Përjashtimi i disa familjeve nga lista e përfituesve të banesave të rindërtuara në Durrës, ndezi debate të forta në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit Bashkiak të Durrësit, që u zhvillua këtë të mërkurë. Sipas këtij projekt-vendimi këto familje nuk përfitojnë nga programi i rindërtimit në pallatin nr. 1032 në rrugën “Aleks Komneni” dhe pallatin “Kastrati”në rrugën “Ramadan Veliu”, pasi rezultojnë të jenë pronarë e dy banesave ose nuk banojnë në Durrës.
Vendimi është kundërshtuar ashpër nga disa këshilltarë, që e cilësuan atë të padrejtë. Ata theksojnë se banesat e përfshira në procesin e rindërtimit ishin pronë e ligjshme e këtyre familjeve përpara tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Në momentin që i shpronësojmë të drejtën e apartamentit, nuk i shpronësojmë dot të drejtën e truallit. Trualli mbetet aty edhe kur pallati shembet. Ai person që ka pasur apartamentin sipër gëzon 1/50 pjesë të truallit. Atij njeriu i lind e drejta nesër ta çojë në gjykatë dhe do ta fitojë atë apartament. Natyrisht, në një regjim diktatorial - komunist gjithçka ndodh.”- tha Myshketa këshilltar i PD-së.
“Është realisht një VKM, por është e padrejtë. Le t'i shohim gjërat në sy siç janë. Pse duhet të fshihemi pas VKM-ve, kur ato familje që kanë investuar jetën e tyre, mundin e tyre, djersën e tyre me një të rënë të lapsit zërohen.”- tha Muka këshilltari i PD-së.
Pavarësisht debatit dhe kundërshtimeve, projektvendimi për përjashtimin e këtyre familjeve u miratua me 28 vota pro nga këshilltarët e mazhorancës.
Në këtë mbledhje u miratuan edhe dy projektvendime të tjera: një për miratimin e fondit prej 3 milionë lekësh për lidhjen e energjisë dhe ujësjellësit në zonën e re të zhvillimit në Spitallë, dhe një tjetër për miratimin e listës së përfituesve të ndihmës ekonomike për muajin maj 2025.
Komente
