E dhe pse në moshën 36-vjeçare, një nga futbollistët më të mirë në historinë e futbollit nuk po dorëzohet. Lionel Messi është ende duke luajtur futboll në nivelin më të lakmueshëm, ndërkohë që ai mori Topin e tij të tetë të Artë dhe ndihmoi Inter Miamin të fitonte trofeun e parë të Kupës së Ligës së Amerikës së Veriut.
Në të njëjtën kohë, argjentinasi do të tentojë sërish të fitojë Kupën e Amerikës, të cilën e presin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin e ardhshëm kalendarik. Veç saj, "Pleshti" do kërkojë të jetë edhe në Botërorin 2026 që do zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Përtej këtyre sukseseve, kreu i FIFA-s, Gianni Infantino e dëshiron sulmuesin edhe në Kupën e Botës 2034.
"Në vitin 2026 për herë të parë në Botëror do të marrin pjesë 48 kombëtare dhe do të jetë një spektakël i madh. Shpresoj shumë që Messi do të jetë pjesë e kësaj, dhe më pas e radhës dhe asaj në vitin 2034”, tha Gianni Infantino , presidenti i FIFA-s , për DSport të Amerikës së Jugut .
Messi ka luajtur në pesë Kupa të Botës, duke bërë paraqitjen e tij të parë në vitin 2006. Në Katar vitin e kaluar, ai fitoi kampionatin botëror për herë të parë. Ai deri më tani ka bërë 180 paraqitje për Argjentinën dhe ka shënuar numrin rekord të 108 golave. Nëse dëshira teorike e Infantinos realizohej, Messi do të luante në Botërorin 2034 në moshën 47-vjeçare.