Ligji i ri për “Barnat dhe shërbimin farmaceutik”, që po shqyrtohet në Kuvend, detyron farmacitë që duan të përgatisin preparate mjekësore të kenë laboratorë të certifikuar. Po ashtu, lejon Ministrinë e Shëndetësisë të nënshkruajë marrëveshje sekrete të posaçme për aksesin në medikamente inovative të cilat janë me patentë dhe që kanë kosto të larta për të lehtësuar aksesin e konsumatorit. Ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria nxisin konceptin e tregtimit lokal për afrimin e kompanive të mëdha në një treg të vogël si vendi ynë, përmes personit të autorizuar juridik, që merr të drejtën e importit të barnave nga kompani që janë gjithnjë nga vende të autorizuara.
Këto janë disa nga ndryshimet, për të cilat u debatuan në Komisionin e Integrimit. Teksa deputeti Socialist, Arben Ahmetaj i cilësoi ndryshimet spektakolare, Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit dhe Deputete e Partisë Demokratike shprehu shqetësimin se ky pr/ligj nuk përafrohet me direktivat e BE as me 50%, madje i hap shtigje korrupsionit.
“Ndryshimet janë realisht në aspektin e rritjes së cilësisë së kontrollit të territorit dhe cilësisë së barnave është në nivel spektakolar. A do jenë autoritet tona në nivelin e duhur, kjo është sfida! Kjo tejkalon përafrimin me BE. Sfida e dytë me çështjen e importit, vendet që s’ka kondicionet që ka BE, por ka kondicione të tjera sicc është SHBA. Çështja e prodhimit i hap rrugë një mundësie për asemblimin e dokumenteve. S’ka qenë e sanksionuar qartë në legjislacion në mënyrë të qartë. Certifikimi i teknikëve të fushës është esencial. Çështja e laboratorëve në farmaci, tjetër element shtesë dhe mjaft i rëndësishëm për sigurinë…”,- tha Ahmetaj.
“Unë dhe Ahmetaj kemi pikëpamje të ndryshme për çështjen spektakolare. Ligjet që vijnë në këtë komision për përafrim duhet të plotësojnë qëllimin, duhet përafrim i plotë… Cilët janë elementët që ju ndalojnë ju në realizimin e plotë të përafrimit? Me këtë ligj u jepet mundësi farmacive që të kryejnë preparate të cilat nuk janë të specifikuara në ligjin përkatës të BE? Ju e dini kush janë dhe kolegët socialist në këtë pikë e dinë kush janë dhe bien dakord me mua se kemi nevojë për përmirësim të pikpamjes teknike…
Elementi i dytë… Janë të paktën 20 nene që nuk përafrohen…Elementi i dytë lidhet me procesin e dhënies së autorizimit. në çdo moment kërkohet inspektimi të prodhuesve të deklaruara nga ana e mbajtësit të autorizimit të tregut, a është kjo një mënyrë për të rritur kontaktet me kompaninë, mos nxit kjo korrupsionin, kjo s’është përafruar me legjislacionin në BE. Ka pikëpamje tjetër në këtë drejtim. 3. Amendimi pika 37, marrëveshjet e posaçme, ju e patë si diçka pozitive, veçanërisht për barna të shtrenjta, por kjo bije ndesh me procedurat e prokurimit publik. Kemi eksperiencën e tenderave sekret në periudhën e pandemisë. Fatkeqësisht përjashtimi nga rregull janë kthyer në rregull e ka patur abuzime…Kjo cënon dhe marrëveshjen e MSA, për sa i takon konkurrencës…”,- tha Tabaku.
Për herë të fundit, ndryshimet ligjore në këtë ligj janë bërë në vitin 2014. Qëllimi është rritja e kontrollit dhe monitorimit të cilësisë barnave, duke rritur sigurinë për konsumatorin, si edhe për afrimin e kompanive të mëdha në treg.