TIRANË - Këto pasaporta amerikane në dukje origjinale, nuk janë të tilla. Ata prodhoheshin me qëllim dërgimin e klientëve të tyre përtej oqeanit, pa pasur nevojën e një vize. Njëra prej tyre kushtonte 3 mijë euro.
Një grup i strukturuar kriminal me 6 shqiptarë, përfshirë edhe nga Kosova, u arrestuan nga Krimi Ekonomik i Policisë së Tiranës, mbi dyshimet e falsifikimit të dokumenteve të huaja, amerikane dhe jo vetëm, për t’i shitur me qëllim largimin në vende ku janë të nevojshme vizat. Kushtrim Doksani, 35 vjeç, nga Tirana, Kujtim Gilani, 57 vjeç, nga Prizreni, dhe Getoar Luzha, 28 vjeç, nga Kaçaniku, Kujtim Duka, 56 vjeç, Leonard Basha, 58 vjeç dhe Erina Doksani, 20 vjeçe, të tre nga Tirana, u arrestuan në një ambient në afërsi të TEG-ut. Pjesë e operacionit të koduar “Njësia”, për të cilin u hetua për rreth një vit, ishte edhe Njësia e Përbashkët e Investigimit pranë Ambasadës Amerikane.
Dokumentet, nga pasaportat deri tek kartat e identitetit dhe patentat, dyshohet se prodhoheshin në 2 vende, Kosovë dhe Bullgari, silleshin në Shqipëri dhe nga këtu niste shitja edhe te klientë shqiptarë që fillimisht bënin porositë në këmbim të parave. Burimet i thanë Report Tv se për një pasaportë false të vendeve të Bashkimit Europian paguheshin deri në 2 mijë e 500 euro, ndërsa për ID-të dhe patentat, pagesat shkonin deri në 2 mijë euro. Dyshimet e hetuesve janë se ky aktivitet kriminal ka lulëzuar në Shqipëri, por në vendet e prodhimit, Kosovë dhe Bullgari, nuk përjashtohet mundësia të ketë pasur treg më të zgjeruar. Në drejtim të 2 vendeve janë nisur letërporosi nga autoritetet shqiptare, të cilat kanë kërkuar bashkëpunim për shkatërrimin e plotë të grupit dhe gjetjen e vendeve të përshtatura për prodhimin e dokumenteve false të një cilësie të përafërt me origjinalët.
Gjatë operacionit “Njësia”, Krimi Ekonmik i mbështetur edhe nga Operacionalja gjeti dhe sekuestroi 14 dokumente false të huaja, amerikane, italiane, angleze dhe rumune. Në mesin e tyre u gjet edhe një kartë identiteti shqiptare, si dhe 7 celularë dhe 1 motoçikletë. Grupi në fjalë u shkatërrua përmes përgjimeve, të cilat bindën hetuesit për veprimtarinë kriminale. Ata janë në akuzë për 3 vepra penale, falsifikimi i dokumenteve, falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Shqiptarja.com zbulon detaje nga operacioni i goditjes së grupit kriminal që falsifikonte dokumente amerikane dhe ato të BE-së.
Krimi Ekonomik i Tiranës prej të paktën një viti kishte nisur hetimet për grupin kriminal.
Dokumentet e falsifikuara prodhoheshin në Kosovë dhe më pas silleshin në Shqipëri ku dhe shiteshin. Pasaportat amerikane kushtonin deri në 3 mijë euro, ndërsa ato të BE shkonin nga 2 mijë deri në 2500 euro.
Komente

Grupi shqiptaro-kosovar?! Wtf! Po turp a keni ? Po ata janë të gjithë shqiptarë o maskarenj. Keni 12 vite që mbillni përçarjen e kombit o njerëz pa atdhe. Turp e faqja e zezë
PërgjigjuMirë bëtë që e ndërruat titullin. Kërkoni ndjesë për titullin që kishit deri në orën 14 o të paudhë