Fatos Çoçoli: 60 milionë euro çdo vit për pronat

17 Qershor 2023, 19:56| Përditesimi: 17 Qershor 2023, 20:04

  • Share

Sa prej nesh kanë trashëguar një pronë, e cila nuk është kthyer sipas ligjeve në fuqi, por është mbivendosur e masakruar nga anëtarët e mafies së tokave në Shqipëri, të ndihmuar nga qindra sekserë e punonjës abuzues deri dje në Zyrat Vendore të Pasurive të Patundshme (hipotekat) dhe sot në agjencitë rajonale të Kadastrës Shtetërore?

Sa prej nesh zotërojnë titujt e një prone të fituar me blerjen e saj me kontratë të rregullt me akt noterial,  ose me trashëgimi, që janë format e njohura nga ligji për të qenë pronar, dhe nuk janë të tillë, pse prona u është shtetëzuar, apo edhe më keq, rrëmbyer nga abuzuesit në ish-hipoteka, për llogari të mafies së pronave?

Janë me mijëra, me dhjetëra mijëra të tillë syresh prej nesh. Që kanë mbushur radhët e një armate të zhgënjyerish, pa kompensimin e të cilëve është e pamundur të vendoset drejtësia sociale tek ne.

Drita e shpresës për kalvarin e pronës private

Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 77/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ndryshime këto që erdhën në zbatim, nga Ministria e Drejtësisë, të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rekomandimeve të Gjykatës sonë Kushtetuese, si dhe dy Vendime të posaçme të Këshillit të Ministrave, që caktojnë fondin e duhur fizik(tokë për kompensim) dhe financiar(para), kjo armatë, dhe, në tërësi ne si qytetarë, po shohim më në fund një dritë të qartë shprese.

Risitë e ligjit të ri për pronat

·         Ligji lidh vendimet për kthim prone me fondin fizik apo financiar të gatshëm për kompensim
·         I shkëput qytetarët nga kalvari i gjatë dhe i kushtueshëm i gjyqeve për kthimin e pronës
·         Shtyhet afati i kërkesave për njohje pronësie deri në 31 dhjetor 2024. Deri në atë datë, do të shqyrtohen 9 mijë kërkesa për kompensim fizik ose financiar të pronës
·         Kthimi pa kufizim i pronës së lirë. Nëse statusi i pronës truall rezulton i lirë, pra pronë shtet, pronarit i kthehet automatikisht toka, nëse është truall
·         Për toka të zëna nga ndërtime informale, apo ndërtime publike, pronari kompensohet me fonde nga Kadastra.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) trajton vetëm ato kërkesa që kanë qenë të patrajtuara ditën kur skadoi ligji i vitit 2015, por jo kërkesa për njohje pronësie dhe ato për të cilat ka një vendim

 Agjenci funksionuese e Trajtimit të Pronave

Ministria e Drejtësisë ka tashmë një Drejtori Antikorrupsion dhe kjo drejtori po lufton realisht mafien e  pronave, pavarësisht se është një luftë si e Davidit kundër Goliathit. Dhe nga dy vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave për të dhënë rreth 60 milionë euro çdo vit për kompensimin financiar të pronarëve që u është mohuar padrejtësisht e drejta e pronës, ka më në fund edhe një Agjensi të Trajtimit të Pronave funksionuese dhe jo bllokuese për qytetarët. Në dyert e kësaj agjencie, nuk do të shohim dhe nuk do të marrim vetëm përcjellje pafund, pa na e zgjidhur kush hallin e madh me të drejtën e ligjshme të pronës private, të mohuar e shkelur përbindshëm nga mafia e tokave.

