Vera e këtij viti duhej të ishte një tjetër histori suksesi për turizmin shqiptar. Dhe në fakt, Rinasi zien çdo ditë, hyrjet e turistëve të huaj janë rritur, plazhet janë mbushur, rrugët janë bllokuar dhe apartamentet e bregdetit janë prenotuar që prej pranverës.
Mirëpo, pas fasadës së optimizmit, fshihet një realitet krejt tjetër. Turizmi ynë i verës 2025 është më shumë një shfaqje e improvizuar sesa një industri e qëndrueshme. Çmimet e paarsyeshme po e bjerrin imazhin tonë si një vend turistik me kosto të ulët. Një nga ankesat më të shpeshta të turistëve vendës dhe të huaj është rritja e çmimeve.
Qiratë e shtëpive në Jug, nga Vlora në Sarandë, janë rritur këtë vit mesatarisht me 20–30 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është e pafalshme! E çfarë kemi shtuar në dhomat tona këtë vit?! Ndërkohë që shërbimi shpesh ka mbetur i njëjtë, madje në shumë raste më i dobët. Tek ne, çmimet europiane po ofrohen me cilësi ballkanike, pa garanci, pa faturë dhe me mungesë minimale standardesh. Kjo e kthen pushimin në një eksperiencë zhgënjyese dhe dëmton imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik. Fluksi i vizitorëve ka nxjerrë në pah edhe një herë dobësitë e infrastrukturës. Aksi Durrës–Vlorë është kthyer në një “purgator” automobilistik, ku turistët shpenzojnë orë të tëra në trafik. Qytetet bregdetare vuajnë nga mungesa e parkimeve, transportit publik dhe kanalizimeve. Menaxhimi i mbetjeve është skandaloz në disa plazhe, ku pasdite rëra mbulohet nga shishet plastike dhe plehrat.
Në vend që të gëzojnë pushime, turistët shpesh përballen me stres dhe lodhje. Një tjetër problem është varësia e plotë nga turizmi i verës. Shqipëria ofron male, lumenj, kultura dhe tradita unike, por këto mbeten në hije, pa investime të mjaftueshme. Ndërkohë, destinacionet e rajonit, Mali i Zi, Kroacia, madje edhe Maqedonia e Veriut po zhvillojnë turizëm gjithëvjetor, duke tërhequr vizitorë përtej muajve të verës. Ne, ndërkohë, vijojmë të jemi peng i diellit dhe i plazhit. Zjarret masive të korrik–gushtit 2025 kanë dhënë një tjetër goditje. Zona të tëra pyjore dhe destinacione malore janë djegur, duke sjellë anulime të rezervimeve dhe një imazh negativ në mediat ndërkombëtare.
Në vend që të ofrohej transparencë dhe një menaxhim i qartë i emergjencës, u mjaftuam me deklarata minimale, duke tentuar të minimizojmë dëmin. Mirëpo turistët e huaj nuk mashtrohen: ata shohin, lexojnë dhe krahasojnë. Nëse vazhdojmë kështu, Shqipëria rrezikon të bëhet një destinacion i përkohshëm.
Një vend që vizitohet një herë, por nuk preferohet më. Shumë vizitorë të huaj shprehen të zhgënjyer dhe paralajmërojnë se nuk do të kthehen. Kjo është një kambanë e madhe alarmi. Duhet ta dëgjojmë të gjithë, pasi kriza më e madhe që mund të godasë turizmin është humbja e besimit. Pas çdo lajmi për “rekorde vizitorësh”, fshihet një realitet i hidhur: mungesë planifikimi, mungesë standardesh dhe mungesë vizioni. Turizmi nuk mund të jetë vetëm numra dhe imazhe të bukura në rrjete sociale.
Ai duhet të jetë një përvojë e qëndrueshme, e këndshme dhe e denjë për t’u rikthyer. Nëse nuk reflektohet sot, nesër rrezikojmë të shohim plazhe të mbushura me ndërtime, por bosh nga turistët. Nëse vijon kjo gjendje spontane me turizmin, vendi ynë rrezikon të përballet me fenomenin e “oversupply” (në anglisht “mbingopje) të vizitorëve, por me “undersupply” (në anglisht “nënfurnizim” të cilësisë). Kjo do të thotë: shumë turistë që vijnë një herë, por nuk rikthehen më për shkak të përvojës negative. Në afat të gjatë, kjo rrezikon imazhin e vendit dhe konkurrencën me fqinjët tanë, sidomos Malin e Zi dhe Greqinë, të cilat ofrojnë standarde më të larta në të njëjtin rajon.
Na nevojitet urgjentisht të bëjmë menaxhim (rregullim) të integruar të destinacioneve turistike, duke krijuar qendra rajonale që monitorojnë dhe koordinojnë shërbimet. Na duhet urgjentisht të kontrollojmë çmimet, duke filluar nga ato tejet abuzive të çadrave me dy shezlongë. Pse duhet të jetë 26 euro një çadër plazhi në Ksamil?!
Nuk duhet ta lejojmë! Na duhet formalizimi i tregut, inspektime të rregullta dhe rritje e transparencës për konsumatorët. Na duhet zhvillim i turizmit gjithëvjetor, nxitja e fortë dhe reale e turizmit kulturor, rural dhe malor, për të shmangur mbingarkesën e verës. Na duhen fushata imazhi ndërkombëtar, për të rikuperuar dëmin e shkaktuar nga zjarret dhe për të theksuar avantazhet e Shqipërisë si destinacion i sigurt dhe i veçantë. O Zot, sa shumë na duhet! Por duhet t’i bëjmë patjetër. Dhe kush do na i bëjë?/Gazeta Panorama
Komente

Z. Fatos, problemet qe permendni jane te verteta. Niveli i ulet i menaxhimit te plehrave, sistemet problematike te kanalizimeve qe ndotin ujerat e detit, mangesite e transportit publik pergjate vijes bregdetare jane vetem nje sere prej tyre. Ju permendni fjalet "Na duhet", por kjo mbetet ne nje leter/artikull ne gazete. Perse nuk nxisni vete median te sensibilizohet dhe te krijoje forume dhe kerkoje debate me specialiste te ndryshem te fushave, pergjegjes te institucioneve qe kane autoritetin per keto probleme te permendura dhe shume te tjera qe s'i ze faqja t'i mbaje? Personalisht nuk mendoj se turizmi eshte industria per te cilen Shqiperia duhet te vendose ne vend te pare te prioriteteve te saj. Por kjo eshte teme tjeter.
PërgjigjuËshtë me të vërtetë një skandal çmimesh që vitin tjetër do ta shikojnë injorantët që bëjnë biznes me të futur....o kafshë të ndyra një herë do tja futësh klientit por herën tjetër ja ke futur vetes sepse nuk ta shikoni më derën dhe rezultati është i qartë vjet kishte më shumë sivjet më dobët dhe vitin që vjen skandal....
Përgjigju