ELBASAN- Pas gati 1 viti e gjysmë në arrati si autor i 'Far-West' në qendër të Elbasanit, është arrestuar 27-vjeçari, Migert Qosja. I riu është autori që ka qëlluar në 25 nëntor të 2020 me armë zjarri në drejtim të Elvis Çaushllarit ose siç njihej ndryshe në zonë me nofkën “Vis Korçari” pas një sherri më njeri-tjetrin që kulmoi më pas me përdorimin e armëve. Përgjatë kësaj kohë, Qosja ka qenë në arrati, teksa sot është bërë i mundur ekzekutimi i masës 'Arrest me burg' që Gjykata dha në 29 nëntor 2020.
Ndaj tij, rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Si ndodhi ngjarja?
Report Tv solli videon ekskluzive të përplasjes së tyre me armë në mes të qytetit. Pamjet filmike tregojnë dy automjete të pozicionuara njëra pas tjetrës, ku e para është makina tip “Ford”, ku ndodhen Migert Qosja, Feliks Filaj dhe Eris Çekani, ndërsa tek e dyta mjeti tip “Mazda” ndodhej Elvis Çaushllari.
Ky i fundit njihej nga policia e Elbasanit, si anëtar i një grupi kriminal të njohur në qytet dhe në muajin shkurt 2020 ishte përfshirë në një skenë të ngjashme në rrugën qendrore të qytetit. Me sa duket mes grupit të Qosjës dhe Elvis Çaushllarit, ka pasur një debat e sipër, ku kanë shkëmbyer paralelisht sharje dhe ofendime, karshi njëri-tjetrit dhe mandej janë përfshirë në përplasje fizike. Siç shihet edhe në pamjet filmike, nga automjeti tip “Ford” dalin tre persona dhe drejtohen te mjeti tip “Mazda”, ku qëndronte Elvis Çaushllari.
Dy persona, mes tyre Migert Qosja i shkojnë Çaushllarit, duke e tërhequr dhe goditur, ndërsa në këto momente Çaushllari qëllon njëri prej tyre me armë, pasi siç shihet, të dy personat bëjnë lëvizje të menjëhershme duke u larguar befasisht. Fakti që Çaushllari, ka qëlluar në këtë moment nga brenda makinës, provohet pasi policia ka sekuestruar një gëzhojë pistolete brenda makinës së tij. Ndërkohë pas goditjes së parë, Çaushllari hap derën e makinës dhe me pistoletën që mban në dorë i drejton armën, Migert Qosjas dhe shokut të këtij të fundit Feliks Filaj.
Nga pamjet filmike dhe mënyrën e pozicionimit të Migert Qosjas, dukej se edhe ky i fundit mban një armë pistoletë në dorë, ku si Qosja dhe Çaushllari janë të pozicionuar përballë njëri-tjetrit me armë në duar, ku herë pas here qëllojnë. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit Çaushllari ka mbetur i plagosur me një plumb në shpatull, ndërsa të tre personat Feliks Filaj, Migert Qosja dhe Eris Çekani, e sulmojnë fizikisht Çaushllarin duke e qëlluar me grushte.
Në pamjet filmike ai largohet me vrap duke u ndjekur nga tre të rinjtë, ndërkohë pas disa sekonda tre të rinjtë kthehen sërish në makinë. Në kthim e sipër Migert Qosja i tronditur nga ajo që kishte ndodhur, ngatërron makinë, pasi në vend që të hipi në mjetin e tij tip “Ford”, ngatërrohet dhe gati sa nuk hipën në makinën tip “Mazda”, që drejtohej nga Elvis Çaushllari. Migert Qosja, mandej shkoi në makinë dhe së bashku me personat e tjerë largohet. Ndërsa 4 sekonda më pas shfaqet me motor një efektiv i policisë rrugore, që merr nën kontroll situatën. Elvis Çaushllari, largohet me shpejtësi në drejtim të spitalit Ushtarak në Tiranë, me argumentin se duhet të merrte mjekim të specializuar.
Pikërisht në këtë spital është arrestuar nga policia, ndërsa dy persona të tjerë Feliks Filaj dhe Eris Çekanit u ndaluan nga policia me vullnetin e tyre.