Fate Velaj rrëfen propozimin e Ramës për ‘Amerikanët’! Rrugëtimi përmes 70 imazheve, artisti: Mora aparatin, familjen dhe u nisa

15 Dhjetor 2022, 16:54| Përditesimi: 15 Dhjetor 2022, 19:11

  • Share

Ishte në të 30-tat zvicerani Robert Frank, kur përmes një burse i jepet mundësia të rrëfejë Amerikën. Shëtit në 48 shtete të ndryshme, përgjatë viteve 1955 dhe 1957, e fikson me aparatin e tij rrugë, njerëz, sheshe, lëvizje, momentet më thelbësore që krijuan një nga reportazhet më revolucionarë të imazhit...

67 vite larg, artisti shqiptar Fate Velaj, i frymëzuar prej veprës së Frank,  gjatë dy udhëtimeve, tenton të rizbulojë gjurmë nga ato shkrepje, por edhe të hulumtojë mbi ndryshimet në përditshmërinë e amerikanëve.

“Duke shfletuar albumin e tij fotografik të ciklit ‘Amerikanët’ erdha në mendimin, që pas udhëtimit të parë, të bëja një udhëtim tjetër më të thellë mbi amerikanët dhe të shikoja ndryshimin e fotografive dhe të jetës së tyre të përditshme. Dhe kështu mora aparatin dhe familjen, bëra disa fotografi të cilat i keni këtu, pra, nëpër qytet dhe pastaj, makinën me qera, dhe u lëshova, fshatrave, rrugëve, liqeneve të Amerikës, duke fotografuar atë që mua më ngacmonte më shumë”, shprehet artisti Fate Velaj.

Siç bëhet e ditur, 70 imazhet e ekspozuara në Kryeministri, rrëfejnë “Amerikanët”, edhe në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve të Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ishte kryeministri, një njohës i mirë i fotografisë sime që më tha, doja të nisja punën për një ekspozitë që ky vit i mrekullueshëm i 100 viteve miqësie me Amerikën, të mbyllej me një deklaratë dashurie, në këtë rast përmes fotografisë këtu në COD”, shprehet më tej.

Nuk janë të programuara, imazhet e Velajt. Artisti ndjek momentet, portretet a ngjarjet për të, të veçanta që i servir udhëtimi krejt spontanisht..

“Në fotografinë e ekspozuar të Fate Velajt, ne shikojmë jetën, të përditshmen amerikane. Shohim njerëz që diku e kanë vëmendjen tek fotografi, diku as që nuk e dinë se fotografi është aty edhe po i fotografon. Pra, ajo natyrshmëria e jetës amerikane. Është një fotografi, që nuk mund të them se i përket zhanrit të reportazhit, por është një kërkim artistik i vetë fotografit”, shprehet kuratori i ekspozitës Albes Fusha.

Fate Velaj lëvron gjithashtu pikturën e letërsinë, krahas angazhimit politik. Si ish-këshilltar kulture i kryeministrit Rama, tregohet i rezervuar për këshilla mbi lëmën...

“Nuk mund t’i jap këshilla një kulturë prodhuesi siç është kryeministri. Mund t’i jap një teknokrati, ekonomisti, minatori... Nëse do sugjeroja diçka, mbetet gjithmonë në kuadër të një debati konfidencial”, thotë Velaj.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?