Fati i pasigurt i monumentit të rrëzuar sovjetik në Bullgari

21 Dhjetor 2023, 08:42| Përditesimi: 21 Dhjetor 2023, 08:44

  • Share

Teksa çmontimi i Monumentit të Ushtrisë Sovjetike në qendër të Sofjes po vazhdon, shumë bullgarë po pyesin veten nëse do ta shohin atë përsëri ndonjëherë. Autoritetet pretendojnë se monumenti, i cili filloi të çmontohej më 12 dhjetor, do të rivendoset në publik. Por, nuk dihet se kush do ta rindërtojë, apo si do ta rindërtojë atë, e as nuk është e qartë se ku mund të shfaqet për publikun kjo përmendore.

Debatet dekadëshe për monumentin e Ushtrisë së Kuqe po vazhdojnë pandërprerë, edhe pasi punëtorët filluan t’i presin copa-copa statujat e tij më të larta. Pamjet e punëtorëve duke e prerë me disqe prerëse monumentin, i habitën shumë njerëz, të cilët e vunë në pikëpyetje nevojën teknike për “gjymtime” të tilla, të cilat rrezikuan nxitjen e tensioneve politike në Bullgari. Një sondazh në tetor 2023 gjeti se 30.7 për qind e të anketuarve dëshironin që kompleksi i epokës së komunizmit të mbetej në vendin e vet, derisa 22 për qind thanë se duan që ai të shkatërrohet dhe 27.8 për qind të të anketuarve u shprehën se monumenti duhet të jetë i shfaqur në një muze.

Marin Markov, skulptor i cili është i përfshirë në largimin e monumentit në Sofje, tha për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë (REL) se heqja e statujave qendrore ishte nevojë teknike. Tri figurat në krye të kompleksit, thotë ai, ishin të mbushura deri në bel me beton dhe se peshonin së paku 30 tonë në përgjithësi, që nënkupton se shumica e vinçave nuk kanë kapacitet për ta ngritur. “Pra, figurat u ndan në dy apo tri copa, secila peshonte më pak se maksimumi prej 4 apo 5 tonëve që një vinç mund t’i përballojë”, tha Markov.

Në tetor, Markov ishte angazhuar nga qeveria rajonale e Sofjes për ta përgatitur një raport rreth gjendjes së statujave në krye të monumentit të Ushtrisë së Kuqe. Skulptori gjeti çarje të thella në disa prej figurave të cilat gjoja e bënë atë të rrezikshëm. Në mbrëmjen e 12 dhjetorit, punëtorët e prenë dhe e larguan dorën e statujës qendrore të kompleksit. Pak më vonë, koka e ushtarit të monumentit sovjetik dhe gruaja me një fëmijë në duart e saj, u rrëzuan. Të nesërmen, u largua statuja e një punëtori.

Vira Todeva, guvernatore për rajonin e Sofjes, thotë se çmontimi i monumentit u bë pas një plani të mbikëqyrur nga administrata e saj. Më 15 dhjetor, ajo e publikoi vetë tekstin e planit, pas kërkesave nga partitë politike pro-ruse në Bullgari, të cilat e kishin kundërshtuar heqjen e monumentit. Plani tregoi hollësi se si duhej të hiqej monumenti, përfshirë mënyrën se si duhej të copëtoheshin pjesët individuale të statujave në krye të tij. Plani parashihte që statujat të hiqeshin deri më 19 dhjetor. Ministria e Kulturës e Bullgarisë kishte urdhëruar më herët pezullimin e heqjes së monumentit derisa punimet po vazhdonin. Ajo pretendon se puna nuk ishte sqaruar me të së pari.

Specialistët kanë pikëpamje të ndryshme për mënyrën më të mirë të rrëzimit të një monumenti të tillë. Skulptori dhe ish-ministri Velislav Minekov nga Akademia e Arteve e Bullgarisë u pajtua se monumenti duhej të bëhej copa-copa për t’u larguar në mënyrë të sigurt, por thotë se mënyra se si u bë – me disqe prerëse – do ta bëjë të vështirë dhe të kushtueshme rivendosjen e tij më vonë. “Procesi teknik më bezdis shumë”, tha ai, duke i quajtur punimet “punë e kryer me padituri e vonesë”.

Skulptori Marin Markov e mbrojti përdorimin e disqeve prerëse, duke thënë se nuk kishte zgjidhje më të mira. “Tehu është 1 milimetër i trashë, që në një statujë si kjo nuk është asgjë”, tha ai. Mjetet më të fuqishme për prerjen e metalit kanë tehe për të cilat Markov thotë se bëjnë vrima deri në 8 milimetra të gjera. Petya Penkova nga Instituti Kombëtar Arkeologjik thotë se monumentet e bronzit janë çmontuar më parë në Bullgari, por asnjëherë në një shkallë kaq të gjerë, apo me qëllim që më vonë të rivendosen.

Kur të përfundojë puna e rrënimit, e ardhmja do të jetë e pasigurt për monumentin e Ushtrisë së Kuqe. Në planin e publikuar nga administrata e qytetit thuhej se pjesët e monumentit do të dërgohen në një vend afër Lozen, një fshat në juglindje të Sofjes. Zyrtarisht, plani është që pastaj monumenti të kthehet dhe të shfaqet në një vend ku do të shërbejë për “edukim” e jo për propagandë.

Por, disa njerëz druhen se monumenti mund thjesht të mbledhë pluhur diku në depo të përhershme. Fillimisht besohej se monumenti do të shfaqej në Muzeun e Artit Socialist të Sofjes, por drejtori i tij tha së fundmi se kjo nuk është mundshme dhe se asnjë kontraktues nuk ishte caktuar për rivendosjen e tij. Penkova thotë se për monumentet e rëndësishme si ai i Ushtrisë së Kuqe nevojitet një udhërrëfyes i plotë. “Kur e bën një plan afatgjatë, të duhet vizion për të gjitha fazat”, tha Penkova. Guvernatorja rajonale Vira Todeva tha për REL-in se gjendja e monumentit është “urgjente” për shkak të rrezikut që përbëjnë statujat e dëmtuara në të dhe se, derisa puna për gjetjen e një kontraktuesi për rivendosjen e tij po vazhdon, “ne nuk kemi mundësi ta mbajmë atë në skele”.

Më 2017, një monument tjetër i epokës së komunizmit i quajtur 1.300 vjetët e Bullgarisë – i cili ishte më pak përçarës dhe i cili cilësohej si i pahijshëm nga bullgarët – u hoq nga një shesh në qendër të Sofjes me pretendimin se do të rivendosej dhe shfaqej për publikun. Kjo nuk ndodhi kurrë. Muzeu rajonal i historisë i Sofjes konfirmoi për REL-in se monumenti është duke u ruajtur tani për tani, copa-copa. Nuk dihet se kur mund të rivendoset ai. Drejtori i Muzeut të Artit Socialist, Nikolay Ushtavaliyski, iu referua monumentit të harruar 1.300 vjetët e Bullgarisë dhe tha për REL-in “unë kam frikë se monumenti i ushtrisë sovjetike do ta ketë fatin e njëjtë”./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?