Fatos Çoçoli: Çdo lek për Porto Romanon trefishon veten!

22 Mars, 09:25| Përditesimi: 22 Mars, 09:29

  • Share

Dje Kuvendi votoi për aktin normativ të qeverisë për Buxhetin e vitit 2024. Ky akt jep për nisjen e ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano 39.2 miliarde lekë, ose 390 milionë euro. Këto fonde do të jepen 94 milionë euro këtë vit, 143 milionë euro në vitin 2025 dhe po 143 milionë euro në vitin 2026.

Të gjitha këto para do të përdoren për  një basen të ri në port, një kanal hyrës të ri, kalata të reja portuale për kontejnerët dhe terminal të ri kontejnerësh, bashkë me ndërlidhjen me hekurudhën dhe rrugën automobilistike.

Pse na vlen Porto Romano?

Porti i Ri Tregtar do të ofrojë veprime ngarkimi-shkarkimi anijesh dhe qëndrimi të tyre në radë, me kapacitete shumë herë më të mëdha, se sa porti aktual ne qytetin e Durresit.

Strategjia për ndërtimin e portave të reja hyrëse detare për vendin tonë është afatgjatë. Ajo u miratua nga qeveria në vitin 2020. Ajo nuk përfshin vetëm portin e ri tregtar në Porto Romano, që është investimi themelor në të ardhmen e trafikut tonë detar civil, por ka nisur të zbatohet dhe në Vlorë, me një port të ri tregtar në Triport.

Porti i ri në Porto Romano do të ketë kapacitete përpunimi shumëfish më të mëdha, me thellësi më të madhe dhe strehim-parkim anijesh më të mëdha. Me të, ne do të kemi një trefishim të mundësive përpunuese dhe strehuese në port, në raport me kapacitetet aktuale për kontejnerët në portin e sotëm 2700 vjeçar të Durrësit.

Prej këtej, porti i ri në Porto Romano do të sjellë trefish më shumë të ardhura, nga sa nxjerr sot porti në zemër të Durrësit. Çdo lek i hedhur për të sot do ta trefishojë veten në pak vite!

Porti do të zhvendosej edhe po të mos vinte Alabbar!

Nuk duhet ta harrojmë që aktualisht, Porti i Durrësit është i rrethuar nga qyteti. Shpesh herë qyteti pengon portin në zhvillimin e ndërsjelltë, duke i krijuar shumë problematika, që nga mjedisi por edhe trafiku, siguria, dhe të gjithë elementët që përbëjnë një port me standarde evropiane.

Në Porto Romano kemi një hapësirë pothuajse të pafundme për zhvillim. Kemi disa qindra hektarë tokë, që do të vihen në dispozicion të projektit, të hartuar nga një studjo hollandeze, ndër më të mirat në botë në projektimin e porteve tregtare.

Hapësirat e mëdha në Porto Romano përbëjnë mundësi për terminale logjistike, mundësi për të patur me dhjetëra zona ekonomike, ku të strehohen veprimtari prodhuese, që sot nuk kemi mundësi t’i zhvillojmë në portin aktual.

Duhet ta kuptojmë që një port i ri tregtar nuk është vetëm një mundësi për të ngarkuar dhe shkarkuar mallra. Është një mundësi për të prodhuar më shumë, për të zhvilluar më shumë ekonominë tonë.

Edhe sikur të mos kishim mundur të merrnim ofertën e miliarderit arab Alabbar, për të ndërtuar një port turistik dhe hotele e apartamente banimi në një resort modern në dy kalatat e papërdorura të portit të vjetër, në vlerë dy miliardë euro, prapë do të duhej ta zhvendosnim portin 2700 vjeçar të qytetit të Durrësit, për tre arësye themelore:

Tabela 2. Pse do ta zhvendosnim si Çeçua portin, dhe pa na ardhur Alabbar?
·Porti i sotëm tregtar nuk ka asnjë hapësirë të lirë për t’u zgjeruar, pse ndodhet në zemër të qytetit të Durrësit
· Një aktivitet i rritur ngarkim-shkarkimi dhe transporti në port do të sillte shumë më tepër ndotje për të gjithë qytetin e Durrësit
· Zhurmat, ndotja akustike do të rritej me shtimin e aktivitetit dhe porti do të dëmtonte, më shumë se sa do ta nxiste, jetën normale të qytetit bregdetar.

Së pari, porti i sotëm tregtar nuk ka asnjë hapësirë të lirë për t’u zgjeruar, pse ndodhet në zemër të qytetit të Durrësit. Një port modern ka nevojë për qindra hektarë mjedise ku të ketë vende parkimi për mjetet e rënda të transportit, një nyje hekurrudhore të gjerë. Këto qindra hektarë porti i sotëm tregtar nuk ka ku t’i gjejë, pse është i rrethuar me pallate banimi, qendra tregtare dhe mjedise të tjera urbane vetëm pak metra larg perimetrit të tij.  

Së dyti, një aktivitet i rritur ngarkim-shkarkimi dhe transporti në port do të sillte shumë më tepër ndotje për të gjithë qytetin e Durrësit, pasi do të zhvillohej vetëm pak dhjetra metra larg mjediseve ku banorët jetojnë. Dhe në gjendjen e tanishme, porti me aktivitetin e tij e ndot shumë Durrësin.

Së treti, zhurmat, ndotja akustike do të rritej me shtimin e aktivitetit dhe porti do të dëmtonte, më shumë se sa do ta nxiste, jetën normale të qytetit bregdetar.

Në të kundërt, çfarë Durrësi po përjeton sot, është rritja e çmimit mesatar për metër katror të apartamenteve dhe mjediseve të tjera të tij nga 1100 euro, në 1500 euro, pikërisht nga perspektiva e qendrës së tij turistike që po ndërtohet me projektin 2 miliardë euro.    

Porto Romano: i mirëpritur në Prishtinë dhe Strugë!

Një aset i rëndësishëm i Porto Romanos dhe pjesë përbërëse e investimit janë dhe dy terminalet logjistike, portet e thata në Strugë dhe Prishtinë. Këto dy qendra të mëdha përpunimi kontejnerësh në tokë(prandaj quhen porte të thata) e bëjnë edhe më të dobishëm dhe me përfitim investimin e qeverisë në Porto Romano. 

Aktualisht, 30 përqind e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë ose në drejtim të Kosovës, ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera. Tani, Porti i Durrësit ka dy klientë kryesor, që janë Tirana dhe Prishtina.

Pra, mallrat që përpunohen në Portin e Durrësit, qoftë në import apo eksport, kanë si destinacion kryesor Tiranën dhe aktivitetin industrial dhe ekonomik në Tiranë dhe Prishtinë.

E gjithë industria, dhe jo vetëm ajo logjistike, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, por e gjithë industria e tyre e transportit, ajo rrugore dhe hekurudhore, e kanë mirëpritur si lajm ndërtimin e portit të ri kryesor tregtar të Shqipërisë në Porto Romano.

Është një lajm që pritet prej vitesh. Kjo është një strategji afatgjatë e qeverisë sone. Ka vite dhe dekada që përmendet Porto Romano si zonë portuale dhe industriale me perspektivë dhe ka ardhur koha të bëhet realitet

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?