Nga e hëna 14 korrik 2025, inspektorë të tatimeve, në bashkëpunim me punonjës të bashkisë dhe me policinë bashkiake, kanë nisur kontrollet në tregje, pika grumbullimi, baxho, dyqane dhe njësi shitjeje të produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Po kontrollojnë imtësisht tregjet e shitjes së produkteve të bulmetit dhe të mjaltit, duke kërkuar për çdo shitje nxjerrjen e faturës përkatëse tatimore. Kjo nismë, e ndërmarrë me urdhër të kryeministrit, është pjesë e fazës së re të luftës kundër informalitetit në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Deri tani, 90 përqind e qumështit që tregtohet tek ne shitet pa faturë. Qëllimi i nismës është të formalizojë aktivitetin ekonomik të fermerëve dhe bletarëve, të sigurojë transparencë për konsumatorin mbi origjinën dhe cilësinë e qumështit dhe mjaltit që blejmë, si dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përfitim nga skemat e subvencioneve (parave falas) shtetërore, për fermerët tanë që lëshojnë faturë, duke u regjistruar dhe duke marrë një NIPT (numër regjistrimi pranë organeve tatimore).
Marrja e NIPT-it për fermerët bëhet shumë thjesht. Mjafton që ata të aplikojnë pranë drejtorisë rajonale të tatimeve të fshatit dhe rrethit të tij. Çdo fermer apo tregtar i produkteve ushqimore, që shet qumësht ose mjaltë, duhet të lëshojë faturë tatimore elektronike për çdo shitje, pavarësisht sasisë.
Mungesa e faturimit po ndëshkohet me gjoba dhe paralajmërime për pezullim aktiviteti për rastet e përsëritura. Shoqata të fermerëve kanë kërkuar më shumë informim dhe mbështetje teknike për procesin e fiskalizimit, duke kërkuar kohë adaptimi për fermerët e vegjël. Qeveria është shprehur se nuk ka kthim pas në zbatimin e ligjit dhe se do të ofrojë asistencë për ata që janë të gatshëm të formalizohen. Ministria e Financave ka folur për trajnime për fermerët dhe tregtarët e produkteve ushqimore, mbi përdorimin e sistemit të fiskalizimit dhe mënyrat e deklarimit të shitjeve të tyre. Këto trajnime duhet të fillojnë sa më shpejt, pasi nevoja për dije nga fermerët është e madhe.
Në këto dhjetë vitet e fundit, kemi humbur 700 mijë krerë bagëti të trasha(lopë) dhe të holla(dhen, dhi). Ose 35 përqind më pak tufa se në vitin 2015. Kjo duhet të na shqetësojë shumë. Nëse subvencioni për blegtorinë bëhet për njësi prodhimi, sikurse e permendi kryeministri, do të shohim rritje të fortë të prodhimit të qumështit, të numrit të krerëve bagëti dhe të formalitetit në bujqësi.
Fatura tatimore për shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një instrument i rëndësishëm që sjell dobi konkrete për fermerët, bletarët, konsumatorët dhe shtetin. Po cilat janë këto përfitime?
Së pari, bujqit, fermerët dhe bletërritësit do të mund të përfitojnë nga subvencionet (paratë falas) shtetërore dhe skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Deri tani, pa NIPT-in tatimor, nuk e kishin këtë mundësi.
Së dyti, fermerët që punojnë të formalizuar dhe lëshojnë faturë tatimore, do të mund të përfitojnë edhe nga programet e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.
Së treti, me shitjen e produkteve ushqimore me faturë tatimore online, si konsumatorë përfitojmë nga një siguri më e madhe në treg. Ai fermer që ka menduar të shesë qumësht të skaduar apo me ujë, apo mjaltë që të tillë e ka vetëm emrin, me faturën që lëshon kapet shumë kollaj dhe ti si qytetar, po u ankove nga malli i blerë me këtë lloj mashtrimi, e gjen shumë kollaj mashtruesin. Fatura i bën të gjithë shitësit tanë ushqimorë më të disiplinuar dhe të përgjegjshëm për mallin që shesin dhe që ka të bëjë me jetën tonë.
