka qenë hera e fundit që e kam parë. Më vonë mësova që ai ishte kapur dhe më pas u ekzekutua. Babai im ka qenë në burg 2 herë. Kjo ka qenë puthja e fundit me të dhe unë isha vetëm 6 vjeç. Por ajo që më shqetëson mua është se vrasja e shumë baballarëve vazhdon ende atje”, thotë Damona për Report Tv.

Një varrezë masive e improvizuar në Manëz, simbolizon atë të zbuluar në Teheran me 600 viktima

Një prej provave më të forta për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Iran sipas MEK është kjo varrezë masive, e gjetur në Teheran me më shumë se 600 viktima të varrosur.  Muxhahedinët në Ashraf e kanë rindërtuar atë për 2 arsye: E para për të kujtuar me respekt dhe dhimbje ata që kanë humbur jetën por mbase edhe për t’i kujtuar vetes se sa më fat janë që tashmë janë larg fatit që paraardhësit e tyre patën. Dhe për këtë sigurisht nuk harrojnë shpesh të shprehin mirënjohjen për shqiptarët që i japin shtëpinë në ditët e tyre më të vështira. Ashtu si qindra këtu edhe Shahla ka mësuar pak shqip për të komunikuar me miqtë e saj shqiptarë siç thotë vetë ka shumë. Ajo na thotë se shpreson shumë që një ditë të rikthehet në Atdheun e saj dhe të ftojë atje të gjithë shqiptarët që ka njohur këtu.

"Unë jam Shahla, jam 8 vite në Shqipëri. Kam mësuar shqip dhe mua më pëlqen shumë Shqipëria dhe shqiptarët. Jam shumë mirënjohës ndaj qeverisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Unë isha në Iran në burg për 4 vite dhe kam ardhur këtu. Unë kam shumë miq nga shqiptarët. Faleminderit shumë popullit shqiptar", përfundon ajo.

MEK është një lëvizje e themeluar në shtator të vitit 1965 për të kundërshtuar lëvizjen “shah” në Iran dhe më tej për të luftuar kundër regjimit islamik i cili erdhi në pushtet nga revolucioni i dhunshëm dhe i vrasjeve në vitin 1979.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?