Përmes njerëzve profesionistë dhe të ndershëm që ka grumbulluar dhe një pune intensive e largpamëse, Ministria e Drejtësisë ka bindur qeverinë të caktojë një fond dinjitoz prej rreth 60 milionë euro në vit, për të kompensuar me mijëra e mijëra qytetarë me pronë të patrajtuar(kesisoj te mohuar) për dekada me rradhë. Janë 9 mijë kërkesa të pashqyrtuara të pronarëve të tokave me titull pronësie, që do të marrin përgjigje deri më datën 31 Dhjetor 2024 nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Shifrat e pronave të patrajtuara dhe ligji i ri

·         Nga viti 2015 kur doli ligji, janë 26,300 vendime për kthim dhe kompensim prone, pa faturë financiare (të pakompensuara)
·         Nga viti 2015 e deri në vitin 2019 kur bllokoi trajtimin, Agjencia e Trajtimit të Pronave arriti të ekzekutojë vetëm 794 vendime!
·         Fatura financiare e vendimeve të patrajtuara, e përllogaritur nga Ministria e Drejtësisë, është 101 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë euro
·         Qeveria vendos në dispozicion 60 milionë euro çdo vit, për të kompensuar pronarët

Ç’duhet të bëjnë qytetarët?

Me ligjin nr. 77/2022, ata qytetarë që i kanë dosjet e tyre të pronës në gjykatë të shkallës së parë administrative, kanë të drejtën t’i tërheqin nga gjykata dhe t’i risjellin në Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

Me ligjin e mëparshëm nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, u morën 26 mijë e 300 vendime, por që zhgënjyen keqazi qytetarët pronarë, për shkak se askush nuk punoi fort dhe seriozisht për t’i zbatuar ato.

Nga këto vendime, Agjencia e Trajtimit të Pronave të tetë viteve më parë, arriti të ekzekutojë vetëm 794 vendime, ose një vendim në treqind të tillë!

Me ndryshimet e reja ligjore të ligjit nr. 77/2022 dhe me me dy Vendime të Këshillit të Ministrave që i sigurojnë paratë, agjencia, e drejtuar nga njerëz të rinj me integritet dhe vullnet për t’u shërbyer qytetarëve, është gati për të filluar me kompensimet financiare të qytetarëve-pronarë dhe ka në dispozicion 60 milionë euro çdo vit.

Format e kthimit dhe kompensimit të tokës

1.       Kompensim fizik brenda pronës së qytetarit ose në vend-ndodhje të tjera, pasi qytetari përfitues i vendimit të ATP të bjerë dakord
2.       Kompensim i kombinuar
3. Kompensim financiar, jo më pak se 50 miliardë lekë në vit për të gjitha rastet që do të trajtohen nga ATP brenda një viti
4. Kompensim financiar me kërkesë të veçantë
5. Raste të kompensimit të veçantë financiar me vlerë deri në 1.5 milionë Lekë. Ky kompensim jepet menjëherë për qytetarin. Janë 10,548 vendime te tilla, brenda stokut prej mbi 20 mije vendime ende te patrajtuara nga ATP.

Kompensim dinjitoz?

Lind pyetja: 60 milionë euro në vit për qytetarë që kërkojnë kthim prone të mohuar prej dekadash tashmë, a janë pak?

Jo! Është një fillim zemërdhënës. Për mundësitë e Buxhetit tonë të Shtetit, përbën një shifër dinjitoze. Sigurisht, duke patur parasysh se fatura financiare e detyrimeve ndaj qytetarëve pronarë me pronë të mohuar është mbi 1 miliardë euro, 60 milionë euro çdo vit nuk mjaftojnë, edhe sikur të vijohet të jipen për dhjetë vite rradhazi. Por është një fillim i mbarë dhe shumë shpresëdhënës. Prandaj ligji me nr. 77/2022, i fuqizuar financiarisht me dy vendime të fundit të Këshillit të Ministrave, është një ligj që jep shumë shpresë.

Nga zbatimi i duhur dhe i shpejtë i tij, drita e shpresës do të shndërrohet në një dritare të madhe të fateve të reja të të drejtave të pronës private në Shqipëri, aq përbindshëm të masakruar, mohuar e keqtrajtuar deri tani.     

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?