Nën nxitjen dhe këmbënguljen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave ka njoftuar se qeveria do të ofrojë garanci shtetërore për 70 përqind të vlerës së kredisë që do të kërkojnë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në bujqësi, në masën e 3 miliardë lekëve ose 30 milionë eurove.
Këto para garanci nuk mund t’i jepen dot çdo bujku që mund të dojë të marrë hua bankare. Ato do të jepen për investime në stalla, sera, në makineri, agro-përpunim, agroturizëm, peshkim apo akuakulturë, për sipërmarrje të vogla dhe të mesme bujqësore.
Prandaj duhet që bujqit, fermerët tanë të organizohen, duke u bashkuar dhe duke u regjistruar si sipërmarrje e vogël ose e mesme, për të përfituar deri në 250 mijë euro hua të butë me garanci nga Shteti, për punët e mësipërme në bujqësi.
Në këtë mënyrë, këto biznese bujqësore nuk janë të detyruara të lënë peng, pra kolateral në bankën që jep huanë. Po ashtu, ato do të përfitojnë edhe kushte lehtësuese për të marrë financim.
Shuma e kredisë nuk do të kalojë 25 milionë lekë ose 250 mijë euro, për secilin prej sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme bujqësore që aplikojnë, ndërsa norma e interesit nuk do të jetë më e lartë se 2 përqind. Qeveria po përgatitet këtë muaj të miratojë një VKM të detajuar për kushtet dhe kriteret e kësaj garancie.
Kjo është Garancia e pestë Sovrane që qeveria shqiptare vë në dispozicion, si një mundësi për likuiditet të shtuar per fermerin ose grupe të fermerëve, me shtetin si garantues.
Kjo skemë garancie është në të njëjtën linjë me Programin e Financimit të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla e Mesme, të miratuar në janar 2025 nga Banka e Shqipërisë me vlerë 250 milionë euro, që parashikon kredi me interesa të ulta për këto sipërmarrje.
Çfarë është garancia sovrane për fermerët?
Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për të vënë në dispozicion 30 milionë euro garanci sovrane për fermerët përbën një hap të rëndësishëm drejt ndihmës konkrete për sektorin bujqësor, që prej vitesh më parë ka vuajtur fort mungesën e financimit, informalitetin dhe pasigurinë e tregut.
Garancia sovrane nuk është para në dorë që i jepet fermerit, por është një mbështetje financiare që shteti i ofron bankave apo institucioneve të tjera financiare, për të lehtësuar dhënien e kredive ndaj fermerëve.
Në praktikë, kjo do të thotë që nëse një fermer kërkon një kredi për investim, p.sh. për makineri bujqësore, serra, mbarështim blegtoral, përpunim të prodhimeve, etj., atëhere shteti garanton një pjesë të kredisë, në rast të pamundësisë për shlyerjen e saj. Në këtë rast, garanton deri në 70 përqind të huasë.
Pse është e rëndësishme garancia sovrane për fermerët?
Sektori bujqësor tek ne ka qenë tradicionalisht në vështirësi për të fituar kredi nga bankat. Bankat janë shumë mosbesuese ndaj fermereve qe u trokasin ne dere, ngaqe ata shpesh nuk kanë kolateral, tokë të regjistruar apo pasuri të paluajtshme.
Nga ana tjeter, të ardhurat e tyre janë sezonale dhe jo të qëndrueshme. Prodhimi bujqësor është i rrezikuar nga faktorë natyrorë, si përmbytjet, thatësira, bresheri, etj.. Fermeri e ka te veshtire t’i tregoje bankes zinxhirin ekonomik, që lidh prodhimin e tij ne are apo ne stalle, me përpunimin dhe tregun.
Në këto kushte, bankat i kanë parë fermerët si klientë me rrezik të lartë, duke iu shmangur financimit te tyre. Me këtë garanci, rreziku ndahet me shtetin, çka i nxit bankat tona tregtare të hapin portat e kreditimit për bujqit dhe fermeret tanë.
Ku mund të ndihmojnë huate me garanci shteterore per fermeret?
Pa dyshim që hua të tilla do të sjellin rritje të investimeve në fermë. Fermerët do të kenë mundësi të blejnë pajisje moderne, të zgjerojnë prodhimin, të investojnë në sisteme ujitjeje dhe përpunimi, duke rritur rendimentin dhe cilësinë.
Duke shkuar në bankë, fermeri i rregjistruar me NIPT, huaja bankare nxit më tej formalizimin e sektorit bujqësor. Kjo, ngaqë, për të përfituar nga garancia shteterore, fermerët duhet të jenë të regjistruar dhe të kenë NIPT. Dhe fermerë pa NIPT kemi ende në nivel 120-150 mijë prej tyre. Edhe pse pajisja e fermerëve me NIPT, për shkak të përfitimit nga skemat shtetërore të mbështetjes së drejtpërdrejtë në bujqësi, është rritur me herë në tre vitet e fundit(nga 53 mijë fermerë me NIPT në vitin 2023, sot kemi mbi 127 mijë prej tyre).
Huaja me garanci shteterore nxit shumë edhe shtimin e bashkimeve bujqësore, që është hapi i parë drejt konkurrueshmërisë në treg.
Huatë bankare me garanci do të synojnë sidomos mbështetjen për fermerët e rinj, që kërkojnë të zbatojnë teknologji të reja në bujqësi dhe të kenë më shumë akses në financimin bankar. Kjo rigjallëron zonat rurale dhe krijon vende të reja pune.
Së fundmi, huatë e buta deri në 2 përqind, do të sjellin shtimin e përpunimit bujqësor dhe blegtoral, si dhe më shumë eksporte bujqësore.
Me më shumë investime, fermerët mund të përfitojnë më shumë nga prodhimi i shtuar dhe të hyjnë në skema të bashkëpunimit me përpunuesit, duke ndërtuar zinxhirë të qëndrueshëm ekonomikë, nga prodhimi në tokë dhe në stallë, e deri në treg.
A do funksionojë garancia sovrane?
Garancia prej 30 milionë eurosh është pozitive, por nuk është e mjaftueshme, nëse nuk shoqërohet me transparencë, ndihmë teknike dhe ndarje të drejtë të qasjes ne banka per fermeret. Për ta bërë këtë garanci të suksesshme, duhen plotësuar kushtet e mëposhtme:
Garancia shtetërore prej 30 milionë eurosh për fermerët është një instrument i rëndësishëm zhvillimor, që mund të japë fryte reale nëse zbatohet me përkushtim dhe profesionalizëm.
Ajo përfaqëson një kthesë të fortë në politikën ekonomike ndaj bujqësisë shqiptare, një sektor me potencial real për punësim, eksport dhe zhvillim rural. Suksesi i saj do të varet jo vetëm nga vullneti politik, qe qeveria po e deshmon, por edhe nga aftësia për ta zbatuar këtë politikë në terren, pa klientelizëm, pa burokraci dhe me besim të ndërtuar tek fermerët.
Komente
