Presidentja e KE-së Von der Leyen

Fatos Çoçoli: 6 miliardë eurot e Brukselit dhe ne

3 Dhjetor 2023, 17:14| Përditesimi: 3 Dhjetor 2023, 17:19

  • Share

Në muajin nëntor 2023, Komisioni Evropian(qeveria e Bashkimit Evropian) shpalli Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin 6 miliardë euro në katër vjet, 2 miliardë euro grante(para dhuratë) dhe 4 miliardë euro kredi të buta, për të gjashtë vendet tona: Malin e Zi, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von del Leyen, duke prezantuar Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Bratislavë, Sllovaki

Në plan, fushat prioritare do të jenë lëvizja e lirë e produkteve, shërbimeve dhe punëtorëve, qasja në zonën Evropiane të pagesave, lehtësimi i transportit rrugor, integrimi i tregjeve të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit.

Bashkimi Evropian shpreson se, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, të bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, do të zgjerohet më tej integrimi ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Si do merren 6 miliardë eurot?

Plani i Rritjes bazohet në katër drejtime kryesore. Ato synojnë (i) shtimin e integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e këtij tregu; (ii) nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat kanë mundësi të rrisin ekonomitë tona me 10 përqind në katër vjet; (iii) përshpejtimin e reformave themelore, duke përfshirë ato tërësore(të quajtura cluster), për sigurimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja në rajon, si dhe (iv) shtimin e asistencës financiare të BE-së, për të mbështetur reformat, përmes një Mekanizmi të Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.

Kriteret që të meritosh miliardat e Brukselit
Të realizosh ntegrim ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së
Të realizosh Tregun e Përbashkët Rajonal
Të realizosh reforma tërësore(cluster)
Ta meritosh asistencën financiare të BE-së

Në bazë të këtij Plani, çdo vend partner i Ballkanit Perëndimor do të ftohet të përgatisë një Axhendë(plan) të vetin reformash, bazuar në rekomandimet e BE-së, duke përfshirë reformat e synuara dhe fondet nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe nga Programet e Reformës Ekonomike të Bashkimit Evropian.

“Karemi” 6 miliardë euro

Arsyetimi që qëndron pas këtij plani rritjeje të Bashkimit Evropian, është fakti që niveli i të ardhurave për frymë dhe i rritjes ekonomike të gjashtë vendeve tona është shumë më mbrapa se ritmi i rritjes dhe niveli i të ardhurave të 28 vendeve të Bashkimit Evropian.

Kështu që Komisioni Evropian ka caktuar një thes me para(6 miliardë euro), në formë “karemi” apo “karrote”, për të nxitur vendet tona, që të kryejmë reformat që kërkohen prej nesh.

Në këmbim, do të marrim para në formën e ndihmës ndaj buxheteve të shteteve tona dhe në formën e projekteve të zhvillimit.

Pa dyshim që kjo mbështetje nga Brukseli do të shërbejë si një shtysë e madhe për vijimin e reformave nga vendet tona.

6 miliardë eurot e Brukselit dhe ne

Po ku jemi ne, përballë këtyre 6 miliardë eurove të Bashkimit Evropian? Si po punojmë të marrim pjesën tonë, që të paktën është një e gjashta(sipas popullsisë), pra 1 miliardë euro? A mund të marrim më shumë?

Me takimin e nivelit të lartë të Tiranës për Procesin e Berlinit, zhvilluar në 16 tetor, ne jemi pozicionuar shumë mirë. Jemi një vend i qetë për Bashkimin Evropian dhe në këtë moment, dukemi të parët e klasës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ne duhet të përqëndrojmë punën me fondet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me qasje me të theksuar në drejtim të biznesit. Kjo, në mënyrë që të lehtësohet akoma me tej mënyra e të bërit biznesit dhe të përmirësohet klima e biznesit tek ne.

Për hir të së vërtetës, sikurse e ka pranuar edhe Progres Raporti 2023 për Shqipërinë, kjo klimë është përmirësuar, por ka nevojë për përmirësime shumë më të thella, në mënyrë që sipërmarrjet shqiptare të gjejnë realisht mundësi konkrete hyrjeje në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian.

Kjo duhet arritur, përpara së të ndodhë integrimi i plotë, i cili mund të kërkojë vite të tëra. Shqipëria, vendi ynë, duhet të tregohet i aftë për të përdorur më së miri instrumentet që do të ofrohen nga Plani i ri i Rritjes i Brukselit.

Kapacitetet tona për tërheqje miliardash

Ne e kemi domosdoshmëri të forcojmë kapacitetet përthithëse të projekteve me rëndësi rajonale. Ne, sidomos Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, po punojmë mirë me projektet e përgatitura dhe të tjerat që duhet të propozojmë, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit të tij kryesor, që quhet Axhenda e Ndërlidhjes(Konektivitetit).

Deri në shtator 2023, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13 përqind të projekteve të Axhendës (nga 7 përqind në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020), duke përmirësuar pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it te Fierzës, me vlerë 43 milionë euro dhe për By-Pass-in e Tiranës, me vlerë 151 milionë euro. Shqipëria ka dhe shpërndarjen më të gjerë të investimeve në bazë sektori, duke përfshirë transportin, energjinë dhe sektorin dixhital.

Projektet me financim nga BE 2024-2027
Hekurrudha Vore-Hani i Hotit                                      400 mln euro
IPARD III 2024-2027                                                        250 mln euro
By-pass-i i Tiranës                                                             150.9 mln euro
Hekurrudha Durres-Rrogozhinë                                  102 mln euro
Hekurrudha Tiranë-Rinas-Durrës                                   91.5 mln euro
Interkonjeksioni Shqipëri-Maqedoni e Veriut           70.0 mln euro
Kalatat 1 dhe 2 Porti i Durrësit                                        62.4 mln euro
Rehabilitimi HEC i Fierzës                                                 42.7 mln euro
Internet broadband(me bazë të gjerë)                        40.0 mln euro

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka marrë miratimin për përgatitjen e projektit tejet ambicioz, pjesë e Korridorit Blu pan-evropian, që është Hekurrudha Vorë-Hani i Hotit, me vlerë investimi rreth 400 milionë euro. Po ashtu, Komisioni Evropian dhe autoritetet e Procesit të Berlinit kanë miratuar në parim projektin për hekurrudhën tjetër Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit të Tetë, për ndërlidhjen hekurrudhore me Maqedoninë e Veriut.

Mirëpo, a po punohet me ritmin e duhur? Duhet të punojmë më fort, pasi jemi realisht në kushtet më të mira për të tejkaluar “thelën” tonë në 6 miliardë eurot që jep për katër vite (2024-2027) Bashkimi Evropian, për të mbështetur rritjen ekonomike në të gjashtë vendet tona të Ballkanit Perëndimor. Mund të synojmë edhe 1.2-1.4 miliardë euro në katër vjet.                                             

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 04/12/2023 12:11

    punet nuk kja mohojme dot kesaj qeverie..dhe duhen pergezuar per cdo bejn...por duhet me shume transparence per PPP dhe te mos shkojn me tek miqte' e ministrave por ti perfitoje cdo sipermarres ne nje konkurrence te ndershme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?