Politikë

Falja e gjobave nga qeveria para zgjedhjeve, Aulon Kalaja depoziton kallëzim në SPAK: Krim zgjedhor, vendimi ndikoi drejtpërdrejt në rezultat

27 Maj, 10:40| Përditesimi: 27 Maj, 12:21

  • Share

Kandidati i PD për deputet në listën e hapur në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja dorëzoi sot në SPAK një kallëzim penal lidhur me vendimin e qeverisë për faljen e gjobave pak ditë para zgjedhjeve. Në një prononcim për mediat, Kalaja tha se ky vendim, i marrë qëllimisht para 11 majit, ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultat.

“Duke lexuar ligjin nuk duhet të ndodhte kjo gjë. Është shpërdoruar ligji nga këshilli i ministrave. Rama s’ka qenë në atë mbledhje siç ka bërë gjithmonë nëpër mbledhje të tilla që kanë problematika. Ligji përcakton që 4 muaj para zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re nuk mund të bësh politika për faljen e gjobave, politika të tjera fiskale që mund t’i japin akses një partie politike apo individi që kandidon. Kështu që mendova se është e arsyeshme, duke qenë se kam qenë edhe një nga kandidatët për deputetë, dhe mendoj se ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve falja e gjobave. Unë jam pro faljes së gjobave por s’mund ta bësh dy ditë para zgjedhjeve. E kanë nxjerrë në dhjetor, e kanë shpallur publike më 9 maj, ndërkohë më 11 maj kishte zgjedhje. Jam pro faljes së gjobave për qytetarët shqiptarë, se ua kanë nxirë jetën me IKMT, AKU dhe gjobat e Covid, por nuk mund ti bësh dot dy ditë para zgjedhjeve. Makineria shtetërore dhe PS kanë qenë një. Prandaj gjykoj se do të jetë në nderin e SPAK që ta hetojë këtë rast, për të çuar para përgjegjësisë për ata që kanë bërë këtë krim zgjedhor.”, deklaroi Kalaja.

I pyetur nëse kanë bërë llogaritje sesa kanë përfituar nga faljet e gjobave, Kalaja tha se bëhet fjalë për miliona euro. Sipas tij, qeveria është sjellë me buxhetin e shtetit sikur të ishte bankomati i saj.

“Di që janë miliona euro dhe është sjellë me buxhetin e shtetit sikur të jetë bankomati i vet. Mendoj se gjithë këto gjoba që po vendos tani policia. Në fier 5 herë na ka ndalur policia. Janë për të kompensuar gjithë gjobat që na kanë falur. Dëm që po i bëhet buxhetit të shtetit”, u shpreh ai.  

Vendimi i qeverisë parashikonte shfuqizimin e të gjitha masave administrative të paekzekutuara që janë vendosur gjatë periudhës 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024. Më herët, edhe Koalicioni Euroatlantik bëri kallëzim në SPAK, që sipas të cilit, miratimi i VKM-së para zgjedhjeve kishte për qëllim deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?