Së katërti, me faturë dhe dokumentacion të rregullt, fermerët dhe bletarët mund të hyjnë më lehtë në kontrata me baxhot, pikat e grumbullimit dhe edhe me vetë supermerkatot e tregjet e mëdha, duke siguruar shitje të qëndrueshme.
Së pesti, formalizimi përmes faturës tatimore online për qumështin dhe mjaltin e shitur, i hap rrugën zhvillimit të mëtejshëm të biznesit për shitësit dhe grumbulluesit, për aplikim për kredi të buta, investime në pajisje moderne dhe për rritje të prodhimit.
Së gjashti, fatura tatimore barazon kushtet e lojës në treg, duke i mbrojtur të gjithë ata që e lëshojnë, nga konkurrenca e pandershme në treg.
Së shtati, si konsumatorë, kur blejmë me faturë na shtohet besimi në produktet vendase, pasi fatura për qumështin apo mjaltin që blejmë, është një lloj garancie se po marrim një produkt të kontrolluar dhe të çertifikuar.
Së teti, fatura që marrim na jep të drejtë si konsumatorë të ankohemi, të na kthehen paratë e shpenzuara, ose të fillojë një hetim nga organet ligjvënëse, në rast mashtrimi me çmimin apo me cilësinë.
Së nënti, mijëra faturat e lëshuara në qumështin apo mjaltin e blerë, na e zvogëlojnë ndjeshëm informalitetin në ekonominë tonë. Ato na japin të dhëna të sakta për politikat bujqësore. Këto të dhëna ndihmojnë qeverinë të hartojë politika më të drejta për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral.
Së dhjeti, ne, si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, e kemi detyrim të afrohemi me praktikat e Bashkimit Evropian në fiskalizim dhe siguri ushqimore. Faturimi i qumështit dhe mjaltit është një hap drejt integrimit dhe tregut të përbashkët europian.
Fatura për qumështin dhe mjaltin: mundësi, jo pengesë
Fatura tatimore për qumështin dhe mjaltin nuk është një pengesë, por një mundësi zhvillimi për ne. Nuk është një taksë shtesë për fermerët tanë, por një shans që ata të ndihmohen nga subvencionet e Shtetit. Ajo është një element themelor për ndërtimin e një tregu të drejtë, të sigurt dhe të formalizuar, ku prodhuesi përfiton më shumë, konsumatori blen më me siguri dhe shteti vepron më me drejtësi.
Zbatimi korrekt i faturës tatimore në shitjet e qumështit dhe mjaltit është një test për seriozitetin e Shtetit tonë, në raport me sektorin informal, si dhe një thirrje për vetëdijesim për fermerët tanë, në bujqësi dhe blegtori.
Komente

Do pajiset me NIPT fermeri po do detyrohet te paguaje dhe taksat e bashkise po dhe sigurimet po dhe nje ekonomiste po rruges do marri dhe naj gjobe se helbete vijne shpejt ato te shkreta por do hapi dhe llogari bankare e keshtu vjen dhe 2029 ku te gjithe te medhenj e te vegjel do paguajne takse fitimi dhe si padashje shkon rigoni 500 lek qeska e qumeshti 400 lek bidoni dhe o burra pastaj se vjen i grekut dhe i serbit (qumesht pluhur) me i lire. Hajt me shnet Muçin e te na rroje Sulltani i Surrelit
PërgjigjuNe vendet e tjera per nje çamçakiz qe blen, te leshojne kupon tatimor. Ketu ke ne ble 50000 leke (te vjetra) mish e nuk te leshojne asnje lloj fature. Skandal.
PërgjigjuFatura duhet kudo, filluar nga bashkia, ne qytet dhe ne fshat per cdo sherbim!!!
Përgjigju