Me ritmin e rritjes së turizmit dhe rekordet që po thyen Rinasi, me 250 avionë që ngrihen çdo ditë, Aeroporti i Vlorës do të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se 1 milion pasagjerë
Perse jo? Kur Rinasi priti e përcolli vjet 7.1 milionë pasagjerë, shumica vizitorë të huaj, Vlora turistike aty i ka pasagjerët e vet. Dhe të mendosh se studimi i leverdisshmërisë së Aeroportit Ndëkombëtar të Vlorës (Studimi i fizibilitetit), i përgatitur pesë vite më parë, parashikonte vetëm 330 mijë pasagjerë për vitin e parë të operimit, vitin 2025. Kohët kanë ndryshuar shumë dhe për mirë për Shqipërinë.
Zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mëtoi këtoi ditë lajmin se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të përfundojë fizikisht ndërtimin më 31 dhjetor 2024.
Ky është një afat i rëndësishëm i mbajtur. Nga janari 2025 e deri në mars e prill 2025, Aeroporti ka fazën e çertifikimit për fluturimet ndërkombëtare të tij. Në vitin e parë të veprimtarisë së tij, që është pikërisht viti i ardhshëm, Aeroporti i Vlorës do të ketë pasagjerë të paktën tre herë më shumë, nga sa ishte parashikuar në studimin e tij të leverdisshmërisë.
Me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rekordet që po thyen Rinasi në numër pasagjerësh dhe linjash fluturimi, me 250 avionë që ngrihen çdo ditë, është e sigurt që Aeroporti i Vlorës do të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se 1 milion pasagjerë.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës: Të dhënat
Aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore, duke u marrë masa që të mos krijohen probleme me reflektimet e paneleve, gjatë uljes e ngritjes së avionëve në aeroport. Panelet do të prodhojnë 5.2 megavat energji të rinovueshme, e cila do të shkojë e gjitha për nevojat e aeroportit, duke ulur ndjeshem kostot e operimit te tij dhe tarifat portuale.
Vlora, aeroporti i Diasporës
Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e gjatë 3.2 km, me gjerësi 60 metra. Aeroporti është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan, i aftë të përpunojë edhe avionë transoqeanikë. Për shembul, nga SHBA për në Vlorë dhe anasjelltas.
Vlora, “aeroporti i emigrantëve”?
Terminali i pritjes dhe përpunimit të pasagjerëve do të ketë një hapësirë 20 mijë metër katrorë, e mjaftueshme për të përpunuar edhe 3 milionë pasagjerë në vit. Me këtë kapacitet të lartë që në vitin e parë të veprimtarisë, me siguri që të dyja kompanitë që fluturojnë me kosto të ulët, kompania Wizz Air dhe kompania Rayan Air, do të operojnë, krahas Rinasit, edhe në Vlorë.
Këto kompani shkojnë aty ku ka kërkesë të lartë për fluturime. Erdhën që të dyja në Rinas dhe “dueli” i tyre për të tërhequr sa më shumë pasagjerë në linjat që ofrojnë ka bërë që sot Rinasi të jetë aeroporti me biletat e udhëtimit më të lira në botë!
Është e vështirë për t’u besuar, por këtë nuk e themi ne. E pohon gazeta e mirënjohur italiane “Corriere della Sera”, në një shkrim-investigim të saj të datës 24 maj 2024, me titull :”Biletat me kosto të ulët: sfida Rayan Air-Wizz Air me goditje skontosh në Shqipëri”.
Prania e këtyre kompanive ajrore të fluturimeve me kosto të ulët edhe në Vlorë është mëse e sigurt dhe kjo garanton bileta të përballueshme dhe me oferta tërheqëse edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Aeroporti ndodhet i vendosur në Akërni, në një zonë strategjike ajrore, shumë të përshtatshme, e cila lejon fluturime nga të gjitha anët e horizontit. Akernia ndodhet në një terren të ulët bregdetar, 2 metra nën nivelin e detit. Prandaj dhe është bërë një punë e madhe inxhinierike nga kompanitë ndërtuese, me ngritje dherash, duke e ngritur pistën dhe aeroportin mbi nivelin e detit.
Pista për uljen dhe ngritjen e avionëve po ndërtohet 2.6 metra më e lartë se niveli i detit dhe aeroporti 4 metra më i lartë, ndërsa rruga perimetrale 6 km(rrotull pistës) është që sot e gatshme për asfaltim. Të gjitha këto vepra përfundojnë brenda kësaj vere. Në fillim të këtij viti nisi ndërtimi i rrjetit të furnizimit me ujë. Edhe ky rrjet mbaron po brenda kësaj vere.
Ndërsa në janar 2025, fillon çertifikimi ndërkombëtar i Aeroportit të Vlorës. Krahas punishtes së mirëmbajtjes së avionëve, Aeroporti do të ketë edhe Akademinë e Pilotëve Shqiptarë të Aviacionit Civil.
Deri në fund të kësaj vere, Aeroporti do të ketë të çertifikuar ndërkombëtarisht kontrollorët e tij të trafikut ajror. Për të gjithë ata që shqetësohen se Rinasi dhe Vlora janë afër dhe te dy aeroportet mund të bëjnë “xing” me njeri-tjetrin, që të dy këta aeroporte kanë karakteristika të ndryshme.
Aeroporti i Rinasit është aeroport kryeqyteti.Njerezit preferojnë të zbresin në kryeqytet si, p.sh. biznesmenët, qeveritarët, delegacionet e huaja, turistët, por edhe emigrantët që kanë blerë shtëpi në Tiranë. Tirana është bërë mbi 1 milion e gjysëm banorë, duke përfshirë Durrësin, Krujën dhe Elbasanin. Kjo masë pasagjerësh do t’i mbetet Tiranës dhe Rinasit.
Kurse Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë cargo, do të jetë për fluturimet turistike. Do të ketë turistë që duan të shkojnë afër detit dhe të evitojnë rrugën me makinë, apo mjete të tjera. Rritja e forte ekonomike e vendit dhe fluksi i jashtëzakonshëm i turistëve, që mendohet të zgjasë të paktën dhjetë vjet me këto ritme, kanë nevojë si për oksigjenin, për të dyja këto aeroporte.
EDI RAMA DUHET DHE AEROPORT NE KORCE,, SHKODER,,,DHE SARANDE APO GJIROKASTER...QE TE SHKOJME NE 40 MILION TURISTE....DHE INCENERATORE NE TIRANE,,DURRES,SHKODER,,VLORE,,KORCE,, QE TE MBAJME AMBIENTIN PASTER...
Përgjigju