Pallati 10-katësh pranë ish-parkut të Autobusëve në Tiranë ndërtuar në vitin 2021 nga biznesmeni vlonjat Tanush Mëhillaj, rrezikoi seriozisht të shembej nga flakët që nuk njohën kufi dhe u shpërndanë thuajse në të gjithë strukturën e godinës së banuar, por fatmirësisht nuk shënuan të plagosur dhe asnjë humbje jete.
Report TV mëson se veshja e pallatit që është shkëputur duke rënë copa-copa pasi u përfshi në flakë, ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Dyshohet se ka qenë materiali ndërtimit i cilësisë së dobët që ka shërbyer si “benzinë” duke përhapur flakët nëpër ballkone e deri në brendësi të apartamenteve, duke sfiduar për tre orë punonjësit e zjarrfikëses. Materiali dyshohet se ka qenë i llojit “lesh guri” i cili sipas ekspertëve ka në përbërje plastikë.
Pjesë e hetimit për të përcaktuar saktë llojin e materialit të këtij pallati do të bëhen edhe ekspertë të ndërtimit. Dëmet në apartamente janë të mëdha ndërsa ende nuk dihet shifra e saktë. Për momentin janë duke u kontrolluar të gjitha apartamentet për të parë nga afër dëmet e zjarrit.
Lajmi kryesor:
Tiranë/ Pallati 10-katësh te ish-Parku Autobusëve përfshihet nga flakë të mëdha, izolohen pas 3 orësh! Shoqërohet në polici administratori
B.K//ReportTv.al