Policia e Kukësit ka zbardhur plagosjen me armë gjahu të 58-vjeçarit D.T banues të Kukës, për të cilin familjarët kishin deklaruar se është vetplagosur.. Sipas policisë 58-vjeçari është plagosur me armë gjahu nga pakujdesia nga shtetasi J.E 62-vjeç.
Të dy këta shtetas kishin dalë së bashku për gjueti dhe aksidentalisht 62-vjeçari ka plagosur të njohurin e tij.
‘Nga veprimet hetimore rezultoi se në vendin e quajtur “Kodrat e liqenit të Fierzës”, në fshatin Dukagjin, shtetasi J. E., 62 vjeç, banues në Kukës, gjatë gjuestisë së bashku me shtetasin D. T., aksidentalisht e ka plagosur shtetasin D. T., me armën e gjahut, me të cilën kishte dalë për gjueti.
I plagosuri është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve, u procedua penalisht, për veprat penale "Plagosja e rëndë nga pakujdesia" dhe "Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër" shtetasi J. E., banues në Kukës. Gjithashtu, u procedua penalisht edhe i plagosuri, shtetasi D. T., për veprën penale "Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër".
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan të dyja armë gjahu, të cilat shtetasit J. E. dhe D. T. i kishin me leje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.