Sociale

Debate në Këshillin Bashkiak Durrës/ Familje të përjashtuara nga rindërtimi, ata që kanë dy banesa ose ata që nuk janë banues në Durrës, s’janë përfitues

21 Maj, 16:58| Përditesimi: 21 Maj, 18:13

  • Share

 

Përjashtimi i disa familjeve nga lista e përfituesve të banesave të rindërtuara në Durrës, ndezi debate të forta në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak të Durrësit, që u zhvillua këtë të mërkurë. Sipas këtij  projekt-vendimi këto familje nuk përfitojnë nga programi i rindërtimit në pallatin nr. 1032 në rrugën “Aleks Komneni” dhe pallatin “Kastrati”në rrugën “Ramadan Veliu”, pasi rezultojnë të jenë pronarë e dy banesave ose nuk banojnë në Durrës.

Vendimi është kundërshtuar ashpër nga disa këshilltarë, që e cilësuan atë të padrejtë. Ata theksojnë se banesat e përfshira në procesin e rindërtimit ishin pronë e ligjshme e këtyre familjeve përpara tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Në momentin që i shpronësojmë të drejtën e apartamentit, nuk i shpronësojmë dot të drejtën e truallit. Trualli mbetet aty edhe kur pallati shembet. Ai person që ka pasur apartamentin sipër gëzon 1/50 pjesë të truallit. Atij njeriu i lind e drejta nesër ta çojë në gjykatë dhe do ta fitojë atë apartament. Natyrisht, në një regjim diktatorial - komunist gjithçka ndodh.”- tha Myshketa këshilltar i PD-së.

“Është realisht një VKM, por është e padrejtë. Le t'i shohim gjërat në sy siç janë. Pse duhet të fshihemi pas VKM-ve, kur ato familje që kanë investuar jetën e tyre, mundin e tyre, djersën e tyre me një të rënë të lapsit zërohen.”- tha Muka këshilltari i PD-së. 

Pavarësisht debatit dhe kundërshtimeve, projektvendimi për përjashtimin e këtyre familjeve u miratua me 28 vota pro nga këshilltarët e mazhorancës.

Në këtë mbledhje u miratuan edhe  dy projektvendime të tjera: një për miratimin e fondit prej 3 milionë lekësh për lidhjen e energjisë dhe ujësjellësit në zonën e re të zhvillimit në Spitallë, dhe një tjetër për miratimin e listës së përfituesve të ndihmës ekonomike për muajin maj 2025.

H.K/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 22/05/2025 03:51

    Per rastin e ketyre qe kane nga dy shtepi,ose nuk banojne ne Durres mund te ishte gjendur nje rruge e mesme.Vertet qe nga shkaqet e perjashtimit kuptohet qe jane ne gjendje te mire ekonomike e nuk mund te trajtohen njelloj si banoret e tjere qe nuk kane asgje,pervec banesave qe ju shemben,por nga ana tjeter, nuk mund t'u mohohet komplet humbja po te merret parasysh tregu i real estate ne qytete si Durresi.Do te kishte qene me mire t'u jepej perparesi ne fillim atyre qe humben cdo gje,ose e kane te pamundur ekonomikisht bazuar ne te ardhurat vjetore te tyre,e ne fund,c'te mbetej tu jepej me limite ketyre zengjineve me nga dy shtepi,ose qe nuk e kane banesen primare ne Durres.

    Përgjigju
    • Ilir: 08/09/2025 17:51

      Nese nuk e kane te siguruar shtepine e dyte,perse duhet qe tua ndertoje shteti? Shteti ben mire te kujdeset per ata qe nuk kane mundesi financiare,por jo per ata qe kane me shume se nje shtepi dhe nuk sigurojne asnjeren.

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?