Një nga kritikët e dy “kampeve”, Fatbardh Kadilli i cili foli në studion e Report Tv për “fatin” e PD, tha se partia kurrsesi nuk do të bëhet konkurruese nëse në krye të saj do të qëndrojë një person pa projekt politik dhe me frymë arkaike si Sali Berisha.
Sipas tij Partisë Demokratike në këtë momenti kritik për ekzistencën e saj i duhet një lider që do të sjellë ide ndryshe, nuk do të akuzohet për korrupsion dhe nuk do të ketë “mbi kurriz” dështime.
“Berisha e ka bërë të qartë që do të marri në kontroll, PD. Ky ishte objektivi i tij të marrë PD, ai e realizoj. Pazotësia e Bashës, bëri që Berisha të merrte PD. Dobësia e njërit dhe forca e tjetrit na solli në këtë realitet. Arsyeja pse PD është në këtë gjendje, është fakti se ne nuk po prodhojmë një projekt politik. Berisha ka një program, por jo projekt politik për ta bërë PD konkurruese. Fjalimi është projekti politik? Me të njëjtat fjalime si në 2005, 2007 si sot?
Dua që PD të jetë konkurruese. Kjo nuk mund të ndodh me të njëjtin ekip politik, sepse këta do të prodhojnë po të njëjtën gjë gjithmonë. Kjo parti, po nuk ndryshuam vetveten, nuk do të ndryshojmë Shqipërinë, nuk do të jemi konkurrues. Gjë e re nuk do të thotë moshë, por projekt i ri. Ai ka bërë dhjetëra projekte dhe ka dështuar, thotë më fal dhe prapë vazhdon. Unë i kërkoj atij dhe kujtdo, të shohin se çfarë përgjegjësie kanë ndaj PD. Është radha t’i japin partisë shansin të rigjenerohet.
Ne flasim për ndarjen dhe ndarjen e zgjidhim vetëm me numra. Ajo ka arsye që ndodhi. Në kuvend nuk dëgjuam asnjë fjalë për bashkimin, nuk jam fanatik për bashkimin, por nëse do të ndahesh, ndahu. Ne na duhet një përgjigje e re, me moral të ri politik, me lider që del në rrugë dhe nuk e akuzohen për korrupsion dhe dështime në kurriz.”, tha ai.
I ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj, Kadilli tha se në PD aktualisht janë 3 grupe ose “realitete” sic i cilësoi. Dy të parat janë të ashtuquajturat “kampe”, “Rithemelimit” dhe ai i “Grupit Parlamentar”, i treti sic sqaroi Kadilli është më i “fshehtë” pasi aty përkasin demokratët mosbesues. Ata që nuk kanë besim tek asnjëra nga palët.
“Në PD kemi 3 realitetet, por kjo s’ka të bëje me numrat, me mbështetësit e secilës palë. Basha deri në shtator ishte dominant, por tani është i paqenë dhe e kundërta me Berishën. Kemi një realitet Grupin parlamentar, i cili është futur në një tjetër aksion politik, paralel me atë të Rithemelimit. Aksioni i Berishës është fokusuar te strukturat. Grupi parlamentar po merret me akseptin ligjor. Kemi edhe një realitet të tretë, të heshtur. Një pjesë e anëtarësie, nuk janë përfshirë në proces, në disa zona kjo është edhe më e theksuar. Ky është një realitet i hidhur, fakti që kemi grupin parlamentar, rithemelimin dhe një grup të tretë që nuk beson tek asnjëri, kjo tregon se PD nuk është gjëkundi.”, u shpreh demokrati.
I pyetur lidhur me pjesëmarrjen e tij në Kuvendin e Berishës dhe rizgjedhjen e tij si anëtar i Këshillit Kombëtar, ai theksoi se nuk është me asnjë nga plaët, por me demokratët.
“Fakti që isha në Kuvend, nuk është gjë e re, kam qenë në çdo Kuvend. Nuk refuzoj asnjë kuvend, çdo Kuvend është mundësi për t’i folur demokratëve. Nuk mund të shkëputem nga asnjë palë, nuk refuzojë një palë dhe zgjedh tjetrën. Unë e gjej veten me demokratët. Kam qenë në kuvendin e dy palëve. Për shumë vite kemi pasur një mentalitet shumë të keq thonim “e di Berisha”. Ky mentalitet duhet të marrë fund”, tha ai.
I ftuar në studio ishte edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Aulon Kalaja i cili tha se procesi i zgjedhjes më 30 prill ishte një përpjekje për të rikthyer votën e lirë.
“Procesi ishte një përpjekje për të shkuar drejtë votës së lirë dhe për transparencë. Nuk u bë rrëmuja e herëve të kaluara.”, tha ai.
Kujtojmë se Kuvendi Kombëtar i zhvilluar më 30 prill, i thirrur nga Sali Berisha një ditë më parë, ka zgjedhur 150 emrat e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së.