Periferi

Fantastike të flasim për maskat me 14 shtator! Ama vetëm në një rrethanë jo!

14 Shtator 2020, 12:52| Përditesimi: 14 Shtator 2020, 13:15

  • Share

14 shtator 2020. Sot opinioni publik, ai që perceptohet nëpër mediat sociale dhe komente në portalet kryesore të lajmeve në vend, u nda në dy grupe të mëdha: Ata që kujtojnë 14 shtatorin 1998 dhe ata që kritikojnë për mënyrën sesi vihen maskat nëpër shkolla dhe ku dhe si qëndronin prindërit. Fantastike të flasësh për maskat dhe distancimin fizik sot! Me këtë duhej të merreshim të gjithë shqiptarët. Eshtë një pretendim aq civil dhe njerëzor, saqë na rendit në krah të vendeve më të zhvilluara që përballen me rregullat në kohën e koronavirusit dhe rihapjen e shkollave për fëmijët.

Eshtë një konstatim qytetar, por vetëm në një rrethanë nuk është i tillë: Nëse ti flet për maskat sepse nuk ke guxim, liri të flasësh akoma për 14 shtatorin 1998, edhe sot pas 22 vitesh. Dhe shumë bashkëatdhetarë nuk e kanë këtë guxim dhe liri sepse kush e ka, në bazë të “rrezikshmërisë” dhe peshës së fjalës, rrezikon vërtetë linçimin nga partia që prodhoi 14 shtatorin 1998; (gjithnjë në bazë të rrezikshmërisë e peshës së fjalës) rrezikon linçimin nga liderët e partisë që prodhoi 14 shtatorin 1998; (gjithnjë në bazë të rrezikshmërisë e peshës së fjalës) rrezikon linçimin në vetë të parë nga lideri historik i partisë, djali dhe dhëndrri i tij; (gjithnjë në bazë të rrezikshmërisë e peshës së fjalës), rrezikon linçimin nga partia vetë bashkë me gjithë militantët që për treguar që janë shumë, secili mban nga 20 profile fake që flasin të njëjtën gjuhë e të njëjtat gabime drejtshkrimore. Kur ti nuk e ke lirinë të flasësh për 14 shtatorin 1998, mund të flasësh edhe për Ismail Kadarenë e të kërkosh të ndotësh e të përbaltësh mitin, si ajo historia hollivudiane e çmimit Nobel që provincialët mëndjemëdhenj desh e vranë në qytetin e tij të vogël të lindjes.

Eshtë absurd që të shkruash për rrezikshmërinë e linçimeve nga ana e një partie në opozitë kur dikush thotë gjëra që e nxjerrin atë në një dritë të shëmtuar faktesh dhe ngjarjesh, kur në mbarë botën fokusi i mediave, shoqërisë civile, kolonave të pushteteve të shtetit fokusohet te qeveria dhe paudhësitë e saj në shërbim të njerëzve. Por ky realitet i deformuar, kjo anomali deri në absurd, është rrjedhojë pikërisht e pandëshkueshmërive të atyre egërsive socio-politike që janë kryer jo shumë larg në vite e kanë mbetur ende pa u ndëshkuar dhe pa çliruar frikën e shqiptarët. 14 shtatori sot është dita e parë e shkollës dhe e masave rigoroze antikoronavirus, por mbi të gjitha është dita kur shqiptarët duhet të kujtojnë se antishteti dhe prapambetja tribale, klanore dhe fisnore, nuk ka ikur ende nga horizonti i këtij vendi. Vetëm atëherë, kur këto re të ndotura do të largohen, shqiptarët do të mund të marrin frymë lehtë e të flasin pa frikë për çfarë të duan, në respekt të kohës, vendit dhe të së vërtetës.

xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • spotlight: 14/09/2020 13:18

    Wow Wow Wow great

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?