Pavarësisht rikuperimit pas goditjes së pandemisë, manifaktura ende nuk ka arritur të kap shifrat e para-krizës sa i takon eksporteve. Nëse në vitin 2019 u eksportuan 118,2 miliardë lekë, në 2021 u eksportuan 112,4 miliardë lekë tekstile dhe këpucë.
“Unë mendoj që viti 2022, do të jetë viti i bumit dhe do të ketë një rritje shumë të lartë, nëse bëhen aktive të gjitha paketat e premtuara nga qeveria”, thotë Edvin Prençe.
Sa i takon importeve ato kanë arritur shifra rekord, pasi në vitin e kaluar janë importuar 90,8 miliardë lekë. Kreu i shoqatës Pro-Eksport Albania Edvin Prençe thotë se çmimet e shtrenjtuara kanë rritur vlerën e importeve.
“Po ta krahasojmë me 2019 që ishte viti i normalitetit, ka pasur një rritje me 20% të kërkesave nga vendet evropiane për të bërë prodhimet e tyre në Shqipëri. E para është që është rritur vlera e materialit në ardhje, pra ka një rritje të çmimeve dhe cilësisë së copave për të gjitha lëndët e para dhe kjo ndikon në importin e lartë që është”, pohon Prençe.
Në pritje të garancisë sovrane për sektorin e manifakturës, Prençe tregon kushtet që ajo duhet të ketë.
“Garancia sovrane që të jetë e aplikueshme nga të gjitha bizneset duhet të jetë shembulli i garancisë sovrane 1, pa normë interesi”, tha Prençe.
Edhe pse situata në sektor po përmirësohet, punësimi mbetet në udhëkryq, ndërsa Prençe thotë se problemi nuk janë pagat.
“Nëse në vitin 2019 ne kishim rreth 70 mijë punonjës, tanimë jemi në rreth 56 mijë punonjës. Tek ne vetëm rikthimi në normalitet na ka kushtuar 14 mijë punonjës, por mendoj se janë edhe më shumë pasi sektori ka rreth 25 mijë vende të lira pune. Sektori jonë e realizon dhe e tejkalon pagën minimale që është 30 mijë lekë pasi mesatarisht ne jemi në 32 apo 33 mijë lekë. Ka dhe paga shumë të kënaqshme që variojnë në mbi 60 mijë lekë në muaj, mund të shkojë edhe në 150 mijë lekë në muaj”, tha Prençe.
Nëse ngërçi me punësimin do të vijojë, zgjidhjen bizneset do e kërkojnë tek marrja e punonjësve të huaj.
“Në momentin që do të ezaurohet edhe kjo mundësi e fundit, për të marrë punonjës në vend, pse jo do të vazhdojmë të kërkojmë punonjës në vendet aziatike siç bëjnë dhe sektorët e tjerë”, pohon kreu i shoqatës Pro-Eksport Albania.
MPORTI I TEKSTILE DHE KËPUCË
Viti 2016 79,971 mld lekë
Viti 2017 87,123 mld lekë
Viti 2018 88,222 mld lekë
Viti 2019 87,203 mld lekë
Viti 2020 75,457 mld lekë
Viti 2021 90,831 mld lekë
EKSPORTI I TEKSTILE DHE KËPUCË
Viti 2016 106,608 mld lekë
Viti 2017 117,389 mld lekë
Viti 2018 123,742 mld lekë
Viti 2019 118,202 mld lekë
Viti 2020 102,344 mld lekë
Viti 2021 112,455 mld lekë