Politikë

Fatbardh Kadilli për Report Tv: Bardhi, Alizoti e Gjekmarkaj dikur e shanin Berishën, tani i ‘lëpihen’ për t’u bërë deputetë! Primaret janë një teatër

4 Shkurt, 18:46| Përditesimi: 4 Shkurt, 22:36

  • Share

A ka ndryshuar Partia Demokratike dhe a ka shanse që të fitojë zgjedhjet e 11 Majit? Ku ndodhet opozita dhe pse është përçarë në disa fraksione?

Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe kandidat i saj për kryetar, Fatbardh Kadilli, analizoi sot në mbrëmje (4 Shkurt) situatën më të fundit politike brenda opozitës, ku ritheksoi edhe njëherë ato çfarë kishte deklaruar më herët para të gjithë demokratëve, se pa ndryshim brenda saj, PD nuk vjen dot në pushtet dhe as nuk e rrëzon dot Edi Ramën dhe PS-në.

Kadilli ishte i ftuar i emisionit “Studio Live” të gazetarit Arbër Hitaj, në Report TV.

Dy nga pikat ku ai u përqëndrua ishte ‘demenca politike’ e deputetëve të PD-së që dikur shanin Berishën dhe sot “vallëzojnë” për të për t’u bërë përsëri ligjvënës më 11 Maj, si dhe iluzioni fals që i është krijuar elektoratit opozitar, duke fshehur të vërtetën, me një lidership të vjetër si Berisha, që mban partinë mes paradokseve. Ai i cilëson Primaret në PD si një teatër të Berishës, i cili edhe pse do i humbasë zgjedhjet e 11 Majit sipas sondazheve (të publikuara nga Report TV), do e mbajë partinë dhe nuk do e lëshojë.

“Shqetësimi im prej disa vitesh dhe angazhimi në tre katër vitet e fundit ka qenë përpjekja për të ndryshuar opozitën. Kemi 12 vite në qeverisjen e Ramës me të gjitha të zezat, me korrupsion dhe krim dhe rrezikojmë të rrimë edhe 4 vite të tjera me të tjera, sepse opozita nuk pranon të ndryshojë. Kjo është edhe përpjekja ime për të angazhuar në këtë situatë, janë të njëjtat gjëra që thashë në kongresin e 11 Dhjetorit, me qëllim që gjërat të përmirësohen. PD vazhdon të përsërisë të njëjtat gjëra, në sjellje, reagim, program. Ajo që duan shqiptartë nuk gjendet te fjalimi i lidershipit të PD-së. Pas refuzimit për të ndryshuar, mbetet forcë politike e kompelksuar që nuk kapërcen dot problemet e veta”, shprehet Kadilli, duke kujtuar se mazhoranca rrezikon të fitojë përsëri.

Dhe fajin për këtë ia vendos opozitës dhe iluzionit fals që ajo krijon tek mbështetësit. Dhe këtu kujton sjelljen me dy standarde dhe pa moral politik të deputetëve të PD-së që disa vite më parë shanin Sali Berishën dhe tani janë krah tij për interesa personale që të rizgjidhen.

“Për një kohë të gjatë zoti Berisha dhe ata që e kanë ndjekur nga pas janë munduar të ndezin shpresë te demorkatët dhe kjo shpresë e rreme është falsifikimi i të vërtetës. Mjafton të shohësh sondahet dhe të bësh 5 minuta bisedë me anëtarët e PD, që të kuptosh se nuk kanë asnjë shans. Ndaj janë të shkëputur nga realiteti i shqiptarëve. Shqiptarët kanë shqetësim se çfarë do ndodhë me ta, me ardhmërinë, me kë do e lidhin kontratën? Me ata që duan të bëhen deputetë, me ata që nu premtojnë asgjë, një krizë e thellë morale. Dikur e shanin dhe e sulmonin. Kurse sot dalin e bëjnë fushatë me Berishën. Kujtoj këtu Tomor Alizotin, Gazment Bardhin, Agron Gjekmarkaj e të tjerë. Çfarë ndryshoi, Berisha apo këta? Berisha nuk ka si ndryshon, ka shkuar 80 vjeç, pra ndryshuan ata se duan të bëhen deputetë, i lëpihen për t’u rizgjedhur. Për ta ka rëndësi nëse bëhen apo jo deputetë. Për të falsifikuar të vertëten bëjnë sikur gëzojnë, shpërndajnë optimizëm se duan të bëhen deputetë. Dikur sulmonin ndërkombëtarët, pretendojnë se janë sovranistë, tani shtrëngojnë duart me zyrtarët gjermanë, ku janë këta konservatorë sot?”, shprehet ish-deputeti demokrat për Report TV.

Kadilli vë theksin edhe te bipolariteti politik i Berishës, i cili nuk është konsistent në ato që thotë duke e krahasuar ndër vite, duke marrë si shembull deklaratat për dy gjinitë. Dhe në fund apelon se pa bërë ndryshime brenda PD-së, nuk mund të fitohen dot zgjedhjet.

