Katër tablo, katër vepra klasike, katër gra, i njëjti fat tragjik! Bazuar në katër vepra të njohura, baleti “Fatalità”, ideuar nga Enada Hoxha është shfaqur së fundmi në Teatro Massimo në Palermo. Kjo shfaqje shënon një moment të veçantë në rrugëtimin ndërkombëtar të një shfaqjeje të lindur në Tiranë e që i kushtohet katër grave ikonike të letërsisë dhe operës botërore: Ana Karenina, Zhuljeta, Violeta dhe Carmen.
“Është edhe historike për teatrin tonë. Ishte një fat i madh që e prekëm atë teatër sepse nuk ndodh shpesh, për të mos thënë që nuk ndodh asnjëherë. Jam gjithashtu e nderuar që bashkë me teatrin, unë jam producente, bashkëproducente me Teatrin e Operës dhe Baletit, që ka qenë mbështetës i jashtëzakonshëm në muajin korrik, në të cilin u punua në atë teatër. Suksesi që pati atje tregoi shumë mirë të gjithë kontributin atje.”, - thotë Enada Hoxha për "Report TV".
Pjesa përmban katër skena që interpretojnë tragjizmin e grave në situata të ndryshme shoqërore. Ndërsa heroina është gruaja që vdes, vepra përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë.
“Kam dashur të tregoj që sot e kësaj dite këto histori vazhdojnë dhe jetohen, që do të thotë janë kaq fatale. Sot kemi përsëri një histori tragjike si Romeo e Zhuljeta, Kemi po ashtu dashuri të forta, që mbarojnë në fatalitet siç është Traviata apo Ana Karenina. Unë kam dashur të them stop me dhunën ndaj grave dhe ky është koncepti që lindi ky balet.” , - vijon artistja.
Shfaqja bart një këndvështrim modern të kostumografisë, frymëzuar nga katër figurat femërore të kryeveprave botërore. Krahas Candeloros dhe Enada Hoxhës, për shfaqjen kanë punuar edhe kostumografja Edlira Qyshka dhe Florian Çanga si mjeshtër i video-design.
Komente
