Pensionistët duke marrë pensionin

Fatos Çoçoli: Dy fitoret e para të mëdha për pensionistët

19 Nëntor, 20:05| Përditesimi: 19 Nëntor, 20:08

  • Share

Javët e fundit, përqëndrimi i theksuar i politikës qeveritare mbi nivelin e pensioneve, me daljet e shpeshta të drejtuesit të qeverisë dhe disa ministrave për financat dhe ekonominë në Tiranë dhe rrethe të vendit, në biseda sqaruese me pensionistët, sikur parathonin një ndryshim cilësor në betejën për pensione dinjitoze, të filluar në themele vetëm tani!

100 milionë eurot e gjelit të vitit të ri 2025

Këto takime e dhanë produktin e parë. 100 milionë euro mbështetje në dhjetor 2024, për shtimin më të madh vjetor të pensioneve të tyre në 34 vjet. Me shpërblimin e fundvitit 2024 të trefishuar në 15 mijë lekë për pensionet deri në 20 mijë lekë të reja në muaj dhe shpërblimin e dyfishuar në 10 mijë lekë të reja për pensionet mbi 20 mije leke te reja ne muaj, pensioni mesatar këtë vit rritet me 6.3 përqind për të 720 mijë pensionistët.

Për herë të parë në 34 vitet e tranzicionit, shtimi vjetor i pensioneve e kalon rritjen ekonomike të atij viti. Ndërkohë, pensionet sociale dhe minimale për 240 mijë pensionistë rriten në dhjetor 2024 me 13 përqind për këtë vit. Rritja e dhjetorit 2024 do të jetë e para në histori, që favorizon pensionet e ulta

Tabela 1. Paratë më shumë për pensionistët dhjetor 2024
-          Pensionet sociale 10,150 Lekë/muaj                                        22 milionë euro
-          Pensionet minimale 10,150 Lekë/muaj                                   14 milionë euro
-          Pensionet mbi minimalen deri 20,000 Lekë/muaj              24 milionë euro
-          Pensionet mbi 20,000 Lekë/muaj                                             26.6 milionë euro
-          Ndihmë nëna kryefamiljare, jetimë                                          6.6 milionë euro
-          Trajtime të veçanta (invalidë, ushtarakë, etj.)                      6.8 milionë euro
·         TOTALI MË SHUMË:                                                                        100 MILIONË EURO

 

Tabela 2. Struktura e pensioneve në Shqipëri, viti 2024
-          Pension social dhe minimal 10,150 Lekë                                240,000 pensionistë
-          Pension mesatar 19,100-20,000 Lekë                                      160.500 pensionistë
-          Pensionet e tjera 20,100 lekë e sipër                                      279.100 pensionistë
-          Trajtime të veçanta (invalidë pune, ushtarakë, etj.)           65.800 qytetarë
-          Nëna kryefamiljare, fëmijë jetim, etj.                                      44.600 qytetarë
 
Totali: 790 mijë pensionistë dhe qytetarë

 

Shpërblimi i përhershëm i pranverës

Nga dje, qeveria zotohet të krijojë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një shperblimi të dytë për pensionistët. Edhe ky shpërblim do të jetë i përhershëm, tradicional, për vitet e mira ekonomike të vendit.

Ky shpërblim do të jetë dallëndyshja e pranverës për shpresat e një pensioni më në fund dinjitoz për pensionistët tanë. Ende nuk dihet masa e tij, por ai do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve. Do të jepet në hyrje të çdo pranvere, ndoshta në fund të marsit apo fillim të prillit, duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përfituar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe e të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës. Pra, në fund të marsit apo fillim të prillit 2025, do të merret si fond nga të ardhurat shtesë në Buxhetin e Shtetit, të realizuara gjatë vitit 2024.

Tabela 3. Pensionet, dhjetor 2024
-          Pensioni social në fshat                                                                 25,150 Lekë
-          Pensioni nën 20 mijë lekë/muaj në qytet                               34, 540 Lekë
-          Ndihma për nënat kryefamiljare dhe fëmijët jetimë         435,000 Lekë
-          Pensionet 20 mijë leke/muaj në qytet                                    448,000 Lekë
-          Trajtime të veçanta (invalidë, ushtarakë, etj.)                      482,600 Lekë

 

Tabela 4. Pensionet, rritja vjetore 2024
-          Pensioni social 140,000 pensionistë                         +13%
-          Pensioni minimal 100,000 pensionistë                    +13%
-          Pensioni mesatar 19,100-20,000 Lekë                     +7%
-          Pensionet e tjera 20,100 e sipër                                +3.7%
-          Nëna kryefamiljare, fëmijë jetimë, etj.                   +11%

 

Plani i ri i pensioneve

Ndërkohë, qeveria do të ketë gati vitin e ardhshëm edhe planin e ri të pensioneve, në funksion të rritjes ekonomike të vendit. Plani i ri, i cili po diskutohet me specialistët e Bankës Botërore, do të ngrejë mënjëherë pensionin minimal tek ne, me 50 përqind, duke e shkëputur atë nga pensioni social. Plani i ri, duke ulur vitet e kontributeve me sigurime shoqërore për të përfituar pension të plotë, automatikisht do ta rrisë vlerën e pensioneve të 17-20 mijë pensionistëve të rinj që i shtohen skemës çdo vit.

Nga ana tjetër,  ai do të sjelle edhe të ardhura të tjera për pensionistët, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve, pa rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të vendit(pra nuk do të marrim borxhe për të shtuar pensionet), si dhe pa ulur investimet themelore për të ardhmen e garantuar të fëmijëve tanë në atdhe. Shqipëria në BE në vitin 2030 do të renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të pensioneve në Ballkanin Perëndimor.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?