“A nuk ishte Berisha që premtonte se do bënte martesën e parë gay dhe akuzonte Ramën se 10 vjet kryetar bashkie nuk bëri një martesë gay, tani thotë se do shpallë vetëm dy gjini? Kujt Berishë t’i besojmë? Drama e opozitës sot, kriza më e thellë morale. Nëse nuk bëjmë dot zgjedhje brenda partisë tonë, nuk bëjmë dot zgjedhje për shqiptarët. Nëse nuk ndryshojmë sjelljen politike, s’e rrëzojmë dot Ramën. Nuk rrëzohet me molotov e të bërtitura, por me ndershmëri dhe integritet. Por nuk i gjen këto te PD, kush e thotë gënjen veten dhe krijon entuziazëm fals dhe falsifikim të së vërtetës. E vërteta do duket më 11 Maj”, shprehet ai.

Ora 19:10
Kadilli: Berisha ka dështuar, Primaret janë një teatër, do humbasë zgjedhjet dhe do mbajë PD-në! Kryetarët e partive të reja i ka mbytur deliri dhe egoja

Ish-deputeti Fatbardh Kadilli i quan teatër Primaret e Sali Berishës në Partinë Demokratike. Një falsitet që sipas tij nuk e ndryshon realitetin e sondazheve, humbjen e qartë të opozitës në gjendjen që është aktualisht, në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Por duke folur për Report TV, në “Studio Live”, ai parashikon se edhe pse do humbasë, Berisha nuk do e lëshojë PD-në. Kurse për partitë e reja politike të sapokrijuara, kujton se kanë një problem madhor, “delirin e madhështisë së kryetarëve të tyre”, që tani “zihen për mikrofonin dhe radhën e të folurit”.

“Këto Primare nuk përcaktojnë se kush do jetë deputet, por janë falsitet për të legjitimuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nga e cila zoti Berisha do bëjë listën pëfundimtare. Është gënjeshtër kush thotë se janë Primare, nuk janë. Protestat janë pozitive dhe unë i mbështes dhe i kam mbështetur. Por nuk duhet fokusuar vetëm te protesta. Primaret janë teatër i Berishës dhe ai do bëjë listën që do. Por protestat bëhen vetëm për një qëllim, për të krijuar entuziazëm fals dhe mbuluar të vërtetën. PD ka dalë nga misioni i opozitës. Denoncimin e bën dhe media dhe opozita nuk duhet të mjaftohet vetëm aty. Nuk duhet të mjaftohet vetëm te premtimet, por edhe te alternativa. Apo opozita që zihet me njëra-tjetën, partitë e vogla që zihen për mikrofonin”, thotë Kadilli.

Ish-deputeti mendon se Berisha tashmë e ka mbaruar misionin e tij, ka dështuar dhe se do i humbasë zgjedhjet, por e parashikon se edhe pse do humbasë më 11 Maj nuk do e lëshojë PD-në.

“Nuk sjellin asgjë të re, as me protestë dhe as me zgjedhjet në parti. Berisha ka dështuar me protestat, pjesëmarrja e ulët dhe vijon e ulet më tej. Ia la partinë Bashës si ato rrapat e vjetra, që dikur lihej fëmija aty dhe pastaj vinte e merrte babai. Këto janë mashtrime të rënda dhe dështim. Duket që te sllogani, “është radha jonë”. Çfarë do të thotë kjo? Pasi e vodhën socialistët, tani e kanë radhën për të vjedhur demokratët? Berisha tradhtoi opozitarizmin. Berisha do i humbasë zgjedhjet dhe do mbetet kryetar i PD”, thotë ai.

Më tej apelon vetëm për bashkim nëpërmjet ndryshimit të lidershipit. Vetëm bashkimi i të gjithë opozitës, përfshi edhe partitë e vogla, mund të krijojë një realitet të ri.

“Besimi se duke mos ndryshuar opozitën do rrëzoni Ramën, është falsitet. Ndaj them që të ndryshojë opozita, një opozitë e bashkuar. Nga Arlind Qori dhe deri te lidershipi i PD. Por realiteti është se ka tre realitete opozitare: PD, partitë e vogla të vjetra opozitare dhe mozaiku i partive të vogla e të reja, kopjo e të keqes, kryetarë partie që zihen për mikrofonin dhe dalin e debatojnë me njëri-tjetrin, kur debatin e kanë me Ramën. Por egoja, deliri i ka mbytur, edhe vetëkënaqësia, sëmundje e vjetër politike. Por këta e dinë se s’janë në lojë dhe shpresojnë se do hyjnë, thonë hajde ta provojmë, ambicie për karrierën e tyre. Ndaj e quaj tradhti të misionit opozitar. PD është e braktisur, më larg se kurrë qytetarëve, më larg se kurrë opozitarëve. Gjithmonë e kam thënë dhe e them për të mirën e PD dhe opozitës, duhet bashkim, madje edhe Basha e Berisha të bashkoheshin kohë më parë, por po shohim se Basha po bën parti, e bëri edhe me zotin Alibeaj”, analizon ai në Report TV.

Edhe pse është pesimist, Kadilli beson se po të bashkohen, ka kohë për të ndryshuar gjendjen, vetëm nëpërmjet bashkimit të faksioneve.

“Ka mbetur fare pak kohë, por përsëri ka mundësi për bashkim. Bashkimi nuk bëhet duke iu nënshtruar Berishës, por me modelim të ri. Unë jam për një bashkim të këtyre fraksioneve opozitare në një, të heqin nga vetja për të mirën e opozitës. Të ndryshojmë vendin dhe të mos e lëmë në dorë të Edi Ramës”, përfundon ish-deputeti.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?