Takimet e nivelit më të lartë (samitet) e Tiranës, dje Konferenca Ndërkombëtare për Ukrainën dhe sot Samiti i drejtuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për gjashtë vendet tona , me siguri do të na ndihmojnë në rritjen e lobimit dhe të besimit të Komisionit Evropian dhe shteteve të mëdha partnere të Shqipërisë në BE, për të dhënë më shumë fonde për ekonominë dhe shoqërinë tonë.
Katër muaj më parë, në nëntor 2023, Komisioni Evropian(qeveria e Bashkimit Evropian) shpalli Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili mobilizon për të gjashtë vendet tona 6 miliardë euro në katër vjet, 2 miliardë euro grante(para dhuratë) dhe 4 miliardë euro kredi të buta, për Malin e Zi, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Shqipërinë .
Po ku jemi ne, përballë këtyre 6 miliardë eurove të Bashkimit Evropian? Si po punojmë të marrim pjesën tonë?
Kriteret që duhet të përmbushim
Perfitimi nga fondet e Planit të Rritjes për vendet tona të Ballkanit Perëndimor nuk është një det i tërë, ku ti mjafton të marrësh lugën dhe ta mbushësh me fonde.
Duke qenë se Samiti i Sofjes i Procesit të Berlinit tre vite më parë(2020), miratoi tre projekte tonat: By-pass-in e Tiranës, Hekurrudhën Tiranë-Rinas-Durrës dhe rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës, me një vlerë totale mbi një çerek miliardë euro të treja, mund të themi me plot gojën se aftësia projekt-shkruese dhe lobuese e strukturave tona shtetërore është rritur ndjeshëm.
1. Të realizosh integrim ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së
2. Të realizosh Tregun e Përbashkët Rajonal
3. Të realizosh reforma tërësore(cluster)
4. Ta meritosh asistencën financiare të BE-së
5. Të përgatitësh projekte konkurruese me përfitime rajonale
2.2 miliardë euro ndihmë e huaj në 12 vitet e fundit
Ndihma që marrim nga grantet dhe kredi e buta, sidomos ato të Bashkimit Evropian, përbën gati një të tretën e fondeve që kemi harxhuar deri tani në investimet kapitale të dekadës së fundit.
- Investime kapitale nga buxheti 8 miliardë euro
- Fonde të huaja (kredi të buta dhe grante) 2.2 miliardë euro
Këto fonde na kanë ndihmuar në shumë vepra të infrastrukturës, madje disa prej tyre donatorët dhe bankat ndërkombëtare të zhvillimit i kanë financuar edhe 100 përqind vetë.
- Grante BE 215.9 mln euro
- Kredi të BERZH 245.1 mln euro
- Kredi të KfW 27.2 mln euro
- Fonde nga qeveria shqiptare 49.3 mln euro
Me takimin e nivelit të lartë të Tiranës për Procesin e Berlinit, zhvilluar në 16 tetor 2023, si dhe me samitin e sotëm, jemi pozicionuar shumë mirë. Nga takimi i sotëm, rezultoi se u vendos për krijimin e korsive të gjelbra në doganat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me doganat përkatëse të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për lehtësimin e lëvizjes së kamionëve nga të dyja drejtimet.
Po ashtu, Samiti i sotëm shpresojmë të na ndihmojë fort me projektet me fonde të BE-së, për rritjen e ekonomisë sonë. Jemi një vend i qetë për Bashkimin Evropian dhe në këtë moment, dukemi të parët e klasës në vendet e Ballkanit Perëndimor.Ne e kemi domosdoshmëri të forcojmë kapacitetet përthithëse të projekteve me rëndësi rajonale.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave po punojnë mirë me projektet e përgatitura dhe të tjerat që duhet të propozojmë, sidomos në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit të tij kryesor, që quhet Axhenda e Ndërlidhjes(Konektivitetit). Deri në shtator 2023, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13 përqind të projekteve të Axhendës (nga 7 përqind në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020), duke përmirësuar pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës, me vlerë 43 milionë euro dhe për By-Pass-in e Tiranës, me vlerë 151 milionë euro.
- Unaza e Madhe e Tiranës 150.9 mln euro
- Hekurrudha Durrës-Rrogozhinë 120 mln euro
- Hekurrudha Tiranë-Rinas-Durrës 91.5 mln euro
SA DO TË JETË PJESA NGA PLANI I RRITJES I BE-SË?
Shqipëria ka dhe shpërndarjen më të gjerë të investimeve në bazë sektori, duke përfshirë transportin, energjinë dhe sektorin dixhital.
SEPA- Anëtarësimi na jep 24 milionë euro në vit
Po dje u zhvillua në Tiranë Ministeriali “Ballkani Perëndimor drejt Sistemit Unik Europian të Pagesave (SEPA)”, organizuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë,. me Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësues të Komisionit Europian, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA i jep qasje vendit tonë në sisteme moderne pagesash, më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira. Përfitimi i qytetarëve dhe sipërmarrjeve shqiptare nga anëtarësimi në SEPA, sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë, do të jetë 24 milionë euro brenda vitit të parë të anëtarësimit.
Guvernatori i bankës sonë qendrore deklaroi dje se ne do aplikojmë që të futemi në SEPA brenda qershorit të këtij viti. SEPA nënkupton edhe integrim ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Banka e Shqipërisë i ka bërë të gjitha përgatitjet që sistemi ynë bankar të jetë gati për hyrjen në SEPA brenda këtij viti. Pjesëmarrja jonë në Sistemin Unik Europian të Pagesave jo vetëm që do të shënojë një hap tejet të rëndësishëm në rrugëtimin drejt integrimit evropian, por do të krijojë lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë, duke ulur koston, kohën dhe duke rritur thjeshtësinë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut evropian.
SEPA do të ketë një kontribut domethënës në disa sektorë strategjikë, siç janë turizmi dhe eksportet me BE-në, ndërkohë që pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të dërgesave të parave të emigrantëve tanë.
Banka e Shqipërisë po punon për gjetjen e një zgjidhjeje për sistemin e “pagesave të menjëhershme(në anglisht, instant payments)”, të cilat janë një mundësi alternative për pagesat elektronike, pasi sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës, me kosto shumë më të ulëta se instrumentet financiarë të sotëm.
Zbatimi i një infrastrukture për pagesat e menjëhershme në Shqipëri do të përforcojë avantazhet që mund të merren nga anëtarësimi në SEPA. Banka Botërore do të asistojë të gjithë procesin e anëtarësimit në SEPA, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Specialistët e saj e vlerësojnë Shqipërinë si një vend që ndodhet shumë përpara në këtë proces dhe është gati për aplikimin e anëtarësimit në SEPA që këtë vit.