Edi Rama dhe Emmanuel Macron

Opinion

Fatos Çoçoli: Çfarë fituam nga Nisma e Investimeve të Ardhshme në Tiranë?

25 Maj, 12:25| Përditesimi: 25 Maj, 12:32

  • Share

Më 17 maj 2025, një ditë pas Samitit të Komunitetit Politik të Evropës, Tirana mirëpriti për herë të parë në Europë një forum investimesh,  me titull “FII Përparësia Evropa”, aktivitet i organizuar nga Nisma e Investimeve të Ardhshme(në anglisht “Future Investments Initiative(FII)”.  Kjo nismë përfaqëson një organizatë joqeveritare, strukturë e Institutit me të njëjtin emër, i mbështetur nga Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite.

“Davosi” në shkretëtirë

Instituti FII organizon çdo vit konferencën e tij vjetore, me pjesëmarrje, si prani fizike dhe online, të mijëra investuesve të rëndësishëm nga mbarë bota. Kjo konferencë është mbiquajtur edhe “Davosi në shkretëtirë”. Më 31 tetor 2024, në edicionin e saj të tetë, në kryeqytetin Riadh te Arabisë Saudite, Konferenca mikpriti fizikisht dhe online 30 mijë investues, vendim-marrës publikë dhe influencues.

Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite përfaqëson fondin sovran të dytë më të madh në botë, pas Fondit Sovran të Norvegjisë, me asete në vlerë mbi 925 miliardë dollarë. Këto para Fondi i investon në 60 përqind të tyre në Arabinë Saudite dhe në 40 përqind kudo në botë, sidomos në investime të energjisë së gjelbër, të teknologjisë së informacionit dhe të inteligjencës artificiale.

Në vitin 2021, ky Fond i dha 2 miliardë dollarë kompanisë së drejtuar nga dhëndrri i Presidentit Trump, Jared Kushner, për të kryer investime në vende të ndryshme të botës. Pak kohë më vonë, Kushner anoncoi investimin prej 1.4 miliardë dollarë, në një projekt turistik të nivelit të lartë në ishullin e Sazanit.

Drejtuesi i Fondit Yasir Al-Rumayyan, njëkohësisht edhe drejtor ekzekutiv i i kompanisë gjigande arabo-saudite Al Aramco, mori pjesë në diskutimet online të Forumit të FII në Tiranë.

Nisma e Investimeve të Ardhshme: Të dhëna
Organizoi në fund të vitit 2024 një konferencë me 30 mijë investues
Mbikqyr dhe këshillon investime mbi 400 miliardë dollarë në botë
Diskutoi në Tiranë projektet 2.4 miliardë dollarë
Mblodhi drejtues kompanish me vlerë tregu me dhjetra miliardë dollarë

Miliarda dollarët e Gjirit Persik dhe Shqipëria

Më 17 maj në Tiranë, forumi “FII Përparësia Evropa” bashkoi liderë politikë, drejtues të korporatave të mëdha ndërkombëtare dhe investitorë globalë, për të diskutuar rreth inovacionit dhe të ardhmes së ekonomisë botërore dhe sidomos, të investimeve në Evropë, duke e parë Shqipërinë si portë hyrëse e tyre në Ballkan.

Forumi u përshëndet nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron, duke e vendosur Shqipërinë në epiqendrën e diskutimeve për investimet e ardhshme në Europë. Presidenti Macron theksoi në Forum rëndësinë strategjike të vendit tonë, si një pikë kyçe hyrëse në Ballkanin Perëndimor dhe Europë, duke ftuar investitorët e huaj të mbledhur nga FII, që të besojnë në potencialin e Shqipërisë dhe rajonit.

Njerezit që ishin në sallë në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe online përfaqësonin ndër investitorët më të mëdhenj në Lindjen e Mesme, në Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Kishte përfaqësues nga kompani investuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga kompania italiane Leonardo, e njohur në sektorin e mbrojtjes, nga kompania Rheinmetall, me qendër në Dyseldorf, një nga pesë prodhuesit industrialistë më të mëdhenj në Gjermani, etj.

Shqipëria në konferencë u cilësua si destinacion tërheqës për të bërë biznes. Ardhja e këtyre kompanive në vendin tonë do të rrisë jo vetëm punësimin, por edhe nivelin e pagave në vend, pasi janë kompani që paguajnë mirë.

Në konferencë u fol në mënyrë akoma dhe më konkrete për projektin e interkonjeksionit të kabllove energjitike nënujore Shqipëri-Itali prej 1 miliardë euro, bashkëfinancim mes një kompanie publike të Emirateve të Bashkuara Arabe, qeverisë italiane dhe Shqipërisë. Investuesi amerikan Jared Kushner foli për tërheqjen e jashtëzakonshme të projektit të tij nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, që shumë shpejt do të vihet në funksionim. Kushner garantoi dhe respektimin maksimal nga projekti të veçantive natyrore të ishullit të Sazanit, ishulli i vetëm me natyrë ende të virgjër në Mesdhe. 

Pjesmarrës kryesorë në Konferencën e Investimeve në Tiranë
Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite: asete 925 miliardë dollarë
Masdar, kompania publike energjitike e Emirateve të Bashkuara: asete 262 miliardë dollarë
Rheinmetall, kompania prodhuese gjermane: 31 mijë punonjës dhe mbi 7 miliardë euro të ardhura në vitin 2023
Kompania italiane Leonardo: asete mbi 33 miliardë euro

Çfarë fituam nga FII në Tiranë ?

Krahas imazhit të shtuar të Shqipërisë si një vend shumë tërheqës për investime të kompanive të mëdha ndërkombëtare në turizëm dhe energji, samiti i investimeve të huaja në Tiranë konfirmoi angazhimin e investuesit amerikan Jared Kushner për 1.4 miliardë dollarë për Sazanin dhe investimin e trefishtë prej 1 miliardë euro në interkonjeksionin energjitik me kabllo nënujore Shqipëri-Itali, me pjesmarrjen e Masdar, gjigandit energjitik të Emirateve të Bashkuara Arabe i cili me siguri do të kontribuojë në rritjen e ndjeshme të aftësive prodhuese të vendit tonë nga energjia diellore.

Një vlerë e shtuar shumë e rëndësishme është zgjimi i interesit të Fondit Publik të Investimeve të Arabisë Saudite, me asete mbi 925 miliardë dollarë, për mundësinë e investimeve në Shqipëri. Nuk do të jetë e largët dita kur një projekt konkret do të paraqet edhe nga ky Fond, një prej investuesve më të mëdhenj sot në botë, në projekte ambicioze dhe inovative. 

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?