Sociale

Familja nga Fieri apel për ndihmë: Na bie shiu në kokë kur fle gjumë, vuajtjet tona s'kanë fund! Djali i sëmurë me epilepsi: Dua të jetoj si çdo njeri

4 Shtator 2021, 15:23| Përditesimi: 4 Shtator 2021, 15:44

  • Share

FIER- Mure të rrënuara, copa të suvasë që bien dhe tavani gati në të shembur....Kjo është shtëpia, e cila rrezikon ti zërë brenda tre anëtarët e familjes së Sami Çepeles.

Çifti i moshuar bashkë me djalin që vuan nga epilepsia jetojnë në fshatin Afrim i Ri të Bashkisë së Fierit. Kanë trokitur në shumë dyer, por nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

"Shtëpia po bie, po rrëzohet, suvaja copë-copë edhe muri gati në të rënë, më futet shiu brenda i gjithë, është e pabanueshme. Djalin e kam me aftësi të kufizuara, merr kemp, ndërsa gruaja me invaliditet pune. Unë sapo kam dalë në pension, po pres nga bashkia që të na ndërtojë shtëpi...Po pres nga bashkia, por deri më tani premtime të pa mbajtura", shprehet ai.

67-vjeçari Sami Çepele dhe bashkëshortja e tij në moshën 64 vjeçare janë të pamundur për të punuar për shkak të moshës dhe sëmundjeve të patrajtuara, si diabeti apo tensioni. Ndërsa djali i tyre i vetëm vuan nga epilepsia dhe merr pension prej 9 mijë lekësh në muaj, që siç shprehet nuk mjafton as për mjekimet.

"Dua të jetoj si çdo njeri, askush s'na ka ndihmuar... Unë marr  kemp prej 9 mijë lekësh në muaj, por ato nuk dalin as për ilaçe. Mami është me tension dhe diabet, duhen dhe për atë ilaçe. Ne kërkojmë ndihmë nga shteti për shtëpinë", rrëfehet djali.

Gjithçka kërkon familja Çepele është një shtëpi për të futur kokën.... Përmes Report Tv apelojnë për ndihmë, Bashkisë së Fierit, por dhe donatorëve e organizatave joqeveritare.

"Kam 31 vjet që vuaj për shtëpi, lutemi të tërë njerëzve të më ndihmojnë se çfarë bie jashtë më hyn brenda. Më bie shiu në kokë kur fle gjumë...dhe më thotë djali çohu mama se na u mbush shtëpia me ujë. Më ngre djali se bie në tokë", tregon e ëma me lot në sy.

"I lutem kujtdo që më sheh në TV të më ndihmojë, kushdo që më shikon të më ndihmojë se vuajtjet e mua s'kanë fund. Sot nesër s'jam, kushdo mundet të na ndihmojë, të vërë dorë në zemër!", përfundon ajo apelin për ndihmë.

 

*Kushdo që dëshiron të kontribuojë në lehtësimin sadopak të situatës së rëndë në të cilin ndodhet familja të telefonojë në numrin e telefonit +355 68 306 7586, i cili i përket djalit të familjes! 

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 05/09/2021 00:26

    Per afganet u gjet nje strehe,po per keta fatkeqe nuk paska shteti nje dhome ku t'i fuse?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?