Foto ilustruese

Fatos Çoçoli: Amnistia që qytetarët duan

14 Prill 2022, 18:36| Përditesimi: 14 Prill 2022, 18:44

  • Share

Duket se me këshillimin publik janar-mars 2022 për amnistinë e të ardhurave të emigrantëve, me 332 mijë qytetarë që u përgjigjen pozitivisht për të kryer amnisti, qeveria do të fillojë të përgatisë ligjin për faljen e plotë fiskale.

·         Pyetja 5 në Këshillimin Kombëtare: “Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Ju si mendoni?”

Por qeveria duhej ta kishte formuluar pyetjen për amnistinë “A mendoni se një amnisti e plotë brenda dhe jashtë vendit për qytetarët këtu dhe për emigrantët për kursimet e tyre të padeklaruara duhet kryer?”. Sepse nuk ka si qëndron një amnisti e pjesshme thjesht dhe vetëm për kursimet e padeklaruara të emigrantëve. Edhe pse ato mund të jenë në nivele dhjetra milionë euro. Ndryshe nga falja e përgjithshme e dështuar të prillit të vitit 2011 njëmbëdhjetë vite më parë, kjo amnisti do të përmbajë edhe ndërhyrje në Kodin Penal të vendit.

Duke qenë se një pjesë jo e vogël e emigrantëve kanë punuar në të zezë, paratë e sjella në Shqipëri nuk kanë një burim legal, pra, nuk janë taksuar. Mirëpo nga ana tjetër, thirrja dhe pritshmëria më e madhe e qeverisë duhet të jetë për paratë e ekonomisë informale në vend. Ato janë në nivele qindra milionë euro dhe nëse futen në qarkullimin ekonomik ligjor, përfitojmë të gjithë. Nga amnistia përfitojnë edhe të gjitha ato sipërmarrje që kanë punuar me dy bilance, duke ju fshehur detyrimit ndaj shtetit. Nuk mund të ketë falje më të gjerë se kaq. Gjendja e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë, me rritje ekonomike të pakësuar nga ulja e konsumit, për shkak të rritjes së pashoqe të çmimeve, e detyron këtë shtrirje të pazakontë të faljes-amnisti. Ky është detyrimi, por edhe morali(nëse mund të flitet për moral) i kësaj amnistie të plotë, që duhet të shërbejë për të ringritur ekonominë tonë. Opozita duhet të jetë aleat i natyrshëm i saj dhe të vigjilojë që të bëhet me transparencë të plotë, pa e mbytur në djep. Nga ana tjetër, amnistia duhet të jetë konfidenciale. Asnjë emër i atij që deklaron pará apo objekte të padeklaruara më parë nuk duhet të bëhet publik. Kushti i të mos bërit i njohur është themelor për suksesin e një amnistie. Italia mund të kishte ligjëruar dhe kthyer në atdhe edhe 500 miliardë euro të italianëve të pasur nga Zvicra në vitet 2009-2010, por disa emra sipërmarrjesh dhe pasunarësh italianë dolën në media dhe me mijëra deklarues potencialë u tërhoqën dhe morën përsipër rrezikun dhe kostot e kalimit të parave dhe bizhuterive e veprave të artit nga Zvicra në parajsa të tjera fiskale si Lihteshtejni, Singapori, Ishujt Kajman, etj. Amnistia jonë duhet të synojë dakordësimin me opozitën, pavarësisht se dymbëdhjetë vite më parë, në vitin e largët 2011, ishte opozita e atëhershme, sot në pushtet, që e anatemoi dhe i doli kundër. Kjo ishte një nga shkaqet themelore që dështoi amnistia e parë e përgjithshme fiskale e provuar nga qeveritë tona. Mohimi solli mos arritjen e kuorumit të 84 votave dhe biznesi e qytetarët nuk i besuan asaj faljeje.

Nuk mund të mbartim sërish rrezikun që emigrantët, qytetarët dhe sipërmarrësit të mos i besojnë kësaj faljeje të re të plotë dhe shpresojmë, TË FUNDIT! Në lojë janë me qindra milionë euro, ndoshta dhe më shumë, në duart e fermerëve tanë (shumë syresh sigurojnë të ardhura mbi 5 milionë lekë të reja në vit nga prodhimet në sera dhe nuk i deklarojnë, për të mos paguar tatimin), emigrantëve dhe bizneseve. Amnistia do të kërkojë edhe paratë e shqiptarëve në parajsat fiskale, duke filluar nga ajo e Qipros. Destinacion shumë i përfolur deri tani, që mendohet se ka shërbyer si epiqendra e parave të politikanëve dhe shtetarëve tanë të korruptuar. Sigurisht që këto para nuk do të amnistohen, por në shtator 2020 Shqipëria është bërë pjesë e 102 vendeve të botës që kanë vendosur të bëjnë publike llogaritë bankare të qytetarëve të huaj. Pra, edhe autoritetet tona tatimore do të marrin nga 101 vendet e tjera të dhëna për qytetarët tanë që kanë depozita bankare jashtë. Dhe kjo i nxjerr ata përpara detyrimit për të justifikuar burimin e këtyre kapitaleve që kanë jashtë. Për të shmangur probleme, të gjithë ata që këto para nuk i kanë nga korrupsioni apo trafiqet e paligjshme, mund t’i amnistojnë. Por që ta bëjnë, duhet të jenë të mirinformuar që tani. Transparenca dhe informacioni i plotë për mënyrën se si do të zhvillohet kjo amnisti është një kusht tjetër themelor që ajo të realizohet si duhet tek ne. Kjo është falje e madhe publike që të 332 mijë qytetarët duan.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?